E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende s'janë marrë në pyetje prindërit e viktimës

INCIDENTI NË HIMARË /Burime nga prokuroria shprehen se dëshmia e prindërve të Gumit do të merret në muajin shtator. Ndërkohë, ende s'është marrë dëshmia e plotë e të akuzuarit për "vrasje me dashje"

Prindërit e Aristotel Gumit nuk janë marrë në pyetje deri më tani. Një gjë e tillë konfirmohet nga Prokuroria e Vlorës. Mësohet se prindërit e viktimës do të pyeten për ngjarjen vetëm në fillim të shtatorit. Shkak për këtë bëhet e ditur se është fakti që institucionet shtetërore kanë marrë pushimet dhe e rifillojnë punën në fillim të muajit të ardhshëm.

Kështu nuk konfirmohet asnjë takim me familjarët e Aristotetl Gumit, 36-vjeçarit që vdiq pas goditjes së motorit të tij nga automjeti i drejtuar nga Ilir Muka, për të marrë variantin e tyre lidhur me ngjarjen, nëse edhe ata e konsiderojnë si një vrasje me bazë etnike apo një aksident. Ndërkohë, deri më tani, të vetmit që kanë folur në emër të familjes Gumi kanë qenë përfaqësues të minoritetit.


Muka ende s'ka dhënë dëshminë e tij
Lidhur me autorin e ngjarjes, Ilir Muka, mësohet se ai nuk ka pranuar që të japë një dëshmi të plotë për incidentin.


Pas deklaratave të dhëna para gjyqtarit të gatshëm ku ka shpjeguar se gjithçka që ndodhi ishte një aksident i rastësishëm dhe jo i qëllimshëm, 20-vjeçari është shprehur se kërkon kohë që të qetësohet e më tej të japë deklaratat e tij për t'iu bashkangjitur dosjes hetimore. Ilir Muka akuzohet për vrasje me dashje.


Sipas prokurorisë, pas një sherri të çastit me Aristotel Gumin, ai e ka goditur me makinë duke i shkaktuar vdekjen.
Ndërsa shtatë të rinjtë e tjerë të përfshirë në incident kanë deklaruar të gjithë njëri pas tjetrit para oficerëve të policisë gjyqësore se gjithçka që ka ndodhur është një aksident jo i qëllimshëm.


Ata kanë treguar se kanë qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe dhe se Aristotel Gumi po udhëtonte përpara tyre me motorin e vet. Një manovër e gabuar e 36-vjeçarit, si dhe shpejtësia me të cilën po lëvizte mjeti që po udhëtonin ata ka qenë shkaku i aksidentit të ndodhur.


Të rinjtë që ndodheshin në makinë me Mukën, Aleksandër Gjokaj, Bledar Meminaj, Andi Kotorri dhe Juxhin Mustafaraj kanë rrëfyer se ata kanë qenë thjesht pasagjerë dhe se nuk mund të akuzohen për përkrahje të autorit të krimit, ndërkohë që ngjarja nuk ishte vrasje, por thjesht një aksident.


E njëjta gjë është pohuar edhe nga të rinjtë që ndodheshin në automjetin tjetër, të cilët sipas të dhënave, janë njoftuar nga shokët e tyre që të vijnë në vendngjarje për t'i ndihmuar. Në dëshmitë e tyre Endrit Salataj, Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj janë shprehur se s'kishin asnjë dijeni për aksidentin e ndodhur.


Ndërkohë, ajo çka pretendohet nga kreu i bashkisë së Himarës, njëkohësisht kreu i Omonias, kreu i PBDNJ-së dhe persona të tjerë që i përkasin minoritetit grek është se ngjarja me pasojë vdekjen e Aristotel Gumit ka ndodhur si pasojë e urrejtjes etnike, pasi Gumi fliste greqisht. Pavarësisht pretendimeve se viktima 36-vjeçar ishte minoritar, burimet zyrtare të prokurorisë së Vlorës theksojnë se ai ishte me kombësi e shtetësi shqiptare.


Bllokimi i rrugës për 15 orë, qytetarë të Vlorës, ankesë në prokurori

Ngjarja e ndodhur më 12 gusht ku u aksidentua për vdekje një banor i Himarës dhe që çoi në bllokimin e rrugës përgjatë 15 orëve në vijim pritet të sjellë reagim edhe nga qytetarë të Vlorës. Mësohet se sot pas një organizimi do t'i paraqitet një kërkesë prokurorisë së Vlorës lidhur me nisjen e hetimeve ndaj personave të cilët, sipas tyre, në mënyrë të padrejtë kanë bllokuar rrugën për 15 orë duke bërë që rreth 100 automjete me pushues të ndryshëm të flinin natën në makina në pritje të zhbllokimit të rrugës.


Gjithashtu mbajtja e bllokuar e rrugës përgjatë ditës së nesërme ka krijuar një varg automjetesh që arrinte një gjatësi prej rreth 4 kilometrash në të dyja anët e rrugës. Kjo ka bërë që mijëra pushues të mbeteshin të bllokuar. E megjithatë, sipas burimeve, ende nuk është shoqëruar asnjë person për ngjarjen.


Gjithashtu, nuk ka asnjë të shoqëruar për sulmin ndaj gazetarit të një medie vizive, ndërkohë që dëshmitarë okularë për sulmin kanë qenë edhe vetë përfaqësues të uniformave blu. Pas pretendimeve të personave që bllokuan rrugën për gazetarë grekë, një grup xhirimi u sulmua me thikë. Ndërkohë, u zhduk kaseta filmike që vërtetonte sulmin ndaj gazetarëve, si dhe nuk është shoqëruar asnjë person për t'u marrë në pyetje.


Kryetari i PBDNJ-së deklaroi dje se duhet t'i jepet fund ambientit që stimulon veprime e qëndrime të tilla

Dule: Minoriteti grek, i shqetësuar për ngjarjen
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dha dje në një intervistë për BBC-në. Lidhur me vdekjen e Aristotel Gumës për të cilin përfaqësuesi i minoritetit grek pretendon se u vra pse fliste në gjuhën greke, Dule tha se duhet t'i jepet fund një ambienti që stimulon veprime dhe qëndrime të tilla.

Si po përjetohet në minoritetin grek kjo ngjarje?


Ngjarja në Himarë ndoshta përbën krimin më monstruoz të ndodhur gjatë këtyre 20 viteve në vendin tonë dhe kjo sepse, sipas të gjithë treguesve të deritanishëm, kemi të bëjmë me një krim i cili është i inspiruar nga motivet më të errëta, ato të urrejtjes etnike. Ne jemi mjaft të shqetësuar. Nga njëra anë kemi një aspekt human, është një familje së cilës i humbi një jetë mjaft e re dhe, së dyti, është një fenomen shoqëror të cilin duhet që ta shkulim.


Nuk mund të justifikohet nga asnjë këndvështrim sot në vitin 2010, t'i thuhet cilitdo pse flet greqisht apo anglisht, aq më tepër që dihet botërisht që në Himarë gjuha greke flitet në vazhdimësinë kohore. Edhe sikur kjo të mos ndodhte, bëhet fjalë për gjuhën e një vendi, të një populli fqinj. Ne, si PBDNJ, por edhe si minoritet etnik grek në përgjithësi, si një anëtar i thjeshtë, shprehim shqetësimin tonë.


Duhet t'i jepet fund një ambienti që stimulon veprime dhe qëndrime të tilla. Ne jemi shumë të indinjuar dhe u shprehëm e do të vazhdojmë të shprehemi shumë ashpër për autorët e drejtpërdrejtë të këtij krimi, por edhe ata që qëndrojnë me frymën e tyre pas këtij akti.
Këto ditë pati zëra dhe nga forca të organizuara politike që nuk hezituan, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, që të mbështesin në njëfarë mënyre autorët, të gjejnë kushte lehtësuese apo justifikuese në një kohë që historia është shumë e ashpër.


Zoti Dule, ju keni kërkuar që në atë zonë të ketë policë të minoritetit. Si është konkretisht ideja juaj?


Së pari, ne bëmë një thirrje të thjeshtë, e cila duhet të konceptohet qartë. Duhet që çdo qeveri të ndryshojë kursin e politikave.


Nuk ka vend për retorikë boshe dhe shterpë përsa i përket respektimit të të drejtave të minoritetit, duhet që ato t'i respektojmë de facto. Në qoftë se në Himarë nuk do të kishim këtë politikë me ekuivoke që kur tensionohet flasim për bilingualitet, apo për një gjuhë që është folur paralelisht me gjuhën zyrtare e të tjera.


Duhet që të kemi një politikë të qartë, konform standardeve të cilat janë të aplikueshme në Evropën e sotme. Aty kemi pjesëtarë të komunitetit të cilët identifikohen për nga identiteti dhe përkatësia e tyre etnike si pjesëtarë të minoritetit etnik grek.


Përse të mos garantojmë praktikisht të drejtat e tyre, përse të mos funksionojë dhe aty sistemi arsimor publik shkollor, siç ekziston në vendlindjen time, në Goranxi etj, në një kohë që zyrtarisht i jemi larguar mentalitetit të zonave minoritare i cili nuk është një mentalitet që mbështetet në praktikat e sotme evropiane të respektimit të të drejtave të minoriteteve?


Në këtë aspekt është një strukturë policore në Himarë, e cila ka qenë problematike. Nuk është hera e parë që në Himarë ndodhin incidente të tilla. Kësaj here ishte fatale, humbëm jetë njeriu. Por mos harroni se edhe në zgjedhjet lokale të 2000, 2003 dhe 2007, por kryesisht në ato të vitit 2003 patëm lëndime me thika, patëm njerëz që vajtën në buzë të vdekjes dhe vetëm falë ndërhyrjes së menjëhershme, kurimit në institucione të specializuara të shëndetësisë u rikthyen në jetë dhe nuk pati asnjë të ndëshkuar.


Ka një tolerancë sistematike ndaj provokuesve të banorëve të Himarës përsa i përket gjuhës së tyre, identitetit të tyre në një kohë që ka një ashpërsi dhe një zell të tepruar ndaj çdo himarjoti që manifeston përkatësinë e tij etnike.


Përse ndodh pikërisht kjo në Himarë dhe jo në fshatin tuaj Goranxi?


Sepse në Goranxi në vazhdimësi shteti njohu, edhe në kohën e komunizmit, statusin e minoritetit, ndërsa në Himarë një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në vitin 1945 në votimet e para në Himarë u votua në mënyrë dhe në shumicë dërrmuese kundër instalimit të sistemit komunist. Pas asaj filluan raprezaljet ndaj atij komuniteti që nuk ishin vetëm përndjekjet, por kemi të bëjmë dhe me pushkatime masive, etj.


Kemi dhe dy vendime të cilat në atë moment prekën respektimin e të drejtave si minoritet në atë zonë: heqja e kombësisë nga gjendja civile, moskonsiderim si pjesë e minoritetit etnik grek dhe mbyllja e shkollës greke. Që atëherë gjatë gjithë viteve të komunizmit u ndoq kjo politikë dhe fatkeqësisht edhe sot me përjashtim të disa deklarimeve retorike, zbatohet e njëjta politikë.


Nuk duket sikur e paragjykoni pak sfondin etnik të kësaj ngjarje kur gjykata ende nuk ka folur dhe pala tjetër, domethënë i riu që dyshohet si vrasësi, thotë nuk ka qenë çështje kjo punë, ka qenë thjesht një zënkë midis të rinjsh?


Nuk mund t'u hyj aspekteve dhe detajeve të një procesi ligjor i cili duhet të mbetet si i tillë. Akuza flet për vrasje me dashje. Sesi do të rrjedhë procesi gjyqësor, ne nuk mund ta paragjykojmë, vetëm se jemi dyshues.


Të jemi të qartë, që nesër të mos kemi një proces të kontestuar, kërkuam që tani të përfshihet në kërkesën e strukturave përkatëse të drejtësisë të shtetit tonë, të jenë të pranishëm me ekspertizën e tyre në këtë proces struktura të specializuara të BE-së dhe të OSBE-së të akredituar në vendin tonë.


Ishit ju që i bëtë thirrje administratës lokale, aty ku jeni në pushtet të bënte një grevë njëorëshe apo jo?


Po, dhe kjo ndodhi jo vetëm në Himarë, por në të gjithë njësitë e pushtetit vendor të minoritetit etnik grek.


Ishte një veprim simbolik për të përcjellë një mesazh, mesazhin e solidaritetit ndaj familjes, nderim të kujtimit të të riut që kaq padrejtësisht humbi jetën e tij dhe, nga ana tjetër, për t'i përcjellë mbarë opinionit të shëndoshë se ne jemi të vendosur të qëndrojmë përballë çdo fenomeni, çdo fryme të tillë dhe t'i bëjmë thirrje bashkëqytetarëve tanë që t'i bëhemi mburojë njëherë e mirë këtyre fenomeneve dhe inspiruesve të tyre.


Cili është reagimi juaj për komentet në Athinë për ngjarjen në fjalë?


Athina dihet që ka një interes legjitim për fatet e pjesëtarëve të minoritetit etnik grek. Nuk është kjo një e drejtë e Athinës se është Athina, por është e çdo shteti për pjesëtarët e minoritetit të tij në një vend tjetër.


Por edhe kjo sikur të mos ndodhë, besoj se jemi një vend anëtar i NATO-s, Greqia është partnerja jonë, aleatja jonë, jemi një familje.


Historiani Pëllumb Xhufi deklaron se kemi të bëjmë me një rol të Athinës zyrtare, e cila nuk po bën ndonjë gjë të re sot


Xhufi: Ngatërresat në Himarë, të qëllimshme
Historiani Pëllumb Xhufi deklaroi dje se ngatërresat që ndodhin gjatë këtyre 20 viteve të fundit në Himarë, ku pretendohen se janë me sfond politike, janë të qëllimshme. Në një intervistë për BBC-në historiani shqiptar tha se bëhet fjalë edhe për një rol qartazi të dukshëm të Athinës zyrtare. Duke theksuar se Himara ka qenë gjithnjë një pjesë e pandashme e territorit dhe popullsisë shqiptare, Xhufi tha se Greqia po shfrytëzon parimin e identifikimit të kombësisë me fenë.


Sipas jush, cila është e vërtetë historike e Himarës?


E vërteta e Himarës është se ajo ka qenë një pjesë e pandashme e territorit shqiptar dhe e popullsisë shqiptare, madje do të thosha se në momente të caktuara të historisë Himara është bërë qendër e lëvizjeve për liri e pavarësi të popullit shqiptar. Dihet që, kur ra Kruja, Himara u bë jo për vite, por për shekuj si epiqendër, si vatra e fundit e lëvizjeve antiosmane.


Dhe aty janë mbajtur aleancat e popullit shqiptar me partnerë të perëndimit, me Venedikun, me mbretërinë e Napolit, me të Spanjës e me Papatin deri në shekullin e 18-të për të organizuar kryengritje kundër pushtuesit osman. Ky është profili historik i Himarës.


Por ka dokumente të pakundërshtueshme duke filluar që nga ato të Venedikut apo të Mbretërisë së Napolit e pastaj ato të Perandorisë Osmane, regjistrimet pa komente siç kanë qenë regjistrimet e popullsisë dhe detyrimeve që paguanin komunitetet shqiptare.


Në regjistrimin e Himarës gjithë himarjotët, të gjithë po them, në mënyrë fare të dukshme, mbanin emra etnikë karakteristikë shqiptarë. Emra që edhe sot ruhen në mbiemrat e mjaft familjeve himarjote. Emra si Gjin, Gjon, Martin apo Gjokë që janë të pangatërrueshëm dhe nuk kanë nevojë për komente"


Atëherë si shpjegohet që Himara edhe gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit sjell here pas here ngatërresa që pretendohet të jenë me sfond etnik?


Kjo është e qëllimshme. Natyrisht këtu kemi të bëjmë edhe me një rol që duhet thënë qartazi të Athinës zyrtare, e cila nuk po bën ndonjë gjë të re sot. Sepse ky ka qenë qëndrimi që nga koha e krijimit të shtetit grek, i cili ka shfrytëzuar statusin që iu njoh Kishës Ortodokse Greke pas rënies të Kostandinopojës më 1453-shin kur Patrikut grek të Kostandinopojës iu la e drejta nga Sulltani të merrej me të gjitha popullsitë e krishtera. Iu dha e drejta të hapë shkolla në të gjitha vendet ku kishte ortodoksë dhe kjo gjë u bë edhe në Shqipëri.


Kjo ndodhi edhe në Himarë, ku u hap shkollë greke ashtu si u bë edhe gjetkë në Shqipëri ku shkolla greke u hapën jo vetëm në zonat ku kishte të themi popullsi minoritare si zona e Dropullit dhe Vurgut, por edhe në zonat ku kishte ortodoksë si në Korçë apo Kolonjë me qëllim për të bërë atë identifikim që e bënë turqit më përpara që bashkuan kombësinë me fenë, të cilës çuditërisht iu referua edhe Greqia e re e krijuar më 1821.


Ky kriter pra i identifikimit të popullsisë me fenë u ndoq nga shteti grek, i cili ka vazhduar të pretendojë se atje ku ka pasur shkolla greke, atje popullsia është qartazi greke. Dhe një gjë të tillë e kërkoi edhe në Konferencën e Paqes të vitit 1919 në Versajë. Por kjo gjë natyrisht nuk iu njoh nga fuqitë e mëdha duke filluar nga shtetet mike, siç qenë Franca dhe Anglia që nuk ia pranuan këtë lloj kriteri.


Aty u njoh minoriteti grek në Shqipëri në ato përmasa dhe ata kufij që realisht është. Qeveria shqiptare e atëhershme u detyrua të njohë minoritetin grek dhe malazez, këto dy minoritete janë njohur nga Lidhja e Kombeve në 1921, dhe të bëjë një raport mbi gjendjen e minoriteteve në Shqipëri. Qeveria shqiptare i ka bërë këto raporte të përvitshme dhe Himara nuk përfshihej asnjë vit si vend minoritar. Raporti kish të bënte me 83 fshatra të tjera që janë realisht minoritare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›