Endira Bushati: Po përgatitet reforma e plotë ligjore për rregullimin e tregut mediatik
Një reformë e plotë ligjore në fushën audiovizuale. Kjo është ajo çfarë i nevojitet por dhe që pritet të ndodhë në tregun mediatik në vendin tonë. Këtë e pohon vetë kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, dr.Endira Bushati. Në një intervistë ekskluzive për gazetën SOT, kryetarja e KKRT flet mbi situatën e tregut mediatik në vendin tonë,
duke vënë theksin në zgjidhjen e problemeve. Gjatë kësaj interviste ajo pohon se ka nevojë për rregullimin ligjor, në mënyrë që të evidentohen dhe të gjejnë hapësirë teknologjitë e reja, apo mënyrat e reja të transmetimit të programeve, sikundër janë shërbimet me kërkesë apo nëpërmjet internetit, të cilat nuk rregullohen nga legjislacioni ekzistues. Ndërkohë që dr.Endira Bushati që nga viti 2009 zgjidhet si kryetare e KKRT. Ajo vjen nga bota akademike, gëzon gradën shkencore Doktor i shkencave juridike dhe ka një eksperiencë 10 vjeçare si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, avokate dhe këshilltare ligjore në institucione qeveritare të vendit.
-Keni disa muaj që jeni në krye të KKRT-së. Si ju duket situata, si funksionon KKRT dhe cilat janë problemet në këtë institucion?
Qëllimi kryesor i veprimtarisë së një autoriteti rregullator në sektorin audioviziv është rregullimi dhe mbikëqyrja e veprimtarisë radiotelevizive në përputhje me kuadrin ligjor. KKRT-së i duhet të luajë një rol të vështirë, që brenda kuadrit ligjor dhe klimës ekonomike, sociale, politike, të rregullojë në mënyrë efikase veprimtarinë radiotelevizive, duke balancuar dhe liberalizuar tregun, duke garantuar konkurrencën, duke mbrojtur interesat e operatorëve dhe të publikut. Kuptohet që problemet e sfidat nuk janë të pakta. Një nga problemet që kërkon zgjidhje imediate është kryerja e një reforme të plotë ligjore në fushën audiovizuale. Gjithashtu, një nga sfidat e KKRT-së është dixhitalizimi apo kalimi nga transmetime analoge në ato numerike, që përbën, jo vetëm një objektiv ambicioz, por dhe angazhim ndërkombëtar detyrues për Shqipërinë.
-Meqenëse përmendët reformën ligjore, çfarë mund të na thoni për të?
Legjislacioni i medias audiovizuale ka nevojë për ndryshim, qoftë për harmonizimin e tij me acquis communitaire, një detyrim që lind nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, qoftë për tju përgjigjur realitetit teknologjik që lëviz me ritme të shpejta. Aktualisht, në strukturat e Kuvendit, është në proces hartimi një draft i ri i ligjit të medias audiovizuale, i cili është në fazën e konsultimit me organizmat ndërkombëtarë e aktorët e interesuar.
-Cilat mendoni se janë pikat që duhet të përmirësohen në ligjin aktual?
Sikundër thashë, bëhet fjalë për një ndryshim integral të ligjit aktual. Ka nevojë për rregullimin ligjor në mënyrë që të evidentohen dhe të gjejnë hapësirë teknologjitë e reja, apo mënyrat e reja të transmetimit të programeve, sikundër janë shërbimet me kërkesë apo nëpërmjet internetit, të cilat nuk rregullohen nga legjislacioni ekzistues. Nga ana tjetër, nga legjislacioni aktual nuk mundësohet kalimin efikas i transmetimeve nga analoge në numerike, ndërkohë që angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë kërkojnë mbylljen e transmetimeve analoge brenda vitit 2012. Dhe nga më kryesoret, amendimi i legjislacionit është i detyrueshëm për përputhjen me legjislacionin dhe praktikat më të mira evropiane.
-Mund të shpjegoni me pak fjalë për lexuesin se çfarë nënkupton kalimi nga transmetime analoge në numerike dhe si po ecet në këtë drejtim?
Mbyllja e transmetimit analog dhe kalimi tek ai numerik, nënkupton ndryshimin e mënyrës së dhënies dhe marrjes së transmetimit, d.m.th. që për sa u përket operatorëve radiotelevizivë kjo do të thotë ndryshimin e teknologjisë së transmetimit, frekuencave, pajisjeve, etj, ndërsa për ne tjerët, nga pozita e konsumatorit, me fjalë të thjeshta do të thotë pajisjen me aparate dekoduese, apo televizorë me dekoder të inkorporuar. Pas një periudhe tranzicioni disavjeçare, ku që të dy sistemet, si ai analog dhe ai numerik bashkekzistojnë, në fund të vitit 2012 parashikohet mbyllja përfundimisht e transmetimeve analoge, duke i lënë vend transmetimit numerik. Ky proces nënkupton parashikimin e zgjidhjeve ekonomike, sociale, ligjore dhe politike, pasi ai afekton shumë palë dhe aktorë të sektorit të medias, operatorët rtv, prodhuesit e pajisjeve, përdoruesit/konsumatorët, autoritetet rregullatore, por edhe pjesë të caktuara të administratës shtetërore. KKRT si institucioni që duhet të përcjellë dhe mbështesë këtë proces ka hartuar një projektstrategji, me qëllim që të zbatohet në kohë dhe në mënyrë sa më efektive kalimi në transmetim të plotë numerik. Ky projekt do te konsultohet sërisht me grupet e interesit dhe më pas do ti përcillet Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit, për ngritjen e strukturave ndërinstitucionale për diskutimin përfundimtar, miratimin dhe më pas vënien në zbatim të kësaj strategjie. Kjo pasi ky proces, nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin dhe përfshirjen e gjerë të strukturave shtetërore, legjislative dhe ekzekutive, operatorëve, organizatave joqeveritare të fushës së medias, si dhe vetë qytetarëve/konsumatorëve.
-Për sa kohë jeni drejtuese, çfarë mund të thoni për zbatimin e ligjit nga operatorët rtv?
Nga ana e KKRT bëhet një punë e vazhdueshme për rregullimin e tregut mediatik, pavarësisht se duhet të theksojmë se nga operatorët ka probleme që konsistojnë në mosrespektimin e ligjit, fatkeqësisht një karakteristikë bashkëshoqëruese e tranzicionit shqiptar. Ndonjëherë operatorët duke u fshehur nën petkun e lirisë së veprimtarisë radiotelevizive, tentojnë të anashkalojnë zbatimin e dispozitave të veçanta ligjore. Një pjesë e tyre akoma nuk janë ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e zbatimit të ligjit, si një aspekt që ju garanton edhe atyre vetë funksionimin, konkurrencën dhe zhvillimin ekonomik. Ndonëse prej pak kohësh në krye të këtij institucioni, kam konstatuar se problemet më të shumta i kemi në lidhje me respektimin e të drejtave të transmetimit të programeve radiotelevizive.
-Çmund të na thoni lidhur me problemin e piraterisë rtv dhe masat që keni marrë për këtë?
Në ligj flitet për të drejtë e transmetimit që nënkupton se operatorët rtv transmetojnë programe që i kanë prodhuar vetë, në bashkëprodhim me të tjerë, ose kanë kontratë shitje, shkëmbimi ose dhurimi, nga prodhuesit ose distributorët. Transmetimi pa dokumentacionin e të drejtës së transmetimit është i paligjshëm, përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë, deri në heqjen e licencës në rast ripërsëritje. Shpesh herë operatorët, e sidomos ata kabllorë e shkelin këtë detyrim. KKRT aktualisht po mban një qëndrim shumë rigoroz në rastet e mosrespektimit të ligjit. Unë e kam nisur punën me këtë angazhim dhe ky do të jetë një nga prioritet tona. Konkretisht, KKRT ka ndërmarrë një sërë sanksionesh (kryesisht me gjobë), për transmetimet pa të drejta dhe kryejmë rregullisht monitorime e inspektime në terren për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit.
-Për respektimin e të drejtës së transmetimit veprohet në bazë të ankesave? Keni shumë të tilla?
KKRT, sipas ligjit, vepron si në bazë të ankesave edhe me iniciativën e saj. Për sa i përket ankesave, në përgjithësi janë ankesa të operatorëve ndaj njëri-tjetrit, për shkak të konkurrencës. Një numër të konsiderueshëm ankesash ka sidomos kundrejt operatorëve kabllorë. Megjithatë kemi edhe ankesa nga agjenci apo organizata të ndryshme që përfaqësojnë të drejtat e autorëve apo janë mbajtës të të drejtave të transmetimit (distributorë). Sidoqoftë, fakti që operatorët i drejtojnë ankesat e tyre në institucionin tonë me patjetër është edhe tregues i besimit që ata kanë tek ne, përveç rrugëve të tjera ligjore. Na mbetet ne detyrë dhe sfidë ta justifikojmë dhe forco