Enada Hoxha:Gerti tifoz i çmendur i Anglisë
TIRANE-Emisioni "Botërori ndryshe" bëri dje të flasin për futbollin deputeten e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, primabalerinët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Enada Hoxha dhe Gerti Vaso, si edhe një të ftuar speciale, zyrtaren për marrëdhëniet me publikun në ambasadën amerikane, Leigh Rieder. Emisioni filloi me një bisedë mbi humbjen e Gjermanisë, për të cilën Kodheli tha se ishte e zhgënjyer. "Prisja më shumë sepse ka lojtarë të rinj e energjikë, por me sa duket kanë ikur kohët kur Gjermania luftonte deri në çastin e fundit. Në fakt edhe arbitri spanjoll na penalizoi pa të drejtë", - tha ajo. Në minutat në vijim të emisionit, e pyetur për "golat" në politikë, Kodheli tha se do të ishte mirë që në politikë partitë të mos i bënin gola njëra-tjetrës, përkundrazi futbolli, si edhe popujt e tjerë duhet t'i bashkojë njerëzit. Ndërkaq primabalerina Enada Hoxha deklaroi dje se nuk ka parë asnjë ndeshje, madje as Anglinë, për të cilën tha se i shoqi Gerti Vaso është tifoz i çmendur. Ajo rrëfeu se Gerti i ka blerë të birit kostumin e anglezëve, ndërsa vetë balerini u shpreh me të qeshur se i biri "nuk ka shanse të dojë skuadër tjetër". Zyrtarja amerikane Leigh Rieder, e ftuar në studio rrëfeu se gjithnjë i kishte pëlqyer sporti, ndërsa shtoi se mendonte se Amerika do të ecë në këtë botëror. "Unë nuk jam parashikuese, por them se ekipi është i fortë", - u shpreh Rieder. Më tej biseda vijoi me Vason, i cili fliste me siguri për skuadrën e zemrës, për të cilën tha se ka mbrojtje të mirë dhe një trajner për t'u admiruar, duke shtuar se ndeshja Angli-Amerikë ka qenë politike. Sa i takon Fabio Kapelos, Kodheli tha se është trajneri më i mirë në botë, e më tej politikania foli për Gjermaninë e disa kohëve më parë, duke thënë se sot është më komerciale e nuk ka personalitete si Bekenbauer. Kodheli rrëfeu se i ati ka parë Pele-në duke luajtur dhe "them se ai është lojtari më i mirë në botë".
(d.b/News24/BalkanWeb)
(d.b/News24/BalkanWeb)