Emri i Charles Boycott në shqip përkthehet Edi Rama
Ndërsa po mbyllim shtatorin e mbushur me ngjarje që kanë pasur shumë bujë në eter; për korrektësi duhet të kujtojmë se si erdhëm gjer këtu, se si na ndodhi përsëri që në ditët e para të shtatorit, në të gjitha rubrikat politike të shtypit u rishfaq papritur diçka që ishte harruar prej shumë vitesh, u rishfaq fjala bojkot. E padyshim për këtë risjellje duhet të falenderojmë egoarkun e PS-së, Edi Ramën.
Historia/Nëse ka një gjë për të cilën duhet t΄u jemi ndopak mirënjohës politikanëve, midis asgjësë është pasurimi ynë me shablone imituese të shpikjeve të botës. Një ndër to është edhe historia, që po ripërsëritet gjithmonë në politikën e dështuar, prej shumë kohësh, në tranzicionin tonë. Them pa mëdyshje se Edi Rama nuk ka asnjë meritë përpos risjelljes në aktualitet të një personazhi të një tregimi irlandez të 1897-s. Kjo është historia e Charles Boycott, e cila është një nga ato raste që ilustrojnë dukurinë e njohur gjuhësore kur një emër i përveçëm kthehet në emër të përgjithshëm, e si i tillë përhapet mandej në shumë e shumë gjuhë të botës. Nga publikimet e “55”-s, ky personazh dramatik është përthyer me emrin e damkosur Ed Boycott, i cili vijonte të ishte administrues i një prone shumë të madhe tokash në Tiranë dhe që i përkiste një kombi të pasur si Shqipëria. Shfrytëzimi i pashpirt që ai u bënte qytetarëve, i detyroi këta të fundit, që një ditë të merrnin vendimin për ta braktisur atë, bashkë me punën, dhe për të shkëputur çfarëdolloj lidhjeje me të. Më tej revolta dhe zemërimi i disa socialistëve ishte aq i madh sa ata arritën ta izolonin krejt Ed Boycott-in dhe kërkuan ta dëbonin përgjithnjë nga vendi. Nëse ai nuk largohej, do ta linin të vdiste urie. Ngjarja bëri aq bujë sa la gjurmë edhe në gjuhë.
Realiteti/ Mirëpo kjo histori nuk ka një happy end, sidomos në Tiranë. Kuptohet vetiu se egoarku ka akoma aq pushtet sa të shantazhojë çdo mendim ndryshe. Blushi me LMN-në vazhdojnë të këmbëngulin në idenë se grupi parlamentar i PS-së duhet të rikthehet në Kuvend për ta zhvilluar aty betejën politike me mazhorancën. Të shqetësuar se bojkoti po cenon rëndë imazhin e vendit, afërmendsh pastaj edhe të PS-së, duke e kthyer atë në qëndrime të vjetra e të tejkaluara, ata kanë mbushur tamburen e pistoletës që i drejtohet posterit të Ramës, që figuron në prehrin e Maqo Lakrorit. Egoarku i mbushur deri në gabzherr me emocione konfliktuale, që shpesh herë gjatë rrugës së vet i kanë sjellë disfata personale, as që mendon të ndryshojë shteg. Tamburja ritmike e Ramës dalldis me fjaltorë nëpër qytete se “Pa dyshimin më të vogël që vërtet Parlamenti është vendi ku zhvillohet debati në një demokraci normale, por ne nuk e kemi një Parlament normal”. E gjitha kjo, sipas mendjes së egokratit Rama, që për vetë faktin që Ai nuk është në odën e demokracisë, aty s’mund të debatohet për reformat pro-evropiane. Kjo nuk ka sesi të jetë e vërtetë, kur egoarku na e snobon demokracinë për interesa pushteti, të cilat janë aq të vogla, sa ç’janë edhe turpërisht meskine. Kur thotë se nuk është politikan, në të vërtetë do të thotë se është politikisht një analfabet. Duke qenë i tillë, të gjithë të tjerët brenda bashkësisë politike janë analfabetë, sipas parimit komunist të emulacionit konformist: “të gjithë me një veshje, të gjithë me një mendje”. Por Blushi me company po bëjne pak diversitet kazerme, që në mendjen e egoarkut shihet si një pusi diversioniste. Prandaj ai po lëshon pretorianët e vet; pardje Blendi Klosi, sot a nesër dikush tjetër, për të bërë atë që anglo-sanksonët e quajnë "character assassination" ose killerazhin mediatik i figurave politike që devijojnë nga hullia e bojkotit. Sipas kësaj historie, bota është e mbushur plot me simbole dhe është krejt e qartë se ideja e lirisë individuale të shprehë mendimin ndryshe nuk ka kuptim, nuk ka pasaportë biometrike.
Aneks nga Oksidenti/ Kur e tashmja është ajo që është, në mendje rikthehen ushtrimet e imagjinatës për të ardhmen. “Cilat janë dhjetë gjërat që fëmijët (me më shumë mundësi) nuk do t’i shohin më në vitin 2080?” Kjo ishte pyetja që revista franceze “Fluctuat” u bëri lexuesve dhe atyre që merren me këto punë. Vendi i parë dhe ai i fundit ishin përgjigjet që të linin pa frymë:1) karta higjenike, e zëvendësuar nga një sistem që lëshon ujë-avull-ajër dhe që është eksperimentuar në washlet-et japoneze. Duhet të jetë pikërisht ky imazh që shtyn filozofin slloven Zizek që në “Lexim Lakanit” të shkruajë se dezajni i wc-së është metaforë, duke cituar edhe feministen Erica Jong, e cila në “Frikë të Fluturosh” shikonte tek shkarkimi i ujërave të zeza të gjermanëve, horroret e Rajhut të Tretë. Duke menduar për tekno-higjenën e washlet, të duket edhe më e pabesueshme përgjigjia numër dhjetë, pra zhdulja e demokracisë: motivimi “koncepti politik i të vënit një copë letër palosje në një kuti (d.m.th votimi i sotëm), do të jetë në të ardhmen e kaluar si modë, sepse progresi i teknologjisë do ta ndajë shoqërinë në dy pjesë, në ata që e përdorin teknologjinë 2.0 dhe ata që e pësojnë rëndshëm mbi kurriz. Kjo mund të ndodhë në 2080-n në Oksident, sipas revistës franceze “Fluctuat”.
Mirëpo nëse do të përkthenim pyetjet e revistë franceze sipas realitetit shqiptar, përgjigjet do të ishin skeptike. Merret me mend që do të thoshim se renditja e parathënë nuk do të vlente; pra as përgjigjia primare e letrës higjenike dhe as ajo e fundit për zhdukjen e demokracisë s’do të bënin pjesë në realitetin shqiptar. Skeptikët e racës sonë shprehen se ne na vjen thuajse vetiu që gjërat - të mira a të këqija qofshin - t’i bëjmë me 50 vjet vonesë. Për të parën, mund të bëjmë tautologji lidhur me letrën higjenike, që nga popullsia jonë rurale, uji i bollshëm e deri tek gjethja e fikut, kurse sa i përket përgjigjes numër dhjetë, pra zhdukja e demokracisë, kjo është edhe më e pamundur, pasi në bazë të ritmit të vonesës, në vitin 2080 e sigurt është se në Shqipëri do ta ketë humbur aktualitetin fjala “bojkot”. Afërmendsh, më herët, kjo gjë (zhdukja) do t’u ketë ndodhur bartësve të kësaj ideje