E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllen regjistrimet, 800 kuota të lira vetëm në Tiranë

 

Zirina Llambro

Mbyllet faza e parë e regjistrimit në shkollat e larta. Dje pas orës 18.00 sekretaritë e fakulteteve kanë bërë bilancet paraprake për vendet e mbetura bosh. Lista zyrtare pritet të dërgohet sot në rektorat. Thuajse në të gjitha degët e Universitetit të Tiranës dhe atij Politeknik kanë ngelur kuota të parealizuara. Edhe rrethet raportojnë shumë vende të mbetura bosh. Gazeta ka mundur të sigurojë pjesën më të madhe të tyre. Janë më shumë se 800 kuota vetëm në shkollat e larta të Tiranës. Bie në sy fakti se edhe për fakultetet të kërkuara si ai Ekonomik, Mjekësia, Shkencat Sociale e Juridiku kuotat nuk janë realizuar plotësisht. Përkatësisht fakulteti Ekonomik ka 106 vende të lira, Mjekësia 39 Shkencat Sociale 48, Inxhinieria 21 dhe në Fakultetin e Histori Filologjisë 31 të vende. Prej këtyre kuotave do të përfitojnë studentët, të cilët kanë fituar në një preferencë më të ulët. Kush ka pikët e nevojshme nga preferenca e parë do të ngjitet në një tjetër degë që është më e kërkuar prej tij. Me mbylljen e kësaj faze pritet një tjetër listë fituesish, e cila do të shpallet nga Agjencia e Pranimeve në institucionet e arsimit të lartë. Në mënyrë elektronike do të bëhet një renditje e re e emrave. Specialistët e APRIAL-it, pohojnë se menjëherë sapo të mbërrijnë të dhënat nga universitetet do të realizohet lista definitive. Pas mbylljes së kësaj procedure do të bëhet spostimi i vijës së fituesve me të tjerë maturantë, që nuk ishin përzgjedhur në fazën e parë. Renditja e re do të bëhet automatikisht nga programi kompjuterik dhe pas plotësimit të kuotave zyrtare listat e reja do të printohen dhe do t’u shpërndahen për publikim universiteteve. Fituesit në degë të reja, por që në fazën e parë kanë kryer regjistrimin në tjetër degë duhet të zbatojnë udhëzimin e Ministrisë së Arsimit . “Nëse një maturant gjatë fazës së parë ka fituar në preferencën e pestë dhe pas rishpërndarjes së re (në të cilën është bërë plotësimi i kuotave të mbetura bosh nga regjistrimet paraprake) rezulton të jetë fitues në preferencën e tretë, më parë duhet të bëjë çregjistrimin në degën ku është regjistruar në fazën e parë, për t’u regjistruar te preferenca më e lartë”, - thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Sa i përket universiteteve të rretheve, të dhënat paraprake flasin për rreth 600 vende të lira  . Këtyre kuotave pritet t’u shtohen edhe vende të tjera të parealizuara, të cilat do të përcaktohen pas mbylljes së dy fazave të para të regjistrimeve. Plotësimi i tyre do të jetë i ndryshëm, jo vetëm me zbritje të listës së fituesve pas mbylljes së regjistrimit paraprak, por edhe me hedhjen në qarkullim të një formulari A-3 preferencash. Për këtë vit akademik janë miratuar nga qeveria për të 215 programet e studimeve në fakultetet publike.

Kuotat e lira

Fakulteti Ekonomik             106 vende
Administrim –Biznes             49 vende
Ekonomiks                11vende   
Finance                42 vende
Info ekonomike             4 vende

Fakulteti i mjeksisë:             39 vende
Mjekësi                 31 vende
Farmaci                 4 vende
Stomatologji                 3 vende
Shëndet publik             1 vend

Fakulteti i shkencave sociale         48 vende
Punë sociale                   9 vende   
Filozofi                13 vende
Sociologji                 7 vende   
Psikologji                7 vende   
Shkenca politike            12 vende

Fakulteti i Histori-Filologjisë
Gazetari                 6 vende
Histori                 5 vende
Gjuhë-Letërsi                 10 vende
Gjeografi                 20 vende

Fakulteti i inxhinerisë         41 vende
Inxhineri ndërtimi             25 vende
Inxhineri mjedisi             7 vende
Inxhineri hidroteknike             4 vende
Inxhineri gjeodet             5 vende

Fakulteti i telekomunikacionit     50 vende

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›