Ende larg konsensusit për zgjedhjet

Subjektet politike ende janë larg arritjes së një konsensusi të përbashkët për amandamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Deri tani me propozime të ndryshme kanë dalë Lëvizja Vetëvendosje, Grupi 6 + dhe SLS-ja, ndërkaq subjektet tjera nuk kanë sjellë ndonjë propozim. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka pret që javën e ardhshme, subjektet politike t’i paraqesin qëndrimet e tyre rreth ndryshimeve në këtë ligj.
Kryetarja e KQZ-së, të mërkurën pas mbledhjes së Grupit Punues për reformën zgjedhore, ka thënë se ka pasur diskutime të llojllojshme, por qëndrimi përfundimtar nuk është dhënë ende nga subjektet politike.
“Kemi dëgjuar diskutime të llojllojshme, megjithatë qëndrimin përfundimtar ende nuk e kemi marr dhe besoj që për KQZ-në nuk ka shumë ngurrim nga ana e subjekteve politike, do të vijnë me qëndrimet në javën e ardhshme, pra në takimin e radhës”, është shprehur Daka, duke treguar se tash për tash nuk ka asnjë lloj konsensusi lidhur me sistemin zgjedhor.
Në këtë aspekt, Daka konsideron se grupi punues nuk është duke u vonuar në amandamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ngase, sipas saj, gjithçka është duke shkuar sipas planit.
“Jo, nuk po vonohemi, sepse ne jemi duke shkuar sipas planit, pra e kemi një plan të aktiviteteve tona dhe është duke shkuar sipas këtij plani dhe çështjet janë duke u diskutuar dhe në fund do të dalim me një rekomandim për të gjitha”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Haki Demolli ka thënë se nga shtatori deri në nëntor do të trajtohen çështje e ndryshme si kategori kushtetuese, ndërsa pas kësaj periudhë do të fillojë draftimi i tyre.
“Ne nuk mund t’i kufizojmë subjektet politike, por ne ua kemi bërë me dije se çështjet të cilat ne i trajtojmë si kategori kushtetuese respektivisht sistemit zgjedhor jemi duke i debatuar në fazën apo periudhën e dytë kohore të komisionit tonë, prej shtatorit deri në nëntor, kur edhe pas përfundimit të kësaj periudhe ne do të fillojmë me draftimin e këtyre çështjeve”, ka thënë ai.
Sa i përket çështjes se a do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor, pra nëse do të ketë sistem presidencial ose gjysmëpresidencial, Demolli nuk ka dashur të komentojë, por ka thënë se krejt kjo varet nga ndryshimet kushtetuese.
Ndryshe, Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës dje ka miratuar draftin e parë të amendamenteve kushtetuese, që ndërlidhen me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Kryetari i komisionit, Arsim Bajrami thënë se falë angazhimit të rregullt që kanë dhënë anëtarët e këtij komisioni, kontributit të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe shoqërisë civile, Kosova do të jetë e gatshme që vitin e ardhshëm t’i mbajë zgjedhjet presidenciale.
Komisioni ka arritur që për disa amendamente kushtetuese të bëjë ndryshimet e nevojshme, mirëpo do të mbesin alternativa të hapura për të cilat komisioni do të vendos në debatet publike me qytetarë.
Bëhet e ditur se këto debate do të mbahen në 11 qytetet të Kosovës, të cilat do të fillojnë me 4 tetor dhe përfundojnë me 4 nëntor.