Fier, 11 500 familje nuk paguajnë ujin e pijshëm
Borxhi ndaj ujësjellësit në rrethin e Fierit ka arritur në shifrën prej 305 000 000 lekësh të reja. Çdo ditë u pritet uji 50 abonentëve
FIER - Drejtoria e Ujësjellësit të Fierit i rikthehet penalizimeve për të gjithë debitorët. Drejtori i ujësjellësit të Fierit, Agim Plepi, shprehet se debia shkon në 305 milionë lekë të reja dhe janë plot 11 500 abonentë debitorë.
Janë kushtet e vëna nga investitorët e ndërmarrjes së ujësjellësit që drejtues të kësaj të fundit të detyrohen për të ndërmarrë aksionin e penalizimeve për ata abonentë që nuk janë treguar korrektë me pagesat e faturave të konsumit të ujit të pijshëm, që kanë siguruar nga rrjeti i ujësjellësit.
Gjatë muajve të fundit, një sërë investimesh kanë prekur ndërmarrjen e ujësjellësit të Fierit. Investitorë kanë qenë Banka Botërore, projektet gjermane, si dhe të tjerë investitorë të huaj.
Pikërisht investitorët e huaj që janë duke realizuar një projekt pilot për vendosjen e matësve me mikroçipa, matës që do të komandohen dhe kontrollohen edhe në distancë, kanë kërkuar që ndëmarrja e ujësjellësit të jetë më e rreptë me abonentët, të cilëve u jep ujë, por nuk u vjel të ardhurat. Kjo ka bërë që drejtuesit të organizohen në grupe dhe të rinisin ndërprerjen e linjave për të gjithë abonentët debitorë.
Aksioni në fjalë ka vetëm pak ditë që ka rinisur, duke pasuar kështu aksionet e shumta që janë zhvilluar gjatë muajve të fundit.
Mesatarisht rreth 50 debitorëve u ndërpritet uji brenda një dite. Premtohet që numri i ndërprerjeve do të rritet ditët në vijim.
Numri i debitorëve të ujësjellësit është tepër i lartë dhe sipas drejtorit Agim Plepi ai arrin në 11 500, ndërsa debia në vlerë monetare shkon në 305 milionë lekë të reja.
Situata e krijuar por edhe investimet që kërkohen, e detyrojnë ndëmarrjen që të shkojë në masa ekstreme ndaj debitorëve, duke çuar shumë prej këtyre të fundit deri dhe në kallëzim penal. "Ne kemi një numër të madh debitorësh.
Në bazë të një vendimi të miratuar tashmë është vendosur që debia e mbartur deri në vitin 2006 do të paguhet me vlerën 50 %, kurse për vitet më vonë do të paguhet çdo muaj nga 1 mijë lekë të reja, derisa të shlyhet shuma e mbetur. Ne kemi tre muaj që po kryejmë këtë aksion. Do të vazhdojmë të ndërpresim ujin për të gjithë abonentët që kanë shkelur kontratën", tha drejtori Agim Plepi.
Drejtori u shpreh se për të gjithë ata abonentë që u është shkëputur apo do t'u shkëputet uji, jo vetëm që do të shlyejnë shumat e debisë së mbartur, por në rast rilidhjeje të rrjetit të ujësjellësit, do të paguajnë një tarifë të dytë. Sipas drejtorit të ujësjellësit të Fierit, aksionet disamujore që po kryen kjo shoqëri aksionore, përpiqen që të reduktojnë borxhin e krijuar dhe në këtë mënyrë duke rritur të ardhurat e saj në shërbim të investimeve në vijim.