Ferma e telasheve
Sami Morina ia ka parë sherrin fermës së lopëve. Deri para tre muajve, ky banor i fshatit Shipol të Mitrovicës, i kishte shumë në rregull punët me fqinjët e vet.
Por pasi një ditë i shkrepi ideja për biznes me lopë, thotë se i ka dalë telash i madh. Krejt rehatia e tij me fqinjët u prish, kur Samiu vendosi që një pjesë të oborrit të vet, ta shndërrojë në fermë lopësh. Tash, bagëtinë, ai thotë se i ka rehat, por nuk po ua gjen hallin telasheve me fqinjët të cilët janë ankuar deri në komunë nga era e rëndë e plehut, me të cilën duhet të bashkëjetojnë.
Era e bajgave të 49 viçave sa ka tash në stallë Samiu, në këtë minifermë të improvizuar, i ka detyruar gati të gjithë banorët e lagjes të bëjnë një peticion, të cilin ata e kanë dorëzuar në Komunën e Mitrovicës.
Njëri prej shumë fqinjëve që e nënshkroi këtë peticion kundër fermës së Salihut, është edhe Shemë Osmani. Shtëpia e tij ndodhet shumë pranë fermës së viçave të Samiut, i cili në vend të luleve që kishte deri para pak kohësh, i pëllasin viçat.
Prej kohës kur fqinji i Shemit po merret me blegtori, në këtë zonë disi të urbanizuar, ai thotë se ka mall të dalë në ballkonin e shtëpisë së tij. “Kur vjen mbrëmja, unë nuk kam shanse të dal jashtë shtëpisë. Era e keqe që vjen nga viçat e asaj ferme, na mbyt”, thotë Shema për Express.
Duke parë që kjo çështje është bërë shqetësim i madh për të gjithë banorët, ai dhe një fqinj tjetër janë detyruar të mbledhin disa nënshkrime.
“Në fillim kemi tentuar të bisedojmë qetë me Samiun. Por e pamë që fjalët tona nuk ndikuan asgjë. Ai ngulte këmbë se nuk e largon fermën”, tregon Shema, i cili thotë se kokëfortësia e fqinjit e ka shtyrë atë të marrë iniciativë për të bërë peticionin. “E pamë që fjalët janë të kota. Prandaj, edhe nënshkruam peticionin dhe e dërguam në Komunën e Mitrovicës”, tregon banori nga Shipoli. “Por edhe në Komunë e pashë që dikush është korruptuar me të holla, pasi askush nuk e mori parasysh kërkesën tonë”, thotë i mërzitur ai. “Hajde fermën e ka ndërtuar në oborr. Po çuditem se si Komuna dhe drejtoritë përkatëse e kanë lejuar një gjë të tillë”, pyet ai. “Përveç kësaj, kurrë askush nuk vjen për kontroll te kjo fermë. Të gjithë e dimë që Samiu i ushqen viçat me koncentrat. Prandaj vjen kaq shumë era sa nuk ta merr mendja”, pohon Shemë Osmani.
Por pavarësisht këtij halli që ka Shemi e të tjerët, fermeri Sami Morina nuk mërzitet fare. Madje, atij nuk i bëjnë përshtypje fjalët që thonë fqinjët e tij. Bile ai pretendon se e di edhe arsyen pse fqinjët janë kundër tij. Ajo është xhelozia. “Krejt këtë pluhur e kanë ngritur për shkak të inatit dhe xhelozisë që ata kanë për mua”, thotë i bindur Samiu për Express.
Ai këtë e arsyeton me faktin se ferma e tij në oborr nuk është e vetmja në këtë lagje. “Janë edhe 4 a 5 shtëpi të tjera që kanë ferma të lopëve si unë. E këta fqinjët e mi më janë kapë vetëm mua”, thotë ai.
Prandaj, Samiu thotë se edhe po t’i shkojë Komuna apo policia për kontroll, nuk e ka në plan t’i largojë lopët, për të cilat thotë se ka hyrë në kredi për t’i blerë. “Unë me këtë fermë e mbaj familjen time. Lopët i largoj nga oborri, vetëm nëse dikush del e m’i jep mua çdo muaj nga 700 euro”, thotë Sami Morina.
“Kur unë mund të jetoj në një oborr me këto kafshë, pse fqinjët nuk munden! Era e bajgave vjen vetëm kur unë e pastroj oborrin, ndryshe erë tjetër nuk ka”, thotë i bindur ky fermer.
Madje, nga inati që fqinjët kanë nënshkruar peticion kundër fermës së tij, Samiu thotë se ka vendosur që t’u kushtojë vëmendje maksimale 49 viçave që ka. Ai thotë se nuk e lejon askënd ta kalojë derën e oborrit brenda së cilës i mban këto kafshë, me arsyetimin se dikush mund t’u bijë viçave të tij mësysh. “Koftë kësmet, nëse më shkon biznesi mirë, do t’i blej edhe disa lopë të tjera. Nuk e kam ndërmend të merrem me fqinjët e mi”, thotë Samiu.
Ndërkohë, Arsim Memaj, shef i sektorit të Departamentit të Prodhimtarisë Blegtorale në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se pasi ai ka marrë një ankesë në formë peticioni prej më shumë se dhjetë banorëve të fshatit Shipol, ka formuar një komision dhe ka shkuar në vizitë pa paralajmërim, te ferma e Sami Morinës.
“Komisioni ka konstatuar se ferma i plotëson të gjitha kushtet, sikurse nga pastërtia, edhe nga kujdesi ndaj këtyre kafshëve”, thotë Memaj për Express. Memaj pohon se në momentin kur komisioni ka vizituar fermerin dhe banorët, të cilët janë ankuar për shkak të aromës që vjen nga ferma, ai ka pasur vështirësi në identifikimin e ankuesve. “Kemi shkuar te çdo banor, i cili ka nënshkruar peticionin. Nga shtëpia e asnjërit nuk kemi vërejtur aromën e keqe për të cilën ata janë ankuar”, sqaron ai. “Prandaj, komisioni ka vendosur që të mos e pengojë Sami Morinën në zhvillimin e biznesit të tij”, thotë Arsim Memaj. Aq shumë ka frikë se dikush u bie mësysh viçave, saqë Samiu nuk lejoi as Expressin të bëjë ndonjë fotografi të fermës së tij.