E Diel, 1 Nëntor 2026

Endokrinologia Luftime Bruka: Yndyrnat në gjak, rastet kur tregojnë diabet

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Kolesteroli i tepërt në formë të shtresave (pllakave) nuk është i rrezikshëm vetëm për sistemin kardiovaskular, por edhe për diabetin. Ai është një ndër shkaqet më të zakonshme që favorizojnë prekjen e një personi nga sëmundja e ëmbël, duke penguar çlirimin nga pankreasi të sasisë së nevojshme të hormonit të insulinës, që kontrollon sasinë e glukozës në gjak. Për më tepër, në këtë intervistë shpjegon mjekja endokrinologe e Poliklinikës Qendrore nr.3 në Tiranë, Luftime Bruka

-Dihet që mbipesha akuzohet si favorizuese e një numri të madh sëmundjesh, mes tyre edhe për diabetin. Doktoreshë, kur duhet të dyshojë një person se është me diabet? A mjafton mbipesha?
Një person mbipeshë nuk është gjithnjë i prekur nga diabeti, por ai është një i dyshuar. Nëse një person është mbi peshë dhe ka edhe disa shqetësime të tjera, atëherë ai duhet të shkojë ndër mend për një diabet, sidomos për diabetin Tip 2. Bile, tani diabeti ka nisur të na shfaqet edhe tek moshat e vogla. Këtu ndikon kequshqyerja, domethënë mbiushqyerja.
-Sa kile mbi peshën ideale apo mesatare një person konsiderohet obez, pra në rrezik për diabet?
Varet edhe nga organizmi. Nuk ka një peshë fikse. Ka njerëz që janë shumë mbipeshë dhe nuk kanë diabet, sikurse edhe të tjerë me peshë normale dhe që vuajnë nga diabeti. Obez quhet një person, që ka shumë kile mbi peshën normale, zakonisht mbi 15-20 kg, por edhe personat që nuk janë obezë, pra që janë mbipeshë rreth 10 kg, janë të rrezikuar në një farë mase nga diabeti. Obeziteti është një ndër faktorët e riskut në të gjitha moshat. Sidomos duhet të kenë kujdes ata njerëz që kanë genin. Sidomos ata që kanë gjyshër apo prindër me diabet. Prindërit në këto raste duhet të kenë shumë nën kujdes fëmijët e tyre me ekzaminime, me dieta, me aktivitet fizik.
-Njerëzit ballafaqohen me dy lloj informacioni për shenjat e sëmundjes së sheqerit: Njëri që thotë se personat mbipeshë janë në risk për diabet dhe tjetri që thotë, se mes shenjave të diabetit është edhe rënia nga pesha. Këtu krijohet njëfarë hutimi. Si sqarohet kjo situatë?
Një person obez ka risk për tu prekur nga diabeti, por nëse ai pi shumë ujë, ka urinim të shpeshtë dhe në një pjesë të rasteve ka edhe rënie nga pesha, këto janë shenja që dëshmojnë se tashmë personi është një diabetik dhe jo thjesht një person në risk për diabet. Këto janë shenjat klinike të sëmundjes së përgjithshme duke i shtuar edhe të tjera si dobësi e përgjithshme, lodhje e shpejtë, djersë të tepërta.
-Ngaqë quhet sëmundje e sheqerit, njerëzve u shkon mendja tek sasia e sheqerit që konsumojnë. A është një rrezik ushqimi i ëmbël, sidomos në rast se personi ka krijuar një lloj varësie ndaj tij?
Nuk ka të bëjë kjo gjë. Ngrënia e ëmbëlsirave nuk është ndonjë tregues apo paralajmëruese për diabet. Por në kuadrin e ushqyerjes, ushqimet kalorike kanë predispozita të krijojnë mbipeshë dhe rrjedhimisht mbipesha favorizon diabetin. Pra, shija e ushqimit mbetet tek preferencat e çdo personi, por ushqimi i ekuilibruar është parandalues për shumë sëmundje.
-A arrin të vihet saktësisht diagnoza e diabetit në poliklinikën tuaj? Pasi njerëzit dëgjojnë të thuhet se diagnoza nuk vihet me të parë, vetëm me një matje glicemie, sikurse bëhet rëndom kudo.
Patjetër. Ne i kemi të gjitha kushtet me ekzaminimet klinike, laboratorike, që përcaktojnë diagnozën. Analiza më e saktë, që është hemoglobina e glukozuar bëhet edhe në poliklinikën tonë (Nr 3). Por këtë ananlizë e bëjmë vetëm kur kemi shenjat klinike, por nuk na del diagnoza për herë të parë me ekzaminimin rutinë laboratorik.
-Kemi dëgjuar që mbajtja e një gote uji mbi tryezën e punës, rigjeneron qelizat. Pra, nga mjekësia inkurajohet konsumi i bollshëm i ujit. Por kur duhet të dyshojë një person, se etja e tij është mbi normalen, pra në cilën sasi konsumi ditor i ujit përbën një shenjë klinike për diabet?
Ne kemi edhe një diabet tjetër, që është në varësi të ujit. Personi pi 6-7 litra, na ka ndodhur të shohim edhe raste kur konsumon mbi 10 apo deri në 15 litra ujë në ditë. Ky është diabeti insipid. Dhe kjo sasi konsumohert nga këta persona në dimër dhe në verë. Por përveç ujit, ka edhe shenja të tjera, përshembull, ndryshim në shikim. Personi nis të ketë vështirësi në leximin e gazetës. Është i detyruar të përdorë syzet. Ka raste që diabeti zbulohet nga okulistët, pasi pacienti paraqitet fillimisht atje. Pastaj, një shenjë tipike është mpirja e këmbëve që tregon për neuropati diabetike. Këmbët pacienti i ka të ftohta. Por shenjat shihen në kompleks dhe është i nevojshëm diagnostikimi, pasi një shenjë mund të jetë e ngjashme për shumë sëmundje.
-Në mënyrë tipike në popull besohet se ai që është i shëndoshë, ka shumë dhjam dhe kush ka shumë dhjam, i ka yndyrnat në gjak të larta. Si shkon ky raport mes kileve, yndyrnave dhe diabetit?
Ka raste që njeriu është obez dhe yndyrnat i ka normale, ka edhe raste që është i dobët dhe yndyrnat i ka shumë të larta, sepse yndyrnat janë të ndara në fraksione. Gjithnjë diabeti shkon paralelisht me yndyrnat e larta.
-Doktoreshë, pse yndyrnat e larta favorizojnë diabetin?
Së pari, yndyrnat e larta dëmtojnë enët e gjakut. Diabeti është dalja e glukozës në gjak. Nëse nuk funksionon normal raporti fitbek, atëherë kemi shfaqjen e diabetit. Edhe një person që vuan nga tensioni është i prirur, prandaj duhet të ketë kujdes. Kemi dy situata mbipeshe: Mbipeshë nga rritja e numrit të qelizave dhe mbipeshë kur qelizat janë aq sa janë, por më të zmadhuara. Këto qeliza gjigande janë më të shprehura në diabetin tip 2.
-Doktoreshë, cili tip diabeti ka trashëgimi më të lartë?
Diabeti Tip 2, edhe pse ky varet shumë nga stili i jetesës. Por tek ky diabet trashëgimia është shumë e shprehur në brezin e dytë.
-Meqenëse jemi tek lidhja e diabetit me kolesterolin, në cilat shifra duhet të jenë yndyrnat në gjak, për të mos qenë në rrezik për diabet për shkak të tyre?
Kolesteroli duhet të jetë nën 250 mg/ml. 200 mg/ml ne e konsiderojmë krejt normal. Por deri në 250 ne nuk fillojmë mjekim. Duhet të themi, se mjekimi i mirë i diabetit ka stabilizuar edhe yndyrnat. Për këtë arsye, pacienti duhet të shmangë kategorikisht yndyrnat dhjamore, të heqë gjithnjë dhjamin nga mishi, para se ta gatuajë atë dhe të konsumojë më shumë prodhime bimore sesa ushqime proteinike. Të brendshmet e kafshëve gjithashtu duhet ti eliminojë. Duhet të kufizojë përdorimin e qumështit. Ndërsa vajrat bimorë nuk përmbajnë kolesterol të keq. Ideal është ushqimi mediteran me vaj ulliri, peshk dhe sa më shumë perime. Edhe sportet e qëndrueshmërisë, siç janë noti, vozitja e biçikletës dhe roletave, e ulin nivelin e kolesterolit.

Një listë me disa nga simptomat më të shpeshta të diabetit

Urinim i shpeshtë
Etje
Uri
Rritje në peshë
Humbje peshe e pazakontë
Lodhje
Irritim
Shikim i turbullt
Mishrat e dhëmbëve më të kuqe
Disfunksionim seksual tek meshkujt
Shpim gjilpëre ose mpirje të këmbëve dhe të duarve
Kruajtje në zonën gjenitale

Matja e kolesterolit
Kur situata paraqitet e rrezikshme?

Ekziston kolesteroli i keq LDL dhe kolesteroli i mirë HDL, i cili i mbron enët e gjakut. Ata së bashku e përbëjnë kolesterolin e tërësishëm. Nëse vlera e tyre kalon 200 mg/dl, duhet nënshtruar kontrollit të detajuar. Vendimi rreth asaj, nëse është i nevojshëm intervenimi i mjekut, varet edhe nga faktorët e tjerë të rrezikut, siç është shtypja e lartë e gjakut, pirja e duhanit, diabeti, pesha e tepërt dhe niveli i lartë i homocisteinës. Kur shtresa sipërfaqësore e pllakës dëmtohet nën ndikimin e nikotinës, homocisteinës dhe shtypjes së lartë të gjakut, në atë vend, gjithnjë e më shumë krijohen shtresa të dhjamit, i cili depërton deri te muret e enëve të gjakut dhe i dëmton ato. Me rastin e planifikimit të terapisë, duhet marrë parasysh rrezikun e përgjithshëm dhe në përputhje me këtë, të vërtetohen kufijtë e vlerave të kolesterolit. Nëse tek personi nuk janë të pranishëm faktorët e rrezikut, pra nëse nuk pi duhan dhe ka shtypje normale të gjakut, kolesteroli LDL nuk duhet të jetë më i madh se 160. Tek pacientët me njërin apo dy faktorët, vlera maksimale është rreth 130. Ata që kanë më shumë faktorë të rrezikut, të cilët tashmë kanë përjetuar një infarkt apo vuajnë nga angjine pektoris, vlera maksimale e lejuar, është 100.

Përveç ndryshimit të mënyrës së të ushqyerit dhe aktiviteteve fizike, shpesh janë të domosdoshme edhe ilaçet. Bëhet fjalë për statinat, të cilat e ulin nivelin e kolesterolit të keq LDL. Ekzistojnë dy burime të kolesterolit - një pjesë prodhohet në vetë trupin, në mëlçi, ndërsa një pjesë merret nga zorrët. Ky zbulim ka sjellë zhvillimin e mënyrës së re revolucionare të kurimit. Bëhet fjalë për pengim të dyfishtë. Në këtë rast, në njërin ilaç bashkohen dy principe të veprimit: statika pengon krijimin e kolesterolit në mëlçi, ndërsa substanca tjetër, e bllokon absorbimin e kolesterolit nga zorrët. Në këtë mënyrë, kolesteroli lëshohet në vlerë shumë më të ulët, ndërsa, nga ana tjetër, sulmi i dyfishtë në kolesterol mundëson përdorimin e dozave më të dobëta, gjq që zvogëlon rrezikun nga veprimet e padëshiruara.

ë
Ky lajm është publikuar: 15/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›