Shpëtim Idrizi krijon parti të re për çështjen çame
Deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri do të krijojnë një forcë të re politike, duke ndryshuar formacion politik në Kuvend. Burime pranë tyre bëjnë me dije se në ditët në vijim, Shpëtim Idrizi së bashku me Tahirin, do të zyrtarizojnë partinë e re, e cila do të quhet Partia Popullore për Integrim (PPI) dhe kryetar do të jetë Shpëtim Idrizi. Partia e re do të jetë e qendrës së djathtë dhe qëllimi i saj kryesor do të jetë çështja kombëtare. Formacioni i ri politik, i cili do të ketë dy deputetë, si dhe do të jetë i hapur për të bashkëpunuar edhe me Partinë për Drejtësi dhe Integrim, parti nga e cila u zgjodh në Vlorë deputeti Tahiri. Kjo parti do të jetë pjesë e mazhorancës së djathtë, duke rritur me një deputet më shumë numrin e mazhorancës së djathtë. Duket se më këtë lëvizje, çamët kërkojnë të rrisin forcën e tyre politike në Kuvend, e cila do të ketë një program të qendrës së djathtë. Qëllimi kryesor i saj do të jetë krijimi i një boshti të ri ku shqiptarët që vlerësojnë mbi të gjitha kombin, të jetë më të përfaqësuar në Kuvend. Programi i kësaj partie, e cila do të bëhet me dije në ditët në vijim, do të jetë i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha faktorët, të cilët mbështesin zgjidhjen e çështjes çame, duke qenë çështja me prioritetin kryesor në partinë e re PPI. Partia për Drejtësi dhe Integrim, e njohur si partia e parë e çamëve, u krijuar katër vite më parë, me qëllim e vetëm, lobimin për zgjidhjen e çështjes çame. Kjo parti mori një deputet në zgjedhjet e 28 qershorit në Vlorë, ndërsa humbi për pak vota mandatin e dytë në Fier. Me krijimin e forcës së re PPI, synohet që përfaqësimi në Kuvend të jetë disa herë më i lartë.