Bllofi i Donald Trump

Të gjithë ishin në pritje se çfarë do të thoshte miliarderi amerikan, Donald Trump, që kishte shpallur se do të publikonte një bombë, që do të ndryshonte ecurinë e garës elektorale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në fakt ishte thjesht një bllof. Trump doli me një mesazh videofonik, duke thënë se presidenti amerikan, Obama, është presidenti më pak transparent në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai tha se e sfidon presidentin që të publikojë dokumentet e kohës së kolegjit dhe aplikimin për pasaportë, në këmbim të 5 milion dollarëve që do të shkojnë për bamirësi. Trump i ka lënë afat Obama-s deri më 31 tetor për të publikuar këto të dhëna. Më parë kishte pasur spekulime se ai do publikonte dokumentet e divorcit mes çiftit presidencial. Trump pretendon se Obama nuk ka lindur në SHBA, por në Kenia, çka e bën atë një president të paligjshëm Por Obama është tallur me fiksimin e Trump në emisionin e Jay Leno, duke thënë se sherri i tij me Trump shkon deri në fëmijërinë e tij në Kenia. Obama ka publikuar certifikatën e lindjes së tij, ku tregohet që ai ka ardhur në jetë në Havai.