Jug-Veri, “kërcasin” dhëmbët nga të ftohtit
21/12/2009 Ministria: Situata nën kontroll
TIRANE- Reshjet e dëborës dhe shiut që kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit, kanë ndikuar që në disa zona jeta e banorëve të rëndohet si pasojë e ngricave dhe sasive të mëdha të ujit. Situata më problematikë është vënë re në zonat malore të vendit, kryesisht në veri dhe verilindje, ku reshjet e dëborës kanë arritur të bllokojnë disa segmente rrugore dhe komuna malore. Ndërsa për sa i përket pjesës jugore situata është vështirësuar si pasojë e shirave të dendur që kanë rënë në qytetet e ndryshme të jugut. Dëme janë shkaktuar në qarkun e Gjirokastrës dhe në Fier, ku nga dalja e lumenjve Drinos dhe Gjanica, janë shkaktuar përmbytje në tokat dhe tregun industrial të qytetit Fier. Bazuar në informacionet që janë marrë deri më 20 dhjetor 2009, nga Drejtoritë e Policisë në qarqe dhe inspektorët e Emergjencave Civile në rrethe, situata ka përmirësime të ndjeshme. Shtabet e emergjencave në qarqe nën drejtimin e prefektëve po ndjekin situatën në vazhdimësi, me masa konkrete për lehtësimin e veprimtarisë të komuniteteve dhe të mjeteve të transportit. Kështu, të gjitha efektivat e Policisë të Qarkullimit Rrugor, të mbështetura nga gjithë efektivat e rendit në të gjithë zonën verilindore janë në gatishmëri të plotë dhe po merren me disiplinimin e qarkullin rrugor dhe për të shmangur ndonjë aksident. Nga informacionet e marra rishtazi në institucionet e perfektit rezulton se ka përmirësime të motit dhe të situatës, si në qarkun Kukës, Shkodër, Dibër, etj. Në mënyrë të detajuar situatë paraqitet në qarkun e Shkodrës ku kryesisht ka pasur reshje shiu. Përjashtim bën rrethi i Pukës, ku gjatë pjesës së dytë të ditës së djeshme dhe gjatë natës, ka pasur reshje bore në lartësitë mbi 1000 m. Aksi rrugor Qaf Mali-Qaf Shllak e kalueshme me zinxhirë për mjetet e vogla. Trajlerat nuk lejohen se paraqesin vështirësi dhe mundësi rrëshqitje, duke krijuar premisa për të bllokuar qarkullimin. Rruga Qafë Mali-Fierzë deri në fshatin Dardhë e kalueshme me zinxhirë. Në vazhdim të këtij aksi në zonën Dardhë-Poravë me gjatësi 30 km, (Porava i përket B. Currit), po punohet për hapjen e rrugës për t’u lidhur me komunën Blerim dhe më tej drejt B. Currit. Në rrethin e Pukës vazhdon të e jetë e bllokuar vetëm rruga për në komunën Iballë, ku trashësia e borës i kalon të 70 cm. Ndërkohë që në qarkun e Kukësit gjatë natës kanë rënë reshje shiu, ndërsa në lartësinë mbi 1000 m ka pasur reshje bore.