PD, Ndryshime në qeveri përpara zgjedhjeve

Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, nuk përjashton riformatimin e kabinetit Berisha në emër të përmirësimit të qeverisjes
Opsionet si mund të shkohet drejt Qeverisë së re, bashkimi i votave me PDU ose kandidimi i Bashës
TIRANË- Qeveria mund të ndryshojë përpara zgjedhjeve lokale. Me pretekstin e përmirësimit të qeverisjes, Berisha, mund të ndryshojë disa ministra për t'i dhënë mundësi Lulzim Bashës të kandidojë për bashkinë e kryeqytetit si dhe për të përfshirë partinë e Çamëve në koalicion me qëllim marrjen e votave shtesë. Lëvizja mund të prekë edhe koalicionin me LSI-në, e cila kohët e fundit ka votuar kundër disa nismave të propozuara nga PD. Ky fakt është pohuar dje nga deputeti i djathtë, Luçiano Boçi.
"Është Kryeministri ai që pretendon të vendosë, ose për të rritur maksimumin e punës së kabinetit mund të bëjë rotacione, lëvizje, në bazë të qëllimsisë së mirë që të përshtatet një person që bën punën më saktë dhe më mirë", -deklaroi deputeti i PD, Boçi.
Në këtë mënyrë Kryeministri Berisha mund të bëjë lëvizjen e radhës së tij për të siguruar 71 votat për të bërë të gjitha ndryshimet që mazhoranca do të kërkojë.
Partia Demokratike, së bashku me aleatët LSI- PR, ka 73 vota, pa përfshirë votat e dy deputetëve të Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Dy përfaqësuesit e kësaj partie, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, në rast të pjesëmarrjes në koalicionin qeverisës do të bënin që mazhoranca të ketë 75 vota. Në këtë mënyrë, kreu i mazhorancës do të kishte të sigurt miratimin e dekreteve apo ligjeve që Lëvizja Socialiste për Integrim i ka votuar kundër.
Në ambientet e mazhorancës, megjithëse përflitet për një riformatim të qeverisë, ende nuk ka asgjë zyrtare mbi këtë pikë. Por, vështirësia në të cilën ka futur mazhorancën strategjia e re e grupit Parlamentar Socialist, të cilët marrin pjesë në numërimin e deputetëve të pranishëm, por nuk votojnë, mund të sjellë lëvizjen e demokratëve për të forcuar koalicionin e tyre.
Deri më tani, në Kuvend, LSI është shprehur kundër PD-së mbi votimin e dekreteve e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë dhe ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Përderisa PDU ka marrë pjesë në votimet për ligje të ndryshme dhe nuk është shprehur tepër kritik ndaj demokratëve, përmes negociatave të krerëve të partive mund të arrihet edhe në një konsensus të përbashkët për bashkëpunim në qeveri. Zhvillimi i mundshëm i kësaj lëvizje do të thoshte edhe vota të sigurta për demokratët mbi ligjet apo dekretet që ato votojnë dhe LSI shprehet kundër.
Përpos përplasjes brenda koalicionit për çështje që lidhen mbi Presidentin, ky i fundit është shenjëstruar nga mazhoranca mbi ligjin e pronave që ktheu pak ditë më parë, të cilin e cilësoi si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Por, demokratët nuk e mendojnë në këtë mënyrë. Deputeti i PD, Luçiano Boçi, paralajmëroi votimin e të njëjtit ligj në sesionin e ardhshëm parlamentar. Ai e cilësoi rrëzimin e ligjit si shprehje e nervozizmit nga ane Presidentit.
"Mënyra se si e ka kthyer Presidenti, nuk është shumë e saktë, pasi ka shprehur një lloj nervozizmi kur thotë që ligji për pronat shkel preambulën dhe pastaj ka rreshtuar dhe nenet përkatëse. Përderisa kjo çështje ka kaluar në Komisionin e Ligjeve, është parë që nuk shkel Kushtetutën, është në përputhje me ligjshmërinë dhe përderisa ne e kemi votuar një herë pro, unë mendoj që ne sigurisht do ta kalojmë për pro", -deklaroi Boçi.
OPSIONI
Ndryshimet në Qeveri si pasojë e kandidimit të Bashës
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, prej kohësh ka shprehur në publik ambicien dhe gatishmërinë e tij për të qenë kandidat i mazhorancës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo gjë në qeverinë Berisha do të ishte një opsion për ndërmarrjen e një formatimi të Qeverisë përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Një lëvizje e tillë nuk do të ishte aq e panjohur për publikun shqiptar. Një ndryshim i tillë ka ndodhur edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2007, ku Sokol Olldashi, i cili mbante postin e ministrit të Brendshëm dhe të deputetit, dha dorëheqjen për të kandiduar në zgjedhjet e fundit lokale përballë kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Përplasjet PD-LSI
Përplasja për 29 Nëntorin, që lidhej me festimet për ditën e Çlirimit
Përplasja për ditën e përkujtimit të krimeve kundër Komunizmit
Përplasja për ndërhyrja e policisë në shtëpinë e deputetit Dashamir Peza
Përplasja për dekretet e Presidentit Topi mbi anëtarët e Gjykatës së Lartë
Përplasja mbi projektligjin e mazhorancës për ligjin e SHISH