E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kosovare kundër bisedimeve teknike me Beogradin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzojnë krerët e shtetit se futen në bisedime me Beogradin, në një kohë kur nuk kanë përpara një platformë të qartë me të cilën të paraqiten në këto negociata.

“Ne në AAK mendojmë se Kosova si shtet sovran duhet të bisedoj me të gjithë fqinjët, rrjedhimisht edhe me Serbinë, por mendojmë se Kosova në gjendjen në të cilën ndodhet tani nuk është e gatshme të përfshihet në çfarëdo bisedimesh, për shkak se pushteti aktual është i preokupuar me vetveten. Mendojmë se Kosova, jo vetëm që nuk ka platformë, por tani i është zhbërë kapaciteti që të ndërtojë çfarëdo platforme e cila do të sillte rezultate në bisedimet që do të mbaheshin”, u shpreh Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe Aleanca Kosova e Re, nënkryetari i së cilës, Ibrahim Mekolli shprehet se Prishtina nuk duhet të hyjë në bisedime me Beogradin, përderisa këta të fundit kanë pretendime territoriale mbi Kosovën.

“Të ashtuquajturat biseda teknike vijnë vetëm pas arritjes së marrëveshjeve politike, të cilat aktualisht nuk ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli.

Ndërkohë, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora çitaku i ka quajtur të pabaza deklaratat e përfaqësuesve të opozitës. Sipas saj, platformë për bisedimet mes prishtinës dhe Beogradit janë vetë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

“Kushtetuta, ligjet dhe perspektiva euro-atlantike janë pikat bazë të referencës në çfarëdolloj platforme për bisedime me Serbinë. Unë sinqerisht nuk mundem t’i kuptoj deklarata të ngjashme të opozitës, të cilat bisedimet krejtësisht teknike që pritet të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë, u japin një dimension dhe një ngjyrim që nuk do ta kenë”, deklaroi zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora çitaku.

Ideja për fillimin e bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht është dhënë nga përfaqësues të lartë të diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane, që sipas tyre, do të ndihmonin në përshpejtimin e rrugës së inkuadrimit të shteteve të rajonit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, përfaqësues të opozitës kosovare dhe shoqërisë civile, kanë bërë të ditur se do të jetë Serbia ajo e cila do të përfitoj në kurriz të Kosovës në kuadër të këtyre bisedimeve. /alsat-start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›