Enciklopedi e re, zgjidhja e vetme
Prononcimi i kryetarit të ASHMA-së, Stardellov, se do të bëhet retushimi i tre zërave të Enciklopedisë Maqedonase, që ndërlidhen me shqiptarët, përkatësisht autoktoninë e tyre, me SHBA-të e Britaninë e Madhe dhe me Ali Ahmetin, dikush nga organizatat joqeveritare (e ndoshta edhe ndonjë politikan) po përgatitet ta konsiderojë si “fitore”, mbase edhe individuale të tyre. Në të vërtetë, “beteja” ende nuk ka filluar, është në pikën zero (Bllazhe Ristovski nuk lëshon pe, të vetën do ta çojë deri në fund), sepse retushimi i këtyre tre zërave fare nuk e mbulon këtë skandal të tmerrshëm që ndërlidhet me trajtimin e elementit shqiptar në këtë “enciklopedi”.
Ata që reagojnë (përjashto opinionistët e shumtë) këtyre ditëve dhe që mundohen ta përvetësojnë bajrakun për qëllime personale (karakteristikë e shqiptarëve), as që e kanë shfletuar këtë “enciklopedi” dhe nuk e dinë se në të vërtetë problemet janë edhe më të thella. Prandaj, e vetmja rrugëdalje është tërheqja e botimit aktual (2000 ekzemplarë), shpallja e pavlefshme e saj dhe bërja e një enciklopedie të re, sipas standardeve të njohura dhe kuptohet, me një përbërje të re të redaksisë, në të cilin do të inkuadroheshin njerëz që s’kanë paragjykime ndaj shqiptarëve, që arsyetojnë në mënyrë racionale dhe që mbështeten në argumentin e verifikuar shkencërisht, përfshi këtu (aty ku e do nevoja) edhe burimet e huaja. Ky duhet të jetë kushti i vetëm i faktorit shqiptar, përkatësisht subjekti politik që i qëlloi të jetë pikërisht në këtë kohë pjesë e kësaj qeverie. Dhe, nga ky kusht nuk duhet të shmanget askush, pavarësisht se përpjekje për të ndërruar mendje do të ketë me bollëk.
Sepse, nuk janë kontestuese vetëm këta tre zëra, por ka edhe qindra të tjerë që elementin shqiptar e paraqesin në një pasqyrë jo vetëm të shtrembëruar, por edhe të mjerë. Janë me dhjetëra e dhjetëra individë anonimë që nuk e kanë fare vendin në këtë enciklopedi, sepse për ta askush nuk ka dëgjuar e as që kanë dhënë ndonjë kontribut për shoqërinë shqiptare. Se si janë gjetur ata në këtë “enciklopedi”, këtë më së miri e dinë përpiluesit e saj. Nga ana tjetër, janë me qindra e qindra personalitete shqiptare (e ngjarje), pa të cilët prezantimi i elementit shqiptar në “enciklopedi” del shumë i zbehtë. Nënë Tereza patjetër duhet të paraqitet ashtu siç e njeh e tërë bota, si shqiptare dhe pa mbiemrin e trilluar “Nikollova”. Është e papranueshme të thuhet se Mali Sharr, mes tjerash, kufizohet edhe me “Metohinë” e jo me Kosovën, duke shfrytëzuar ekskluzivisht vetëm burime serbe. Është e palejueshme dhe skandaloze të paraqitet fotografia e Faik Konicës si fotografi e Hasan Kaleshit. Është qesharake që për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë të thuhet se ka ndodhur në vitin 1943. Mos të flasim për gabimet në emra dhe për gabime të tjera teknike që shëmtojnë në maksimum prezantimin e atyre pak personaliteteve shqiptare. Janë këto vetëm disa fakte që mjaftojnë për ta tërhequr urgjentisht këtë “enciklopedi”, për të cilën është paralajmëruar se do të ketë edhe botimin anglisht.
Nëse disa nga përpiluesit e kësaj “enciklopedie” kanë aversion ndaj NATO-s dhe Unionit Evropian, që çuditërisht nuk figurojnë si zëra të veçantë, atëherë s’ma merr mendja se shqiptarët do të pajtoheshin me një lëshim kaq të madh, sepse jo vetëm që janë dy organizma pa të cilat sot bota do të dukej ndryshe, por shqiptarët për shkaqe të njohura janë të lidhur edhe emocionalisht. Në përpilimin e enciklopedisë së re, nga pala shqiptare duhet të marrin pjesë personalitete që kanë njohuri të thella dhe që do të jenë në gjendje ta argumentojnë atë që e paraqesin, kuptohet pa bërë as lëshimin më të vogël. Natyrisht, shpresojmë se nuk do t’i kujtohet dikujt që të kërkohet së pari të legjitimohen para partisë e pastaj ta marrin vizën për të qenë pjesë e redaksisë së re të enciklopedisë. Gjithsesi, në këtë drejtim, me qëndrimin e tyre këmbëngulës, edhe më tej duhet të kontribuojnë anëtarët shqiptarë të ASHAM-së, të cilët, siç kanë paralajmëruar, për hir të vërtetës, do ta lëshojnë këtë akademi, e cila si detyrë me prioritet do të duhet ta ketë reformimin e saj dhe çlirimin nga disa individë që janë të dëmshëm, mbi të gjitha, për vetë maqedonasit.
Thamë se beteja është në pikën zero dhe është shumë herët që dikush të tentojë ta marrë “bajrakun e triumfit”, sepse, më në fund, janë argumentet që qartë tregojnë se kush e filloi këtë betejë, edhe pse kjo në këto momente nuk është fare e rëndësishme. Edhe retushimi i tri faqeve, siç paralajmëroi Stardellovi, nuk e ndryshon aspak situatën. Nëse lejohet kjo, atëherë nuk duhet të habitemi nëse dikush nesër do të thotë: “Nuk qëndruan, i lëshuan pantallonat...”