E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetohet postarja, 80-vjeçarit i vjedhin 17 muaj pensionin

18/08/2010 Dikush tjetër kishte firmosur në vend të tij, nëpunësja akuza për falsifikim dokumentesh

DURRES- Vjedhja e pensionit përmes mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës ka vënë në bankën e akuzës punonjësen e zyrës postare numër 1 në Durrës. Shtetasi Zenel S. 80 vjeç i lindur dhe banues në lagjen numër 12 të qytetit bregdetar ka denoncuar vjedhjen e pensionit nga persona të paautorizuar. Kallëzimi penal i tij është adresuar ndaj zyrës së postës, ndërsa këta të fundit e kanë individualizuar problemin.

Mashtrimi

Burime zyrtare policore bëjnë me dije se është vënë nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe të shpërdorimit të detyrës shtetasja F. H 50 vjeçe e lindur në Durrës dhe banuese në Shkozet. Kjo shtetase do të duhet të shpjegojë se cili ka qenë personi që ka tërhequr për plot 17 muaj pensionin e 80-vjeçarit. I moshuari ka thënë në deklarimin e tij në polici se i është marrë në mënyrë të kundërligjshme pensioni për periudhën shtator 2007 deri në shkurt të vitit 2009. Grupi hetimor ka shfletuar, sipas policisë, një për një të gjitha aktet shkresore dhe borderonë e nënshkrimit nga përfituesit e pensionit. Aty është vërejtur se 80-vjeçari për periudhën shtator 2007 deri në shkurt 2009 nuk kishte firmosur, kurse në emër të tij kishte nënshkruar një person tjetër. Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë bllokuar të gjitha materialet për të cilat pretendohet se nuk është zbatuar ligji, ndërsa përgjegjës të postës dhe as punonjësja e postës numër 1 F. H nuk ka mundur të afrojë ndonjë dokument për të bindur grupin e hetimit që pensioni është tërhequr kundrejt një autorizimi apo prokure. Policia nuk ka thënë se kur pensionisti 80-vjeçar e ka vënë re tërheqjen e lekëve nga të tjetër dhe as se kur ai ka bërë kallëzimin penal. Por këto burime bëjnë të qarta se 80-vjeçari nuk e ka marrë pensionin për 17 muaj, ndërsa rezulton se pensioni mujor i tij është tërhequr nga të tjerë të paautorizuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›