Emri i Maqedonisë, Athina pret përgjigje nga Shkupi
Greqia është duke pritur përgjigje nga Shkupi zyrtar në lidhje me emrin e Maqedonisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras ka deklaruar se ende nuk është marrë asnjë përgjigje për memorandumin e mirëkuptimit që Greqia dërgoi në Maqedoni.
"Propozimi ynë është iniciativë e Greqisë dhe presim përgjigje të qartë, pozitive e cila do të japë dinamikë të re në procesin negociues. Iniciativa është edhe mbështetje për këtë proces i cili do të kontribuojë për përmirësim të madh të klimës në marrëdhëniet e tona bilaterale", tha Delavekuras.
Në pyetjen e gazetarëve për respektimin e të drejtave të njeriut në Greqi, posaçërisht për minoritetet, ai deklaroi se "në Greqi ka vetëm pakicë myslimane dhe asgjë tjetër".
"Ekzistojnë disa organizata dhe grupe të cilat po përpiqen të krijojnë tension në një pjesë të popullatës greke. Por, ata nuk po arrijnë në këtë sepse në Greqi ekziston bashkëjetesa harmonike e cila kontribuon që bashkërisht të ecim përpara", ka thënë Delavekuras.