E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në buxhet, impuls i ri për zhvillimin ekonomik



Në përmbyllje të debatit për ndryshimet në buxhetin e vitit 2009 edhe një herë dëshiroj të theksoj disa nga elementet më kryesore të tij.

Së pari: rishikimi i buxhetit të vitit korrent është kthyer në praktikë normale për mazhorancën tonë. Prej tri vitesh, në muajin korrik, buxheti është rishikuar duke avancuar më tej treguesit e tij kryesorë. Duke vepruar kështu, jo vetëm që avancohen treguesit buxhetorë, por bëhet i mundur reagimi ndaj të gjitha fenomeneve të evidentuara nga zbatimi i tij gjatë 6 muajve të parë.

E njëjta praktikë po ndiqet me buxhetin e vitit 2009. Ndryshimet e propozuara synojnë t’i japin impuls të ri zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit për periudhën e mbetur 4-mujore.

Së dyti: Analiza e zbatimit të deritanishëm të buxhetit të vitit 2009 tregon që ekonomia shqiptare në përgjithësi është në gjendje të shëndoshë, rrjedhojë e reformave të ndërmarra gjatë tri viteve të fundit dhe e politikave të kujdesshme të ndjekura, të cilat kanë synuar forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit.

Ekonomia botërore gjatë periudhës 2008-2009 kaloi nëpër një recesion të thellë, i cili vazhdon të jetë ende prezent. Shumë vende u prekën nga rënia drastike e ritmeve të rritjes ekonomike, e shoqëruar me rritje të papunësisë, rënie të eksporteve, destabilizim të sistemeve financiare e bankare, falimentime të ndërmarrjeve prodhuese, bankave, shoqërive të sigurimit, rënie të të ardhurave reale për frymë të popullsisë.

Sigurisht, ekonomia e vendit tonë nuk mund të mos influencohej në disa drejtime nga efektet e krizës ekonomike globale. Gjatë kësaj periudhe, është vënë re një rënie e lehtë e ritmeve të rritjes ekonomike, të ardhurave, eksporteve dhe remitancave të emigrantëve.

Pavarësisht kësaj, edhe gjatë vitit 2009 ekonomia jonë qëndron midis ekonomive më ritmet më të larta të rritjes, e cila deri në fund të vitit mendohet të jetë rreth 5%, papunësia ka shënuar rënie në krahasim me një vit më parë, të ardhurat e mbledhura për periudhën 7-mujore janë 10% më të larta së e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Viti 2009 ishte vit elektoral dhe do të ishte normale të pritej një frenim i investimeve drektë të huaja. Në fakt, ka ndodhur e kundërta, jo vetëm që viti 2008 shënoi një nivel rekord prej rreth 1 miliard euro investime private të huaja, dukë qenë ekonomia e dytë midis ish-vendeve të lindjes, por edhe 6 muajt e parë të vitit 2009 flasin për rreth gjysmë miliardi euro investime direkte të huaja.

Për shkak të krizës ekonomike dhe financiare disa nga vendet e rajonit u detyruan të preknin nivelin e pagave të administratës publike si dhe pensionet. Në Shqipëri, gjatë vitit 2009, u shënua rritja më e madhe e pagave dhe pensioneve, duke bërë të mundur dyfishimin e pagave në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë dhe të pensioneve në fshat, krahasuar me vitin 2005. Ky objektiv u realizua dukë u mbështetur tërësisht në burimet e brendshme të ekonomisë.

Së treti: viti 2008 por veçanërisht periudha 7-mujore e vitit 2009, treguan që politika e ndjekur nga qeveria për të reduktuar efektet e krizës ekonomike globale nëpërmjet rritjes së shpenzimeve dhe veçanërisht investimet publike, ishte rruga më e drejtë dhe më e mirë për t’u ndjekur.

Gjatë vitit 2009, investimet publike jo vetëm që janë trefishuar në krahasim me vitin 2005, por janë realizuar mbi 100% investimet me financim të brendshëm dhe rreth 85% investimet me financime të huaja, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat e periudhës 7-mujore tregojnë se zhurma që bën opozita për gjoja përdorim të fondeve publike në funksion të fushatës elektorale, nuk i përgjigjet realitetit. Gjatë periudhës 7-mujore janë përdorur vetëm 54% e fondeve vjetore duke treguar për një shpërndarje harmonike gjatë gjithë vitit në funksion të rritjes së efektivitetit dhe cilësisë së investimeve.

Rritja e investimeve publike në nivele të tilla ishte stimulimi më i mirë për mbështetjen e sektorit privat të ekonomisë dhe reduktimin e efekteve të krizës globale mbi të. Investimet publike ishin dhe vazhdojnë të jenë frymëmarrja për sektorin e ndërtimit si një nga gjeneruesit kryesorë të rritjes ekonomike. Do të ishte vit mjaft i vështirë për sektorin e ndërtimit nëse qeveria nuk do të shpenzonte 102 miliardë lekë investime publike për ekonominë. Asnjë masë tjetër nuk mund të ishte e barasvlershme më të dhe të kishte këto efekte pozitive për sektorin e ndërtimit.

Ndryshimet e propozuara nga qeveria në buxhetin e vitit 2009 vazhdojnë të jenë në përputhje me këtë linjë. Pavarësisht zvogëlimit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat me rreth 7.7 miliardë lekë, qeveria do të rrisë nivelin e investimeve publike me rreth 12 miliardë lekë të tjera.

Më këtë rritje ne arrijmë në nivelin historik që rreth 10% e PBB-së të përdorët për investime publike në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky nivel e vendos ekonominë shqiptare në krye të vendeve të rajonit e më gjerë për sa i përket shpenzimeve që kryen për investime publike.

Së katërti: Rritja e masës së shpenzimeve dhe veçanërisht e investimeve nuk përkeqëson treguesit e borxhit publik. Kjo do të thotë që me gjithë efektet e krizës ekonomike botërore, ekonomia jonë zhvillohet kryesisht me burimet e brendshme të financimit, duke e mbajtur faturën financiare për brezat e ardhshëm në kufij më se normalë.

Huamarrja e brendshme për vitin 2009 aktualisht shënon nivelin më të ulët ndër vite me vetëm 12 miliardë lekë, ndërsa deri në fund të vitit parashikohet të jetë 1.4% më e vogël sesa vlera e vitit 2008.

Ecuria e mirë e ekonomisë gjatë vitit 2009 i rriti vlerën veprimit të ndërmarrë nga qeveria për të mos përdorur gjatë vitit 2008 fondet e mbledhura nga privatizimi i sektorëve strategjikë. Dukë qenë se kriza ekonomike globale nuk e preku ekonominë e vendit tonë në masë të tillë që të diktonte përdorimin e këtyre fondeve për përballimin e efekteve të krizës, sot qeveria jo vetëm ka gjendje të mirë likuiditeti, por po injekton burime shtesë në ekonomi të cilat do të përmirësojnë stabilitetin makroekonomik si dhe do të nxisin më tej zhvillimin e sektorit privat.

Së fundi, dëshiroj të shpreh vlerësimin që qeveria iu përmbajt angazhimit të shprehur gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2009, për të dhënë fonde të tjera për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve. 1.7 miliard lekë do t’i shtohen fondit për kompensimin e këtyre shtresave. Sigurisht fonde të tjera do të nevojiten në vitet e ardhshme, por qeveria po tregon që nuk i mungon vullneti për të ecur në rrugën e adresimit të problemeve që lidhen me kompensimin e ish-të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve.

Do të ishte mirë që opozita të merrte pjesë në këtë debat dhe të jepte opinionet e saj në lidhje me ndryshimin e ligjit kryesor ekonomik dhe financiar të vendit. Për fat të keq, ata nuk janë në gjendje të plotësojnë detyrimet ndaj elektoratit për pretendime të paqena dhe zhvillimeve të brendshme në partinë e tyre.

Ndërsa nuk vijnë në Kuvend për të diskutuar ndryshimet në buxhet, mjaft prej tyre nuk ngurrojnë të angazhohen në përpjekjet për minimin e stabilitetit të lekut. Drejtuesve të opozitës u themi të rrinë larg lojërave të tilla të rrezikshme, pasi ka ikur koha kur nëpërmjet goditjeve në ekonomi të mund të shkaktojnë destabilitet politik.

Zgjedhjet kanë përfunduar, janë certifikuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare si më të mirat e kryera nga Shqipëria dhe për katër vitet e ardhshme do të qeverisë mazhoranca e programit të integrimit për ta shpënë vendin më afër Evropës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›