E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori me lepur



Shoferi mallkoi për të kushedisatën herë natën e zezë e të trashë, rrugën e rrëpirët malore që, më shumë se rrugë, meritonte të quhej shteg dhish, dëborën e dendur që s’dinte të pushonte, makinën që në çdo të përpjetë dukej sikur jepte shpirt, njerëzit që ishin të ligj, egoistë e të pabesë, veten që ishte armiqësuar kësisoj me fatin dhe në fund, krejt në fund, s’e kuptoi pse frenoi mu para këmbëve të udhëtarit të vetmuar aty në cep të udhës, ku as që e kishte pasur në mendje një gjë të tillë.
... të them, i dashur trungu yahoo.@com, se e çmoj së tepërmi miqësinë tuaj, e cila edhe pse virtuale, më është ofruar në disa çaste tepër delikate e të rrezikshme për mua, kur veten po e ndieja më të braktisur e më të vetmuar se kurrë, për çka duhet fajësuar jo pak dhe ky dimër i pazakontë, i aftë për t’i çoroditur jo vetëm njerëzit, por edhe parapëlqimet tona rreth disa vlerave, për të cilat në tjera stinë, kishim pasur bindje të palëkundshme...

Udhëtari hyri në maiknë, tundi kokën disa herë në shenjë falënderimi, shkundi dëborën nga supet dhe pa u ulur mirë, rrëfeu se ishte nisur për të vrarë një njeri, i cili e meritonte plumbin për një mijë e një arsye dhe se ai, domethënë shoferi, nuk do të kishte kurrfarë pasoje pas kësaj, për faktin e thjeshtë se ai, domethënë udhëtari, nuk do t’i dëshmonte kujt që pat udhëtuar me të.
... gjithashtu, i nderuar zoti parimi@albanet.net, ndihem jo pak i befasuar e i përkëdhelur në sedër për faktin që ju, më i veçuar e më i suksesshëm se kurrë, denjoni të më ktheni përgjigje e aq më tepër më konsideroni si mik, porse (më kuptoni drejt, ju lutem!) propozimin tuaj (edhe pse parashtroni një mijë e një arsye dhe betoheni për ruajtjen e sekretit) e quaj të padenjë e të pandershëm...

Shoferi ndjeu të dridhura në të gjithë trupin, dhe para se të vendoste ta ndizte makinën, i kërkoi udhëtarit të panjohur ndonjërën prej “një mijë e një arsyeve”, që e kishin detyruar atë të merrte rrugën për të vrarë një njeri, pikërisht në një kohë të tillë, kur dhe vetë ujqërit lakmonin strofullat e tyre.
... më duhet ta pranoj (jo pa dhimbje), i dashur mik, se në arsyetimet tuaja ruhen jo pak gjurmët e një gjykimi të thekur provincial të tipit “armiku yt ëshë miku im”, për çka, më shumë se ty, unë fajësoj atë mjedis të qelbur ku ti gjallon përditë, duke mbetur peng konceptesh e parimesh të dala boje tashmë...

Udhëtari tha se nuk do të mjaftonte as kjo natë e gjatë dimri për t’i rrëfyer të gjitha poshtërsitë e ligësitë e atij njeriu dhe se ai, domethënë udhëtari, ishte vonuar tepër në përmbushjen e një detyre të paracaktuar prej shumë e shumë kohësh.
... për faktin se propozimi juaj (edhe pse i tërthortë), i nderuar zotëri, më duket tepër meskin e provincial (mund të ndihesh i tillë dhe mu në qendër të Metropolit), edhe pse unë (sidomos tashti në këtë dimër të lig) nuk pretendoj të jem shembull i së vërtetës e pagabueshmërisë, aq më tepër që simbole të tilla, në kohë të tilla...

Shoferi, megjithëse nuk i ndiente më të dridhurat nëpër trup, kundërshtoi duke thënë se njeriu, edhe pse mban mbi shpinë një thes me poshtërsi e ligësi, sidomos tash në kohë dimri, me gjithë këtë, pra, nuk e meriton të vritet; mjafton të shpërfillet, përbuzet e të urrehet a diçka tjetër të këtij lloji.
... siç është, për shembull, ai ves i pështirë për ta dashur dikë njëlloj apo më shumë (mos, o Zot!) se veten, për çka (sidomos në këtë stinë të thekur individualizmi) ju ndiheni jo rrallëherë i mjerë dhe qesharak para të tjerëve, qofshin ata dhe miqtë e tu më të mirë, edhe pse koncepte të tilla, si miku, familja apo dashuria...

Udhëtari kërkoi të zbriste nga makina, duke thënë se do të ecte më këmbë dhe se askush e asnjë forcë nuk do të ishin në gjendje ta kthenin nga rruga për ku ishte nisur, ndërsa ai, domethënë shoferi, do të pendohej një ditë e do të ndihej jo pak fajtor për vonesën që do t’i shkaktonte.
... sidoqoftë, nëse këmbëngulja juaj vazhdon të jetë kaq e madhe, unë jam i detyruar ta tradhtoj disi veten time dhe ta marr prapë në konsideratë propozimin që më bëni, duke mos dashur kurrsesi t’i humbas miqësinë dhe vëmendjen tuaj, për të cilat ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time të thellë...

Shoferi pati ndjesinë se aty brenda trurit të tij ishte më rrëmujë se përjashta dhe pa guxuar ta shohë në sy udhëtarin e panjohur, edhe pse dëshirën e kishte të madhe, tepër të madhe, ndezi makinën, duke ndjekur me shpërfillje të shtirur endjen e pakuptimtë të flokëve të dëborës.
... të cilët janë të gatshëm ta pranojnë propozimin tim dhe të të shesin ty fare lirë (të-të-të-të... si bori makine!), pa e çarë kokën aspak për broçkulla të tilla provinciale, si bes(mik)ria apo pengu në shpirt, me të cilat ti je i mbushur deri në fyt dhe për të cilat do të pendohesh një ditë...

Udhëtari, si të gjendej në dyshekun e tij të rehatshëm dhe jo në një rrangallë rrapëllitëse, u mbështet në shpinoren e makinës, dhe pa kaluar as pesë minuta, filloi të gërhasë rëndë-rëndë.
... edhe pse më mrekullon e më lë pa mend aftësia juaj e pakrahasueshme për të ndryshuar vazhdimisht, duke iu përshtatur qetësisht e pa shumë mund çdo situate, mjedisi e individi, çka e bën qenien tuaj vështirësisht të kapshme e lehtësisht të përballueshme...

Shoferi e vrau mendjen ta kuptonte se si mund të flinte një njeri që edhe pak e do të vriste një njeri tjetër, por ndjeu një dhembje të beftë koke dhe vendosi t’i përkushtohej rrugës e vetëm rrugës, ashtu siç dhe kishte bërë gjatë gjithë jetës.
... ajo ditë do të jetë e afërt dhe unë e ndiej se tek ti po zë fill (domethënë fillon) ai proces i rëndësishëm deprovincializmi, vështirësitë e të cilit janë vetëm në hapat e parë, sepse më pas gjithçka do të jetë e lehtë dhe e thjeshtë: njëlloj si të heqësh nga supet një thes me rrangalla, të cilat s’të hyjnë aspak në punë...

Udhëtari dukej në mirëkuptim të plotë me veten e gjithçka tjetër dhe, teksa fytyra i rrëfente paqe e butësi, një Zot e di se në cilën pjesë të trupit e kishte fshehur vrasësin.
... duke e vënë kësisoj në dyshim të plotë të vërtetën e lashtë sa bota, sipas së cilës “nuk mund të jesh në paqe me të tjerët, pa qenë më parë me veten”, çka provon edhe një herë se të vërtetat e dikurshme gjithnjë e më pak po i duhen kësaj bote...

Shoferi ilargoi sytë nga fytyra e udhëtarit, duke kujtuar vendimin që kishte marrë para pak çastesh dhe, kur para makinës pa një lepur të trullosur nga dritat, frenoi menjëherë.
... në fillim, vetëm në fillim ke për të ndier një si bosh a gërryerje brenda vetes, diçka si ndryshkje të ndjesive e kujtimeve të vjetra, thua se ora jote do të jetë ndalur në vend, prejse zembereku...

Udhëtari u zgjua i hutuar, por kur pa dritat e makinës të ndezura dhe lepurin që, ashtu i ngrirë dukej si një statujë e bardhë - zënë në një kurth drite, kuptoi gjithçka dhe fytyra iu vrenjt.
... edhe pse unë kam kujtuar e besuar se ti, në një çast të caktuar, do të zgjoheshe e do të dilje nga ai pellg iluzionesh dhe do ta rifitoje aftësinë për të parë thellë brenda vetes, aty ku jo gjithçka është e mundur të ndryshojë, prejse...

Shoferi u gëzua si fëmijë dhe tha se kishte kohë pa zënë një lepur me drita, se një të tillë kaq të madh nuk i kishin parë sytë ndonjëherë, se mjaftonte ta hapte derën e ta kapte nga veshët.
... me një tjetër ritëm do ta fillojë punën ora jote dhe ti ke për të qenë i hapur për njohje e përvoja të reja, pa e vrarë mendjen për “thelb të pandryshueshëm” e të tjera broçkulla kësisoj, ngase realitetet e reja...

Udhëtari, teksa ndiqte me bisht të syrit trekëndëshin prej drite aty përjashta, kundërshtoi duke thënë se ishte krim të vrisje një kafshë të tillë të bardhë, të pambrojtur e të pafajshme dhe se më e arsyeshme do të ishte që të fikeshin dritat e makinës dhe lepuri të lihej i lirë.
... vazhdoj ta ruaj bindjen se nuk mund të jesh mik i kohës tënde, pa qenë “armik” i thelbit tënd, çka më lejon ta quaj jo të denjë, bile kriminale, “vrasjen” e vetvetes, edhe pse ekzistenca (që i paraprin esencës!), domethënë mbijetesa, ta kërkon orë e çast një diçka të tillë - njëlloj si drita e fortë përballë pulitjen e mbylljen e syve...

Shoferi qeshi me ligësi dhe pasi përmendi faktin se ai, domethënë udhëtari, ishte nisur për të vrarë një njeri, hapi derën dhe doli jashtë, duke ndjekur me sy lepurin e zënë rob në kurthin prej drite.
... do të bëhesh “rob” i ndryshimeve të nëjpasnjëshme, të cilat as që do të të lënë kohë për analiza të gjata e të ngeshme të vetvetes, çka nënkupton të jesh “jashtë” thuajse gjithmonë dhe rrallë, fort rrallë, të futesh “brenda”...

Udhëtari pa përjashta dhe kafshëza e bardhë iu duk si një shtatore e mermertë -vendosur në një piedestal prej drite, mandej u zgjat përpara dhe fiku me të shpejtë dritat e makinës.
... duke i mbyllur a pulitur sytë mund të kujtosh se kësisoj ke fikur edhe llambën brenda teje, çka, besoj unë, është thjesht një iluzion, prejse ajo llambë tjerëkund e ka burimin e dritës, atë burim...

Shoferi ndjeu vrapin e lepurit para këmbëve, shau e mallkoi kë mundi, mandej hipi në makinë dhe e ndezi atë pa thënë asnjë fjalë.
... dhe të shkuarën tënde ta quash thjesht një lëkurë gjarpri, të cilën mund ta varësh i qetë në pemën më të parë.

Udhëtari u mbështet në shpinoren e makinës dhe, pa kaluar as pesë minuta, filloi të gërhasë.
... them se nuk mund ta shpërfillësh dhe të vazhdosh të frymosh i qetë, thua se s’ka ndodhur gjë.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›