E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanovic: Problemi i Kosovës mund të zgjidhet me dhunë ose bisedime

Nga Express më 21 shtator 2011 në ora 21:04

Shefi i ekipit negociator të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka deklaruar të mërkurën mbrëma se Beogradi ka planin “për zgjidhjen e problemit të Kosovës”, por Brukseli ende nuk është përgjigjur ndaj këtij plani, njoftojnë mediat serbe.

Stefanovic ka paralajmëruar se problemi i Kosovës mund të zgjidhet në dy mënyra: “që dikush të përdorë dhunën ose të ulen dhe të bisedojnë”.

“Mënyra e parë është më e keqja, pasi që nënkupton viktima në njerëz nga të dyja palët dhe pamundëson paqen afatgjate në gjithë rajonin. Ne jemi Qeveria e parë e Serbisë, e cila ka nisur bisedimet me shqiptarët, pasi që bisedimet në Rambuje dhe Vjenë, nën ombrellën e Marti Ahtisarit, vështirë se mund të quhen të tilla”, ka thënë ai.

Serbia i ka dorëzuar të premten e kaluar Bashkimit Evropian propozimin për “zgjidhjen e problemit” të pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinje, i cili parashikon që policët dhe doganierët e Kosovës “të mos jenë të pranishëm” në këto dy vendkalime kufitare.

Pas dorëzimit të këtij “plani”, Stefanovic pat deklaruar se “nevojitet një status i veçantë për Bërnjakun dhe Jarinjen në kuptimin etnik, të sigurisë, ekonomisë dhe strategjisë”.

Të premten e kaluar, në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri janë vendosur doganierët dhe policët e Kosovës, të cilët atje janë dërguar me helikopterë të KFOR-it, pasi që serbët kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt këtyre dy pikave kufitare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›