E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia, nuk zhvillohet takimi Gruevski-Ahmeti

Dy partnerët e koalicionit Ali Ahmeti i BDI-së dhe Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE nuk janë takuar gjatë fundjavës, pavarësisht paralajmërimit se midis tyre pritej të zhvillohej një takim. Informacionet për një takim të përbashkët për të sqaruar pozicionet e tyre lidhur me botimin e "Enciklopedisë Maqedonase", ishin bërë nga kreu i BDI-së, i cili ka kërkuar që kryeministri Nikolla Gruevski dhe qeveria të distancohen nga botimi i kësaj vepre kontroverse për shqiptarët. Dy liderët e partive të koalicionit qeveritar në Maqedoni nëpërmjet mediave kanë drejtuar mesazhe dhe qëndrime lidhur me debatin e ndezur për enciklopedinë. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka vlerësuar se prononcimet e deritanishme të kryeministrit Gruevski për enciklopedinë janë të pamjaftueshme, duke iu referuar komenteve të Gruevskit, sipas së cilave, ai pranoi se shqiptarët janë fyer nga enciklopedia maqedonase. Ahmeti tha se Gruevski duhet të dënojë këtë akt luftë nxitës dhe enciklopedia të tërhiqet nga qarkullimi. Gjithashtu tha se pret që kryeministri ta ftojë për të diskutuar për enciklopedinë, që e cilësoi si një provokim të ulët nga komuniteti maqedonas, të cilit i takon edhe vetë Gruevski. Më tëj Ahmeti shtoi se duhen marrë të gjitha masat dhe të reagohet në kohë, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet. Acarimi i marrëdhënieve midis dy partive të koalicionit është ndjerë edhe në mbledhjen e javës së kaluar të qeverisë, ku ka patur reagime dhe mospajtime midis ministrave shqiptarë dhe atyre maqedonas.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›