E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emri, Leterm: Belgjika e gatshme për bisedime mes dy vendeve

Kryeministri belg Iv Leterm, thotë se presidenca belge është e gatshme të bëjë përpjekje që bisedimet për kontestin e emrit mes Athinës dhe Shkupit të sjellin rezultate pozitive. Ai thotë se palët në negociata kanë shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin për ta mbyllur këtë çështje. "Ky nuk është optimizëm, ky është realitet. Edhe një herë theksoj se përgjegjësia kryesore u takon udhëheqësve politikë si nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ashtu edhe nga Greqia. Nga ana tjetër është emëruar edhe një amerikan si përfaqësues i kësaj çështjeje, e cila duhet te lehtësojë mundësinë për gjetjen e kompromisit të mundshëm. Por, është e qartë se nëse ata e kërkojnë, presidenca belge është e gatshme të bëjë përpjekje që bisedimet të sjellin rezultate të frytshme" thekson Leterm. I pyetur nëse ka marrë të dhëna nga ana e Maqedonisë apo e Greqisë të cilat tregojnë se së shpejti do të ketë zgjidhje për emrin, kryeministri belg u përgjigj : "që gjërat të mos rëndohen edhe me tepër, duhet të mbetem diskret në këtë çështje"."Shpresoj vetëm se do të ketë përparim, por nuk ka elemente të cilat mund t'i zbuloj tani" deklaroi kreu i qeverisë se belgjikës Iv Leterm

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›