E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euroja nuk e cenon lekun



Zhvillimet që po ndodhin kohët e fundit në tregun e brendshëm valutor, veçanërisht zhvillimet në raportin e çmimit të monedhës sonë kombëtare, lekut, me atë evropiane, euro, duket sikur po e thellojnë hendekun midis tyre. Veçanërisht zhvillimet e djeshme në treg u duk sikur po ngjallin panik mes operatoreve të tregut, duke shtuar dhe më tej pasigurinë e tregut.

Ajo që mendoj se publiku duhet të perceptojë më drejt, është se pasiguria është gjendja normale e tregjeve. Në një botë në ndryshim të vrullshëm dhe një ekonomi dinamike, nuk është as e çuditshme dhe as një fatkeqësi që vlera e monedhave të luhatet dhe të mos ketë fuqi blerëse të qëndrueshme. Monedha është subjekt i veprimit njerëzor, prandaj është dhe subjekt ndryshimi në kohë. Por, veprimet e tepruara dhe të pajustifikuara të agjentëve të tregut, në kushtet e asimetrisë së informacionit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë përfitime për disa operatorë të tregut valutor, në kurriz të agjentëve më të painformuar dhe më pak të sofistikuar. Në këtë mënyrë, pa dashje krijojmë situata të profecive vetëpërmbushëse, viktima të të cilave biem ne vetë.

Veçantia e tregut tonë valutor është se, duke qenë tepër i ngushtë ose me një volum transaksionesh shumë të kufizuara, edhe një transaksion i një firme individuale në përmasa relativisht të mëdha, do të shkaktonte një ndryshim të çmimeve relative të monedhave në përmasa jo të zakonshme të tregut në një situatë normale. Ndërkohë, në fondamentet ekonomike nuk duket se ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm të tillë që të justifikojë ndryshime relativisht të mëdha të kurseve të këmbimit.

Një tkurrje modeste e aktivitetit tregtar me jashtë, si në kahun e importeve dhe të eksporteve, të remitancave dhe hyrjeve dhe daljeve të tjera të llogarisë kapitale në bilancin e pagesave, sigurisht që janë reflektuar në një fuqizim të euros, fuqizim që gjithsesi është tipar edhe i tregjeve valutore në vendet e tjera të botës. Përtej këtyre zhvillimeve në atë që janë fondamentet ekonomike, çdo veprim tjetër është thjesht një element spekulativ në treg dhe si çdo veprim i tillë, vetëm se bën një rishpërndarje të fitimeve midis grupeve të ndryshme shoqërore. E thënë më thjesht, nuk ka asnjë indikacion, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, që të vërë në rrezik stabilitetin e monedhës sonë kombëtare. I vetmi rrezik jemi vetë ne.

Çështja e stabilitetit valutor është gjithashtu dhe një çështje definicioni. Monedhat e vendeve që kanë përjetuar realisht zhvlerësim valutor, kanë përjetuar një rënie të vlerës së monedhave të tyre me mbi 15-20% apo në situata të caktuara edhe mbi 40-45%, siç është rasti i paundit britanik, i dollarit amerikan apo i jenit në periudhën e krizës aziatike në mesin e viteve ‘90. Monedha jonë kombëtare ka pasur një vlerësim në terma realë që prej vitit 2000, fuqizim që shpesh konsiderohet edhe si një humbje e konkurrueshmërisë në raport me vendet e tjera konkurrente. Një zhvlerësim në masën 8% që ka ndodhur në çmimin e monedhës që nga fillimi i vitit, është dëshmi e stabilitetit të monedhës dhe e faktit se ajo po rivendos çmimin e saj të drejtë për të lejuar një riaxhustim të pozicionit të bilancit të tregtisë së jashtme.

Përpjekjet që po bëhen, duke e lidhur këtë zhvillim me deklarimet e Kryeministrit për zëvendësimin monetar, pra me heqjen dorë nga leku dhe futjen e euros si monedhë kombëtare, është një spekulim pa asnjë bazë. Kryeministri iu drejtua bankierëve dhe studiuesve që të fillojnë të mendojnë rrugën më të mirë të mundshme, që në perspektivën e integrimit tonë evropian, hyrja e euros të jetë një proces i natyrshëm dhe pa kosto shtesë. Unë jam një partizan i hershëm i idesë së zëvendësimit monetar, si një mënyrë për të reduktuar kostot e transaksionit dhe për ta bërë vendin tonë virtualisht pjesë të një tregu më të gjerë, siç është Bashkimi Evropian. Edhe pse monedha nuk është në vetvete një kurë (ilaç) për sëmundjet e ekonomisë, zgjedhja e një monedhe të fortë është një politikë e drejtë e stimulimit të kursimeve dhe për rrjedhojë edhe të investimeve dhe rritjes ekonomike, një mënyrë për të importuar stabilitet monetar dhe ekonomik në vend. Sidoqoftë, në rastin e vendit tonë, ky proces i zëvendësimit monetar do të dojë mjaft kohë, pasi Bashkimi Evropian nuk ka inkurajuar asnjë vend aspirant për anëtarësim që të bëjë një zëvendësim të njëanshëm monetar. Vendit i duhet akoma të punojë për të krijuar një strukturë ekonomike më të ngjashme, të konsolidojë financat publike dhe stabilitetin e vet fiskal e monetar, në mënyrë që të krijohet më shumë konvergjencë me strukturat ekonomike të tregjeve evropiane. Si i tillë, zëvendësimi monetar do të jetë një proces afatgjatë dhe që do të realizohet në partneritet me Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin e BE-së për Ekonominë dhe Financat.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›