Kukësi mund me vështirësi Ilirinë, vendos Pashaj
Kukësi Iliria 1-0
Shënues: Pashaj 27
Kukësi: Koçi, Beluli, Syla (Xhetani 66), Lila, Thana, Rexhepi, Jevdjeviç, Mziu (E.Kola 90), Malo, Ivanaj (Spahiu 76), Pashaj. Trajner: Sh. Berberi.
Iliria: Baku, Shkëmbi, Ujka, Balliu, Gjokeja, Kurti (Doçi 46), Ziri, Bejko, Lama (Selaci 57), Tali, Mitraj (Gjonpalaj 73). Trajner: F. Sala.
Gjyqtarë: D. Jubica, M. Qeseri, N. Stërkaj (Shkodër)
Kartonë të verdhë: Gjokeja, Koçi
Kukësi ka fituar minimalisht me Ilirinë, pas një loje shumë të mirë në pjesën e parë, kur edhe u shënua goli i fitores nga Pashaj. Në pjesën e dytë vendësit kanë lëshuar shumë, duke u dhënë mundësi fushëkrujasve të shkojnë shpesh te porta e tyre, madje duke e rrezikuar dy herë atë. Kuksianët e nisin ndeshjen në sulm, në kërkim të golit. Ivanaj, që në minutën e parë, i vetëm me portierin Baku, nuk arrin të shënonjë. Edhe Mziu shpërdoron një rast të mirë, duke gjuajtur jashtë. Rast më i pastër për Kukësin është ai i minutës së 20-të, kur Malo godet shtyllën pingule të portës mike, pas një roveshiate brenda zonës, i pambuluar nga mbrojtja e Ilirisë. Goli për Kukësin vjen në të 27-ën, kur Pashaj shfrytëzon një kros nga goditja e këndit, duke shënuar me kokë në afërsi të zones. Miqtë nga Fushë-Kruja luajnë në mbrojtje në pjesën e parë, pa mundur ta rrezikojnë portën e Koçit. Në pjesën e dytë, kuksianët lëshojnë shumë në lojë dhe kjo bën që Iliria të rrezikojë disa herë. Në të 60-ën, Doçi, i vetëm me portierin Koçi, nuk arrin të shënojë, duke gjuajtur dobët. Janë përsëri miqtë nga Fushë-Kruja që rrezikojnë me anë të Bejkos në të 72-ën, kur ky i fundit shpërdoron një rast me kokë, duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Pas këtij rasti kundërpërgjigjen kuksianët. Malo gjuan nga distanca dhe topi kalon ngjitur me shtyllën, ndërkohë që Xhetani, në minutën e 80-të, i afrohet golit të dytë. Topi i gjuajtur prej tij nga një goditje dënimi grushtohet nga portieri Baku. Në 10 minutat e fundit vendësit kërkojnë ta thellojnë rezultatin, ndërsa miqtë përpiqen të barazojnë. Përfundimisht, fitore minimale e Kukësit, por shumë e rëndësishme në këtë moment.
Trajnerët
Shahin Berberi, trajneri i Kukësit: Në pjesën e parë luajtëm shkëlqyeshëm, megjithatë, semundja e vetme është mosshfrytëzimi i rasteve të krijuara. Kjo solli edhe nervozizëm te lojtarët, rrjedhimisht edhe vështirësi në lojë. Ende kemi punë për të bërë, sidomos në sulm.
Fatmir Sala, trajneri i Ilirisë: Nuk u prononcua.
Të veçantat e ndeshjes
Takimi Kukësi-Ilira është ndjekur edhe nga kryebashkiaku i Fushë-Krujës, Gjon Bardhi, bashkë me presidentin e Kukësit, Ramë Geci.
Trajneri i Ilirisë, Fatmir Sala, në përfundim të ndeshjes ka tentuar të konfrontohet me gjyqtarin e katërt, Pajtim Lapin, por nuk është lejuar nga policia.