E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimet në vitin e ri akademik - Në universitetin "Aleksandës Moisiu" regjistrohen 815 studentë të rinj


Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës do të mirëpresë 815 studentë të rinj në vitin akademik 2009-2010. Ndërkohë këtë vit, në qytetin verilindor të Peshkopisë do të çelet fakulteti i ekonomisë së këtij universiteti, sipas një vendimi të qeverisë shqiptare. Burime zyrtare nga sekretaria e universitetit të Durrësit thanë se "sot ka përfunduar faza e parë e regjistrimit dhe numri i përgjithshëm i studentëve që do të nisin leksionet për vitin e parë akademik pritet të arrijë në 815". Niveli i studentëve të pranuar për këtë vit akademik, sipas drejtuesve të universitetit, është më i mirë se sa në sezonet e kaluara dhe se shumë prej tyre vijnë nga qytete të tjera të vendit. Një vit më parë, pranë universitetit të Durrësit filloi të funksionojë Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën FASTIP, sipas modeleve më të përparuara evropiane. "Numri i studentëve të këtij fakulteti, të cilët po përzgjidhen në bashkëpunim me kompanitë dhe bankat që bashkëfinancojnë shkollimin e tyre, dhe i atyre që do të ulen për herë të parë në auditoret e fakultetit të ekonomisë në Peshkopi pritet të përcaktohet në ditët në vijim". Pedagogët e studentët e FASTIP do të zhvillojnë leksionet në godinën e re në hyrje të qytetit të Durrësit, ndërkohë që pritet miratimi i KRRT së bashkisë për ndërtimin e një godine të re universitare, pranë asaj ekzistueses, në shëtitoren “Taulantia”. Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës u hap në vitin akademik 2006-2007, me pesë degë në fakultetet e Edukimit dhe Ekonomisë e Administrimit si dhe shkollën e lartë profesionale me 8 degë të ndryshme. 160 diplomat e para të këtij Universiteti janë dhënë gjatë një ceremonie të zhvilluar në korrik të këtij viti. Në vitin akademik 2009-2010 numri i përgjithshëm i studentëve në auditoret e universitetit “Aleksandër Moisiu” pritet të arrijë në rreth 4.500, ndërsa parashikohet që në vitin 2013 numri i studentëve të arrijë në 10 mijë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›