Kohët e rrëfimit për kohën
Edhe përkundër zhvillimit të madh të shkencës e dijeve, kategoria e kohës ka mbetur njëri nga problemet më të pazgjidhshme të gnoseologjisë. Ajo lidhet me vetë qenien, me ekzistencën, prandaj zgjidhja e enigmave themelore të këtyre kategorive mund të supozojë edhe zbërthimin e enigmës së kohës në rrafshin shkencor e filozofik. Shkenca e fizikës tashmë e ka përcaktuar kohën, bashkë me hapësirën, si njëri nga dy faktorët e lëvizjes. Hapësira e përpjestueshme me kohën është lëvizje. Gjendja do të duhej të ishte pasojë e lëvizjes, lëvizje në mungesë, ose lëvizje e munguar, lëvizje e kryer paraprakisht, lëvizje që ka pushuar, që nuk vazhdon më. Ndërsa fizika i ka zgjidhur disa probleme, megjithëqë ende mbesin shumë dilema të hapura, filozofia dhe arti sillen në të tjera ambiente të logjikës. Kur bëhet fjalë për kohën, filozofia e arti nga shkenca kanë pranuar një gjë: se koha është formë e modelueshme dhe se perceptimi i saj është relativ. Por kjo nuk mjafton, sepse kalueshmëria e kohës në aspektin filozofik lidhet me vetë enigmën e ekzistencës së botës dhe njeriut, prandaj pa u zgjidhur kjo enigmë, nuk mund të thuhet se shpjegimet për kohën do të kënaqin kureshtjen tonë. Reduktimi i kohëve dhe i mënyrave të foljes në përdorim më të gjerë, qoftë në letërsi, qoftë në publicistikë, nuk ka për qëllim vetëm pragmatizmin e prakticitetin, siç mund të duket ndonjëherë, por shkon pak më larg dhe kap probleme që lidhen me gjuhën letrare e standardizimin e saj.
Mehmet KRAJA
1.
Edhe përkundër zhvillimit të madh të shkencës e dijeve, kategoria e kohës ka mbetur njëri nga problemet më të pazgjidhshme të gnoseologjisë. Ajo lidhet me vetë qenien, me ekzistencën, prandaj zgjidhja e enigmave themelore të këtyre kategorive mund të supozojë edhe zbërthimin e enigmës së kohës në rrafshin shkencor e filozofik. Shkenca e fizikës tashmë e ka përcaktuar kohën, bashkë me hapësirën, si njëri nga dy faktorët e lëvizjes. Hapësira e përpjestueshme me kohën është lëvizje. Gjendja do të duhej të ishte pasojë e lëvizjes, lëvizje në mungesë, ose lëvizje e munguar, lëvizje e kryer paraprakisht, lëvizje që ka pushuar, që nuk vazhdon më.
Ndërsa fizika i ka zgjidhur disa probleme, megjithëqë ende mbesin shumë dilema të hapura, filozofia dhe arti sillen në të tjera ambiente të logjikës. Kur bëhet fjalë për kohën, filozofia e arti nga shkenca kanë pranuar një gjë: se koha është formë e modelueshme dhe se perceptimi i saj është relativ. Por kjo nuk mjafton, sepse kalueshmëria e kohës në aspektin filozofik lidhet me vetë enigmën e ekzistencës së botës dhe njeriut, prandaj pa u zgjidhur kjo enigmë, nuk mund të thuhet se shpjegimet për kohën do të kënaqin kureshtjen tonë. Arti, përfshirë edhe letërsinë, në shumë raste ka synuar të bëhet krah i filozofisë në shpjegimin dhe interpretimin e enigmave të pazbërthyeshme, duke i pranuar disa syresh si pamundësi tragjike të njeriut për të sunduar të paarritshmen, ose duke kërkuar zgjidhje për këtë pamundësi. Arti, në esencë, nuk është tjetër, pos synim i njeriut për të zbërthyer e shpjeguar enigma, njëra prej të cilave është edhe klaueshmëria e kohës, bashkë me të edhe e jetës së njeriut. Arti, pra, është klithmë e njeriut për kufizimet e tij tragjike në raport me enigmat e pazbërthyeshme.
2.
Përveç këtij aspekti, ta quajmë filozofik, kategoria e kohës në letërsi ka edhe mjaft funksione e interpretime të tjera, dhe kjo ndodh për shkak se koha është njëra nga kategoritë themelore ekzistenciale. Një nga format e lidhjes së saj me letërsinë është rrëfimi. Në esencën e tij rrëfimi është lëvizje e shpjeguar ose e interpretuar dhe lëvizja, sikundër e thamë, nuk mund të konceptohet pa kategorinë e kohës. Nga ana tjetër, është po kaq e njohur se letërsia është gjuhë dhe se gjuha, duke kryer funksionin e saj primar, i ofron letërsisë mundësinë e shprehjes, respektivisht mundësinë e shpërfaqjes. Gjuha i ka ofruar letërsisë foljen, kuptimi i së cilës është ekuivalent me shprehjen e veprimit ose gjendjes, të vendosur në korrelacion me folësin.
Shumësia e trajtave të foljes tregon dy gjëra themelore: e para, se koha është relative, pra, se varet nga pozicioni real dhe këndvështrimi iluzor i individit, që domethënë se koha, përveç se është kategori reale, është edhe kategori subjektive, dhe e dyta, se ekziston shumësia e veprimeve, që domethënë se në të njëjtën kohë në natyrë ndodhin veprime të ndryshme, që kanë pozicion të ndryshëm ndaj subjektit, në të shumtën e rasteve kundërshtues me njëri-tjetrin. Në aspektin logjik e filozofik, kohë reale, kohë e mundshme, është vetëm koha e shkuar, pra e kryerja e foljes, kurse e tashmja dhe e ardhmja janë kohë iluzore. Ne nuk mund të përcaktojmë qartë se cila është koha e tashme, sepse ajo është çasti i papjesëtueshëm (realisht i pamatshëm) i kohës kur ndodh veprimi. Edhe në rastet kur veprimi është proces, kohë e tashme janë çastet e papjesëtueshme të vendosura njëri pas tjetrin në rrjedhën e procesit, kështu që logjikisht, sapo të kalojë çasti i papjesëtueshëm, ne ballafaqohemi me kohën e shkuar. Se e ardhmja është kohë iluzore, për këtë nuk ka nevojë për ndonjë argumentim të veçantë.
3.
Letërsia në tërësinë e saj është rrëfim, rrëfimi në brendinë e tij ka shprehjen e veprimit ose të gjendjes, veprimi ose gjendja është e kushtëzuar në kohë, prandaj deduktivisht, folja me kohët e saj sundon esencialisht me letërsinë. Subjekti dhe çfarësia e këtij veprimi ose gjendjeje lidhet me kategoritë e tjera gramatikore. Por edhe në këtë kuadër, mendoj, duhet bërë një diferencim: çfarësia e rrëfimit në letërsi gjithashtu varet nga çfarësia që shpreh folja. Nëse folja shpreh veprim, atëherë më shumë kemi të bëjmë me poezinë epike ku, sipas një ndarjeje të hershme, hyn edhe rrëfimi tregimtar ose romanor; nëse folja shpreh gjendje, atëherë më shumë kemi të bëjmë me poezinë lirike. Prandaj, thënë ndryshe, në natyrën e rrëfimit tregimtar e romanor është pasqyrimi i veprimit; në natyrën e rrëfimit poetik është pasqyrimi i gjendjes. Nga ana tjetër, pavarësisht nëse shpreh gjendje ose veprim, rrëfimi është i kushtëzuar në kohë dhe, tani, a mundet që përzgjedhja e kohëve të foljes në rrëfim të përcaktojë edhe mënyrën e rrëfimit? Mendoj se po. Nëse e mbështesim faktin se koha e tashme logjikisht është e pamundur, ndërsa koha e ardhme është iluzore, atëherë rrëfimi në kohën e shkuar, që përfshin shumicën e letërsisë së përbotshme, e ka kuptimin e vet. Sepse, sikundër thamë, vetëm koha e shkuar është kohë reale, e cila e ka të matshme të mundshmen dhe besueshmërinë. Pse duhet ta ketë të matshme të mundshmen e besueshmërinë? Sepse letërsia, sikundër edhe arti në tërësi, vazhdon të ketë synim mimezisin. Së këndejmi, është krejt logjike që rrëfimi në letërsi, në shumicën e rasteve, të ndërtohet përmes foljeve në kohët e kryera. Logjika e gjuhës, që nga latinishtja e deri te gjuha jonë, e ka dhënë të qartë këtë situatë: koha e kryer në latinisht quhet perfektum, që ka të njëjtën bazë me perfektus dhe që në përdorim të gjerë ndërkombëtar ka marrë kuptimin ‘e mbaruar’, ‘e përsosur’. Pra, bëhet fjalë për një veprim ose gjendje të mbaruar e të përsosur në përfundimin e saj, që nuk mund t’i bësh më asnjë korrigjim. Thënë me një fjalë, përdorimi i foljeve në kohët e kryera në rrëfim është i kushtëzuar me iluzionin e besueshmërisë, sepse rrëfimtari synon të krijojë idenë se ajo, që rrëfen ai, është një e ndodhur e përfunduar, që nuk mund të ndryshojë, pra e besueshme, ose e mundshme për t’u besuar. Zhvendosja e rrëfimit në kohën e tashme ose shumë më rrallë në të ardhmen, ka ndodhur kryesisht në letërsinë e shekullit XX, në kuadër të sprovave për eksperimentime. Por, sikundër mund të vërehet tani, rrëfimi letrar përsëri është kthyer në shtratin e tij, në të shkuarën, respektivisht në të kryerën e foljeve.
4.
Sikundër është e njohur, kohët e foljes përcaktojnë raportin e folësit me kohën e veprimit ose të zhvillimit të ndodhisë. Në shumicën e rasteve, te folësi ky raport përcaktohet në mënyrë instiktive, që domethënë se ai jo gjithmonë është i vetëdijshëm për këtë. Ndryshe qëndron puna me shkrimtarin, i cili, gjatë rrëfimit, duhet ta tejkalojë pengesën e të pavetëdijshmes dhe të “improvizojë” të besueshmen ose të mundshmen, duke pasur kujdes që në këtë proces të krijimit çdo fjalë e tij të jetë e matshme me parametrat adekuate. Nëse kemi të bëjmë me kohët e foljes, ai do të duhej ta dinte saktësisht se kur duhet ta përdorë të pakryerën, kur më së të kryerën, e kur të kryerën e tejshkuar, sepse kemi të bëjmë me një distancë kohore të rrëfyesit me ngjarjen që rrëfen të përcaktuar qartë, që ka rëndësi primare. Nëse rrëfyesi ‘shpërthen’ kornizën e kohës së rrëfimit, kjo duhet të vijë si imanencë e brendshme e raporteve kohore midis rrëfyesit dhe ngjarjes së rrëfyer, e jo siç ndodh zakonisht te ne, si pasojë e mosnjohjes ose të pavetëdijes për këto raporte. Në këto raporte, në rrëfimin letrar ka diçka më shumë se ç’janë raportet ndërmjet rrëfyesit e ngjarjes ose ndodhisë që rrëfen. Në stilet letrare mund të vërehen diferencime të qarta në këtë pikë.
Kështu, rrëfimi i realist, rrëfimi që synon besueshmëri, që nuk presupozon distancë të mjegullt kohore ndërmjet rrëfyesit dhe ndodhisë së rrëfyer, zakonisht përdor të kryerën e thjeshtë, ndonjëherë të kryerën, ose të pakryerën kur ndodhia është në proces, të gjitha këto më së shpeshti në mënyrën dëftore e në diatezën veprore. Mirëpo, sikundër e kemi vërejtur më lart, kategoria e kohës, në raport me rrëfyesin, është kategori subjektive, kështu që është krejt e natyrshme që në rrëfim e sipër ky raport të ndryshojë herë pas here, sikundër që është krejt e natyrshme që veprimi të ndryshojë kahet dhe intensitetin. Prandaj, jo shumësia e këtyre raporteve përcakton stilin e rrëfimit, por dominimi i njërit prej tyre. Së këndejmi, rrëfimi realist është rrëfim ‘agresiv’, që ka qartësi të madhe veprimi, kahe të përcaktuar dhe distancë sa më të vogël kohore të rrëfyesit me ngjarjen e rrëfyer. Edhe kur distanca kohore ndonjëherë bëhet më e madhe, ajo nuk duhet të lërë zbrazësi e hapësirë për supozime të mjegullta. Por, nëse distanca kohore bëhet e tillë që rrëfyesi dhe akceptuesi vendosen në raporte krejtësisht të pandryshuara me ngjarjen e rrëfyer dhe ku vërtetësia e supozuar është më e besueshme, atëherë kemi të bëjmë me rrëfimin historik dhe koha e kryer e foljeve do të duhej ta dominonte këtë rrëfim. Nga ana tjetër, rrëfimi epik, që në esencën e tij është rrëfim solemn, që tërheq rrënjët nga rrëfimet për bëmat e heronjve antikë ose kalorësiakë, është krejt e natyrshme të përdor një distancë më të madhe kohore, sepse në këtë rast supozohet se rrëfyesi thotë diçka që nuk mund të ndryshohet dhe se ndikimi i tij për të ndryshuar këtë rrjedhë është minimal ose i pamundur. Shikuar nga aspekti i kohëve të foljes, rrëfimi epik bëhet i tillë nëse përdor me dendësi më të madhe më së të kryerën, pa përjashtuar dy kohët fqinje të saj, të kryerën dhe të kryerën e tejshkuar. Përsëri e themi: dominimi i një trajte përcakton stilin e rrëfimit, jo përjashtimi i ndonjërës prej tyre. Dhe së fundi vjen rrëfimi mitik, i cili shkon në largësi më të madhe kohore e supozon idealitet, një ndodhi që, për nga persosmëria e mbarimit, është e barabartë me përrallën ose mitin. Në këtë rast e kryera e tejshkuar është kohë ideale për të shënjuar një ndodhi të tillë.
5.
Dy fenomene do vërejtur në shkrimtarinë tonë letrare e publicistike: e para, msopërshtatjen e kohëve të foljes, që nuk ka të bëjë me njohjen ose jo të gramatikës, por me logjikën e gjuhës, respektivisht me logjikën e kategorisë së kohës, apo të raporteve që krijohen ndërmjet folësit ose shkruesit dhe ngjarjes që rrëfehet e ndodhisë që kallëzohet; dhe, e dyta, reduktimi i madh i disa kohëve të foljes, që vjen si pasojë e kuptimit të gabuar të standardizimit si thjeshtësim i gjuhës. Fenomeni i parë, i mospërshtatjes, ose i përdorimit të gabuar të kohëve të foljes, më shumë është i përhapur në shkrimtarinë e Kosovës, që duket se është pasojë e periudhës së gjatë të ambientit bilingual dhe e kulturës së mangët gjuhësore. Fenomeni i dytë është shumë më kompleks. Reduktimi i kohëve dhe i mënyrave të foljes në përdorim më të gjerë, qoftë në letërsi, qoftë në publicistikë, nuk ka për qëllim vetëm pragmatizmin e prakticitetin, siç mund të duket ndonjëherë, por shkon pak më larg dhe kap probleme që lidhen me gjuhën letrare e standardizimin e saj. Ta zëmë, e kryera e tejshkuar përdoret shumë rrallë, për të mos thënë se ajo, pothuajse në tërësi, është zëvendësuar me të kryerën ose me më se të kryerën. Askush nuk thotë se standardi duhet ta përjashtojë këtë trajtë. Por standardi, si çdo standard tjetër, ka për qëllim prakticitetin, që domethënë reduktimin sa më të madh të trajtave të komplikuara gjuhësore, nga njëra anë, dhe krijimin e rrethanave të tilla gjuhësore që janë sa më të afërta me pragmatizmin bashkëkohor, nga ana tjetër. Pragmatizmit bashkëkohor pak i hyn në punë më se e kryera dhe e kryera e tejshkuar, sepse të gjitha këto praktikisht ‘i mbulon’ me të kryerën. Përveç kësaj, standardi i shqipes gjithnjë e më shumë afrohet me toskërishten dhe ajo në përdorim tradicional e ka më të rrallë të kryerën e tejshkuar, përfshirë këtu edhe letërsinë, në një kohë që letërsia gege e traditës, qoftë popullore, qoftë e shkruar, nuk mund të mendohet pa këtë trajtë. Letërsia gege është letërsi epike, respektivisht mitike dhe në këtë pikë ajo nuk qëndron në të njëjtat korniza me letërsinë e traditës së krijuar në dialektin toskë. Prandaj, bashkë me eliminimin e kësaj trajte, nuk eliminohet vetëm një tip dhe stil i shkrimit, por edhe një mënyrë e konceptimit të botës. Me mospërdorimin ose përdorimin e rrallë të kësaj trajte, botës mitike shqiptare gradualisht po i vjen fundi. Një fund i pritshëm, natyrisht.
27 Korrik 2009