Holanda kufizon shitjen e kanabisit per turistet

Ligji i shumëdebatuar në Holandë, i cili e bën më të vështirë për turistët e huaj të blejnë kanabis në kafenetë e famshme të këtij vendi, është mbajtur në fuqi nga Gjykata.
Ligji do të nisë të zbatohet në tre provinca jugore të Holandës më 1 maj, përpara se të shtrihet në të gjithë vendin, gjatë vitit të ardhshëm, kërkon që kafenetë të mos u shesin më kanabis vizitorëve të huaj. Kafenetë në fjalë do të shndërrohen në klube me anëtarësim, e do të mund të shesin kanabis vetëm për anëtarët e regjistruar në to.
Kështu, vetëm banorët lokalë që mund të paraqesin në kafene dokumentin e rezidencës në Holandë do të jenë në gjendje të regjistrohen. Secila kafene do të ketë një anëtarësi të limituar deri në 2 mijë persona. Ky numër është mjaft i ulët krahasuar me klientelën që kanë kafenetë aktualisht, si psh "Easy going" në qytetin e Mastrihtit.
Ligji, i cili shfuqizon 40 vite të një politike liberale nga ana e Holandës në lidhje me drogën është kundërshtuar ashpër nga shumë të huaj të cilët e kanë parë vazhdimisht vendin si një parajse të drogës. Përdoruesit e kanabisit janë të shqetësuar në lidhje me vendimin, dhe tashmë kanë filluar planifikimet se ku tjetër mund ta marrin atë substancë të çmuar .