Emri, Nimiç takohet sot me përfaqësuesit grekë dhe maqedonas

Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç për kontestin e emrit takohet sot në Nju Jork me negociatorët e Shkupit dhe Athinës.
Zyra për informim e ndërmjetësit Nimiç bëri të ditur se takimet do të jenë të ndara me negociatorin e palës maqedonase, diplomatin Zoran Jolevski si dhe më pas me negociatorin grek Adamantios Vasilakis.
Të martën mediat greke kanë bërë të ditur se Qeveria e Athinës pret takime konstruktive me ndërmjetësinë e OKB-së, por një pjesë e madhe e tyre nuk i kushtojnë shumë vëmendje kësaj nisme të radhës, pas ndërprerjes së gjatë të procesit. Gazeta “Macedonia” shkruan se diplomacia greke ka pritje minimale nga rezultatet e takimit.
“Derisa në pushtet është Gruevski, vështirë është për tu arritur deri tek zgjidhja. Qeveria e Shkupit po e zvarrit procesin, për shkak se është në pritje të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë rreth ligjshmërisë së bllokadës greke për mosanëtarësimin e vendit në BE dhe NATO dhe mosrespektimin e marrëveshjes së vitit 1995 për respektimin e procesit të anëtarësimit me referencën FYROM”, shkruan gazeta “Macedonia”, duke cituar burime të Ministrisë së Jashtme në Athinë.
Çështja e emrit për herë të fundit ishte pjesë e axhendës së ndërmjetësit Nimic gjatë vizitës së tij në fund të vitit të kaluar në Athinë dhe Shkup. Propozimi i emrit Republika Veriore e Maqedonisë si dhe Republika e Maqedonisë së Vardarit janë dy propozimet e fundit për të cilat palët nuk kanë arritur marrëveshje, ndërsa në pjesën e debatit janë të përfshirë edhe nocionet rreth përdorimit të emërtimeve të kombësisë, gjuhës dhe identitetit maqedonas, për të cilat pala greke kërkon ndryshime.