E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ndalet ndërprerja e bojkotit nga kërcënimet e një humbësi

“Ai që bie në dashurí me veten, nuk ka rival” - Franklin
                   
Edvin Ramës po i largohen njerëzit me personalitet. Bojkoti i urdhëruar prej tij po i turpëron socialistët e ndershëm. I humbur, Rama kërkon autoritet me kërcënime. Harron që koha e frikës, e nënshtrimit dhe dyfytyrësísë ka perënduar. Disiplina është bërë  sinonim i lirisë. Kurse kjo e fundit nuk pajtohet me shantazhin. Drejtuesit e partive nuk janë haxhiqamilë, që të urdhërojnë rebelë të pengojnë reformat. Të gjitha vendimet duhet t’i nënshtrohen parimit moral. Nuk ka ideal më të lartë se t’i shërbesh sovranit. Aftësía e një lideri është të harmonizojë aspiratat e anëtarëve që militojnë në parti. Nuk pranon demokracia skllevër të vullnetit të një personi. Përkundrazi! Misioni i tij është të kërkojë, por sidomos të japë llogari para partisë. Dhe, sa më i lartë të jetë posti i tij, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia. Iku koha, kur vullneti i kryetarit barazohej me atë të partisë. Në demokrací luftohet për lartësimin e personalitetit të çdo individi. Nëse një vendim cenon idealet e militantëve, këtyre u lind e drejta të kërkojnë që ky vendim të rishikohet. Diktati është sot prologu i shkatërrimit të çdo partie. Edvin Rama ka vendosur të rizgjidhet kryetar, kur ka humbur zgjedhjet. Me bojkotimin e parlamentit, synon të dalë doemos në krye të partisë. Prandaj, sa më tepër e sheh se duhet të përgjigjet për shkaqet e humbjes, aq më arrogant po shfaqet para atyre, që po e mbajnë si kryetar në detyrë. Ambicien për pushtet të përjetshëm e mat me “hosanatë” e servilëve që e rrethojnë. Demokracinë e çmon si demagogji diktature të “reformuar”. Ndërkohë përçmon mendimin ndryshe. Nuk pranon kritika konstruktive. Partinë e quan “gardë pretoriane” personale. I mikluar nga miliarderë të frikësuar, trimërohet duke kërcënuar njerëzit e ndershëm. Për diktatorin Rama nuk ekziston fryma e debatit, e kundështimit, ajo e demokracísë së brendshme në parti. E.Hoxha u ruhej si ujku zjarrit disa normave, prapa të cilave fshihte krimet e veta. Rama i do deputetët e PS-së jashtë parlamentit. Këmbëngulja e tij për një vendim të tillë, të padrejtë, nuk tregon frymë mirëkuptimi. Kërcënimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe, është shfaqja më arrogante e një personaliteti të gjymtuar. Vetëm një frikacak tenton të vërë autoritet me “kopaçe”. Vetëm një kryetar pa dinjitet nuk pranon sugjerime të arsyeshme. Nëse PS-ja e përjashton veten nga misioni i saj në opozitë, nuk ka se për ç’gjë t’i motivojë anëtarët të përkushtohen. Për “kolltukun” e kryetarit, që i shpuri në “greminë”? Apo për të instaluar në parti frikën e përjashtimit, të “pushkatimit moral” të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe? Një kryetar që sheh kudo armiq e tradhëtarë dhe çmon si sabotatorë ata që nuk janë dakord me mendimin e tij, nuk mund të jetë jo misionar, por as portier i selisë. Se, dhe në pastë ndonjë “sukses” të përkohshëm në synimet egoiste, nuk ka për të qënë e largët dita, kur do të largohet, duke i paguar partisë një haraç të rëndë. Po ç’vlerë ka fundi qesharak i një individi, që nuk kontrollon pasionet e tij, kur të jetë dëmtuar e ardhmja e sovranit? Bojkoti i Ramës është tmerri i tij nga humbja. Tërbimi, nga ambicia e thyer. Është frika nga progresi i pandalshëm. Llahtári nga integrimi i shpejtë. Zhdukja e avokaturës së krimit ekonomik, të pandëshkuar. Shuarja e iluzioneve për ta bërë çiflik të tij Shqipërinë. Bojkoti i Ramës është përpjekja e fundit për afirmimin e klimës së konfliktit, të frymës së sistemit të hurit e të litarit. Ndoshta prandaj Rama tenton ta mbrojë bojkotin me kërcënime. Por, i tronditur, Rama duket ka harruar se elektorati socialist nuk është më ajo turma e verbër, e terrorizuar, që i qe nështruar dje me “dajak” një gangsteri, që e kishte bërë veten me anë të terrorit “Perëndi”. Tani socialistët e thjeshtë të japin ujë në shoshë. Fëmijët e tyre kanë shëtitur botën. Kanë parë atje të mirat e mëdha të lirisë e të demokracisë. Kanë dënuar mashtrimin komunist. Kanë vajtuar jetën në mjerim, që komunizmi u mori prindërve të tyre. Ata e shohin Ramën si një njeri të çakërdisur, që nuk njeh realitetin dhe që mendon endé se inercia e bashkautorësisë në krimet e komunizmit mund t’i mbajë të lidhur anëtarët e PS-së, edhe kur kryetari flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, edhe kur ai ngul këmbë të dëmtojë të ardhmen e vendit, nxitur nga ambiciet e tij për pushtet absolut. “Liberalin” Rama ata e shohin sot si një egoist dhe prepotent i një kalibri, që vetëm diktatura komuniste mund ta prodhonte. Ky kryetar në detyrë, që bën të tilla kërcënime, përbën një rrezik, jo vetëm për PS-në. Si mund të motivohet një “ushtrí” kaq e madhe, si PS-ja, të kontribuojë për të mirën e vendit, kur intimidohet nga një sharlatan politik, që e vë ambicien e vet mbi aspiratat madhore të vendit? Jo! Rama duhet t’i thërrasë sa më heret mendjes. Dhe, nëse jeton endé me delirin se asgjë në shoqërínë shqiptare nuk ka ndryshuar, apo se tranzicioni ka qënë vetëm një mashtrim i madh dhe se sakrificat e këtij populli për demokraci paskan shkuar për dhjamë qeni, ai duhet të qetësohet ca kohë larg politikës, që të kuptojë se sa dëm ka synuar t’i shkaktojë vendit duke mbytur me dhunë, me britma e kërcënime çdo tentativë, që ka synuar lartësimin e misionit të partisë, që ky demagog e nxorri me këpucë të kuqe. Se Rama nuk e njeh efektin “domino” të rebelimit të masës, kur kjo të diktojnë se ambicia e tij u ka dëmtuar interesat e fëmijëve të saj. Nuk e di Rama se liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE, vlejnë një mijë herë më shumë se karriera e pamerituar e një humbësi frikacak, e një egoisti mëndjemadh, që kërkon t’i imponohet partisë me forcën e parjashtimit, apo të raprezaljeve të nënkuptuara nga toni i një pinjolli të diktaturës së rrokullisur tashmë në humnerë!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›