E Shtunë, 31 Tetor 2026

Endrra e Adës për vendin e parë shuhet për 7 minuta

Ada Gramshi 1-1,
Shënues:  Osja 62 (11-metërsh) / F. Çekrezi 83
Ada: Bishani, Isufi, Tota, Osja, Hotaj, Ferlushkaj, Murati (Gogaj 84), Dalipi (Lini 46), Lifja, Puka, Nika (Doçi 46). Trajner: S. Nikaj.
Gramshi: Lo.Koçi, Kaloshi, Doçi, Bodurri, Kote, Marishta  (Balla 62), A.Çekrezi (Duka 68), Myftaraj, Pengu, Le.Koçi (F.Çekrezi 75),  Lezi. Trajner: E. Mustafaraj.
Kartonë të verdhë: Nika, Doçi, Le. Koçi, Doçi, Lo. Koçi
Gjyqtarë: E. Dyrmishi, N. Bregasi, D. Myftari (Tiranë)

Ada e Velipojës ka humbur dje shansin më të mirë për të kryesuar, ndoshta për herë të parë në historinë e saj, kampionatin e kategorisë së parë. Gjithçka është prishur vetëm për 7 minuta lojë, teksa velipojakët nuk kanë mundur ta ruajnë avantazhin e krijuar pas golit të shënuar nga veterani Safet Osja me 11-metërsh. F. Çekrezi ka shfrytëzuar një hutim të mbrojtjes vendëse dhe ka barazuar shifrat, duke i dhënë fund kështu ëndrrës së velipojakëve për të qenë në krye të tabelës pas javës së 4-t. Pjesa e parë është shumë e dobët, sepse skuadrat luajnë kryesisht në mesfushë dhe në këto 45 minuta vetëm dy herë krijohen raste të rrezikshme në portat respektive, por pa gol. E dyta nis më mirë për Adën, që krijon më tepër volum loje, krijon edhe raste, madje godet dy herë edhe rrjetat e jashtme. Në minutën e 62-të Ada fiton një 11-metërsh, që kthehet në gol nga Osja. Veterani shkodran është i saktë, duke e dërguar topin në rrjetë, por velipojakët kujtojnë se këtu mbaron ndeshja. Miqtë nga Gramshi luajnë kryesisht me kundërsulme dhe, në një të tillë, F. Çekrezi ka përfituar edhe nga një hutim i mbrojtësit Tota për të larguar topin, duke shënuar golin e barazimit. Eshtë minuta e 83-të dhe nuk ka kohë për të shënuar sërish për lojtarët e Adës, të cilët shokohen nga goli i pësuar dhe në fund pajtohen me rezultatin e barabartë. Dy pikë që do t’i kushtojnë shumë ndoshta kësaj skuadre për të ardhmen. Para së gjithash, barazimi u ka hequr mundësinë të gëzojnë vendin e parë në renditje, pas javës së 4-t të kampionatit.

Trajnerët

Samuel Nikaj, trajneri i Adës: “Po habitem që skuadra ime nuk po arrin të çlirohet në ndeshjet që luajmë në fushën tonë. E dyta ndeshje dhe i dyti barazim, ndërkohë që jashë kemi fituar dy herë. Megjithatë, duhet të ndryshojmë diçka në mënyrën e të luajturit në Velipojë. E rëndësishme është që skuadra ka besim në vetvete dhe, nëse korrigjojmë edhe gabimet e vërejtura në këto ndeshje, mund të arrijmë të bëjmë gjëra të mira.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›