E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike Jozef Daul vjen në Shqipëri

TIRANE-Moszgjidhja e krizës politike sjell në Shqipëri kryetarin e Grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Jozef Daul, një nga negociatorët evropianë të takimit të 21 majit në Strasburg të Francës, mes dy liderëve shqiptarë Sali Berisha dhe Edi Rama, me qëllim zgjidhjen e krizës politike.
Daul do të vizitojë vendin tonë javën e ardhshme dhe parashikohet që ta realizojë nga datat 23 apo 25 qershor. Parashikohet që kreu i grupit të PPE-së të zhvillojë takime të veçanta me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Gjithashtu do të takohet dhe me zv/kryeministrin Ilir Meta. Në njoftimin e faqes zyrtare në internet të PPE-së bëhet e ditur se takimi i Daul realizohet pas përpjekjeve të dështuara për të arritur një marrëveshje ndërmjet maxhorancës dhe opozitës në Tiranë. Ndërkohë që në njoftimin zyrtar nuk është bërë e ditur nëse do të ketë një takim me liderin e opozitës, Edi Rama në Tiranë. Por sipas njoftimeve, kryesocialisti deri më 20 qershor ndodhet në Tiranë, pasi do të jetë prezent në takimin e Internacionales Socialiste, që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Daul së bashku me kreun e PES në PE, Martin Shulz dhe komisionerin për Zgjerim i BE, Stefan Fule, zhvilluan bisedime me dy liderët shqiptarë Berisha dhe Rama, në restorant “Krokodili” të Strasburgut.
PD dhe PS u ndanë në negociatat e tyre për shkak të pranimit të çështjes së fletëve të votimit. Pas këtij dështimi, BE-ja i tërhoqi vëmendjen dy partive të mëdha që të gjejnë një kompromis sa më parë. Pesë ditë më parë, me anë të një deklarate ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, pas takimit të Luksemburgut shprehën shqetësimin e tyre për dështimin e negociatave mes Berishës dhe Ramës, të ndërmjetësuar nga dy krerët e grupeve të PPE-së, Daul dhe të PES, Shulz.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›