I shmangem botës
Irma KURTI
I shmangem botës
E kam vështirë që ta braktis
Apartamentin ku rrimë bashkë
Herët, kur nisem në mëngjes
Kujtimin tënd me vete marr
Kthej kokën, mezi hedh hapat
Pas je ti, kam lënë gjithçka
Dua t’i shmangem kësaj bote
Që frikë, pasiguri më ngjall
Mes njerëzve, jetës reale
Jashtë ëndrrës që jetoj me ty
Unë e huaj ndihem fare
Disi ndryshe nga të gjithë
I shmangem botës.
Nesër jam e lirë
Nesër jam e lirë:
Do të shoh diellin pa u ngopur
Nën puthjet e rrezeve të tij,
E dehur nga kaltrësi e qiellit
Do pres të nesërmen pa re të zeza
Pa një hije si ty.
Do të marr frymë lirisht
S’do më lodhë më asnjeri
Me pyetje të pakuptimta, pafund
S’ka më pritje të gjata, trishtim
Do fle e qetë, pa mendime të errta
S’do më gënjejë askush
Nesër jam e lirë!
Qirinjtë janë fikur
Net të gjata nën dritën e qiririt
I paharrueshëm ai dimër i ftohtë!
Një gotë verë mes gishtërinjve
Dhe sytë që fshihnin një pikë lot
Ato net magjike, të dridhshme
Kur nën tingujt vallëzonim bashkë
Në krahët e tu tretesha, humbisja
Imagjinare më dukej gjithçka
Ndarja ishte gjithnjë e pranishme
Ajo përgjonte në gjysmerrësirë
Në shaka, në gëzime na kujtohej
I frikshëm si vdekja një kërcënim
Tashmë, të gjithë qirinjtë janë fikur
Nuk ka flakë që t’i ndezë më
Por zjarri brenda meje ende digjet
Dhe asnjëherë të qetë s’më le
Qirinjtë janë fikur...
U gënjyem nga një njeri
Jemi gënjyer nga një njeri
Kemi vuajtur të dyja njëlloj
Tymi i cigares tiparet e mia
Trishtueshëm i mbulon
Ti më vështron me vëmendje
Pyet: ǒpëlqeu ai tek unë?
Të dyja një dimër provuam
Ti puthjen e tij mban në buzë
Dua t’i largohem rrëfimit tënd
Pasionit që ke për atë njeri
Ai për mua nuk ka më emër
Ashtu siç nuk ke dhe ti
Nuk di pse më thirre sonte
Shoqe s’mund të jemi kurrë
Po të them një të fshehtë:
“Mos i beso, siç bëra unë!
Mos fal vitet më të bukura
Në gjurmët e mia mos ec
Një ditë do ta gjesh veten
Mpleksur në zhgënjime keq.”
Ëndrra boshe
Unë jetoj me ëndrra boshe
Iluzione të lodhura vërtet
Ashtu gdhihem mëngjeseve
Ashtu ngrysem nëpër net
Pres të më vijë një mesazh
Ndoshta s’do ta lexoj kurrë
Që jetën time do ndryshojë
Si me magji, fare papritur
Një njeri i panjohur, i largët
Si nga përrallat të mbërrijë
Të jetë imi, të më zgjojë
Të më ushqejë me dashuri
Jetoj me ëndrra boshe.
Ca ditë në muaj
Janë disa ditë në muaj
Kur i ngjaj detit me dallgë
Aq e ndjeshme, gati vuaj
Për një gjë të vogël qaj
E gjitha i ngjaj një përgjimi
Një fjalë më vret aq shpejt
Një shaka s’më duket e tillë
Sikur nuk jamë unë, vërtet!
Jam e egër, pranë grindjes
Mund t’më gjeni fare lehtë
Ca ditë: më mirë mos flisni
E kuptoni vetë...
Marrëzi
Sa dua të lagem, të bëhem qull
Nga një shi i rrëmbyer, i fortë!
Le të përmbyten të gjitha rrugët
E vend mos kem ku të kaloj
Në këtë vapë të nxehtë, tmerr
Lutem që shiu të bjerë me furi
Ëndërroj të më gjejë në rrugë
Dhe bashkë të jemi të dy
Të më puthësh në çdo pikë shiu
Mos ikim, të mbetemi aty
Në këtë vapë gjithçka mendoj
E di, është një marrëzi.
E huaj në vendin tim
Ka disa kohë që ndihem
E huaj në vendin tim
Shëtitjet e mbrëmjes, bisedat
Më duken fare pa kuptim
Rri e vështroj takat e larta
Tek shkelin rrugët me gropa
Nuk më pëlqen fare shtirja
Morali i remë sa më lodhka!
Njerëzit mbyllen në vetvete
Tremben nga ditët shumë!
Ka mjegull përreth meje
Premtime të mëdha, zhurmë
Jam e huaj në vendin tim...
Nuk më besohet...
Nuk më besohet që je kthyer
E të vështroj me sy të mëdhenj
Të prek çdo centimetër trupi
E ngrirë në heshtje e pa zë
ǒna duhen fjalët e premtimet
Ato brenda mbajnë gënjeshtrën!
Më duaj kështu, në paqe
Dhe do më kesh gjithë jetën
Sonte je këtu, me mua
Nuk ka kuptim fjala “nesër”
Pyes veten si e përhumbur:
“Je ti apo dikush tjetër?”
Nuk më besohet...
S’mundem
S’mundem kurrsesi ta mbaj
Gjithë dhembjen njerëzore
Është kaq e madhe, më duket
Se një ditë do të copëzohem
Më trishtojnë historitë tuaja
Diçka thyhet brenda meje
Dua të ndryshoj universin
Por e pafuqishme mbetem!
Askush s’më dëgjon mua
Sa herë mërzitem, lodhem
Brengat e shpirtit t’m’i lexojë
Pa fjalë të më fshijë lotët
S’mundem kurrsesi ta mbaj
Gjithë dhembjen njerëzore.
27 Korrik 2009