Emri i Neritan Cekes ne merkaton per Presidentin e ri
Për të dytën herë radhazi Aleanca Demokratike ofron Neritan Cekën si kandidat për president. Nënkryetari i partisë, Eduart Abazi tha në një prononcim për median, se në kushtet kur mundësitë për konsensus janë të pakta Neritan Ceka është një kandidaturë dinjitoze, për këtë post.
Emri i Cekës për president propozohet pas vetëofrimit të Fatos Nanos për postin e kreut të shtetit. Ceka dhe Nano mbeten emra të vjetër në tregun e kandidatëve presidencialë dhe secili do të duhet të sigurojë firmat e 20 deputetëve. Demokratët që kanë shumicën e votave në Kuvend kanë deklaruar se presidenti do të vijë nga radhët e tyre përmes një procesi konsultimesh, ndërsa emri më i përfolur në media është ai i kryetares së Kuvendit, Topalli. Me emra nuk kanë folur as socialistët të cilët kërkojnë një proces konsensual për zgjedhjen e kreut të shtetit.