E Diel, 1 Nëntor 2026

"Emri të ndryshojë në ditën kur Maqedonia hyn në BE"

Në një studim politik të publikuar në “blogun” e tij, Knaus analizon se problemi më i madh që pengon kompromisin mes dy fqinjëve është përkeqësimi këto vitet e fundit i klimës së besimit. Pasi shpjegon gjatë ç‘ka ndodhur në 19 vite mbi e Shkupit dhe Athinës, duke shpjeguar se kjo e fundit do të hiqte pengesat vetëm në rast të ndryshimit kushtetues të emrit të Maqedonisë, Knaus ofron rrugëzgjidhjen e mundshme sipas tij.

“Problemi mund të kapërcehet me ndryshime kushtetuese në Shkup, të cilat duke ndryshuar që sot, do ti mundësonin Athinës të mbështesë çeljen e negociatave më vonë gjatë vitit, por një gjë e tillë duhet të parashikojë që ndryshimi real i emrit të hyjë në fuqi vetëm në ditën që Maqedonia do të anëtarësohet në BE”, propozon Knaus.

Ai shtjellon edhe më në detaje këtë ndryshim kushtetues, që sipas tij, mund të jetë i thjeshtë dhe i llojit: “Të gjitha referencat ndaj Republikës së Maqedonisë në këtë kushtetutë do të zëvendësohen nga XX (një kompromis i tipit Republika e Maqedonisë-Vardari për shembull) në ditën kur vendi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.

Sipas kryetarit të Iniciativës Evropiane për Stabilitet, nëse Maqedonia nuk anëtarësohet asnjëherë, atëherë nuk e ndryshon asnjëherë emrin, ose nëse grekët bllokojnë sërish rrugën e vendit drejt BE-së, emri do të qëndrojë i pandryshuar deri ditën e anëtarësimit, kur sipas Knaus do të duhej të ndryshonte automatikisht e të përfshihej dhe në Traktatin e anëtarësimit të vendit.

“Ajo që do ta bënte këtë marrëveshje më tërheqëse, dhe që do ti mundësonte Shkupit të shënojë sukses në një referendum, do të ishte nëse Greqia premton se do ta lejojë Maqedoninë të anëtarësohet në NATO nën emrin IRJM, njësoj siç ndodhi në OKB”, shton Knaus.

Vazhdimi i situatës së bllokuar aktuale, sipas Knaus, do të bënte që Maqedonia të qëndrojë të paktën edhe 20 vite të tjera jashtë BE-së vetëm për shkak të çështjes së emrit. Studimi i tij i gjatë politik është publikuar në faqen e ESI-t, organizatë kjo që merret me studimin e analizave dhe politikave mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit e më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›