E Diel, 1 Nëntor 2026

Endrra e pajetësuar e Dhjetorit…

"E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!". Me këtë moto sa ëndërrimtare, aq dhe ambicioze, një grup studentësh që tashmë njihen si "studentët e Dhjetorit 1990", u bënë iniciatorët e rënies së komunizmit, sistemit të izoluar të Partisë së Punës, duke bërë kthesën e madhe historike për Shqipërinë. Me "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore e të shtetit të së drejtës. Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera, duke e shndërruar Lëvizjen Studentore në revolucion kombëtar. Sot, pas 18 vitesh, jeta e Shqipërisë demokratike ka kaluar përmes një kalvari të gjatë sfidash, humbjesh e fitoresh (këto të fundit, të pakta në numër). Viti ‘97 është një gjurmë e hidhur që demokracia e brishtë krijoi falë papjekurisë së saj. Por nuk është vetëm ky vit që hijëzoi ëndrrën e studentëve të Dhjetorit. Lufta e paprinciptë politike, sherret dhe grushtet parlamentare kanë dëshmuar gjatë këtyre viteve se demokracia është ende një moto dhe jo një mënyre jetese për shqiptarët dhe Shqipërinë. Shqiptarët e 2008-ës ende vuajnë për zgjedhje të lira e të ndershme. Interesat politike kanë ndrydhur vullnetin e qytetarëve, që vazhdojnë të jetojnë në heshtje pa bërë shumë zë, si dikur në diktaturë. Në 18 vite ende nuk kemi mësuar të dalim në sheshe për interesat tona. Ato ende mbushen me thirrje militanteske. Në 18 vite sondazhe serioze të ndërkombëtarëve, kritikohemi për nivelin e lartë të korrupsionit në vend, për trafiqe dhe krim ende në lulëzim. Ftesa për anëtarësimin në NATO është e vetmja arritje për t‘u shënuar e këtyre viteve, e cila, edhe ajo erdhi si një nevojë gjeografike e Aleancës, më shumë sesa për meritat e ushtrisë shqiptare.

Ëndrra e studentëve të Dhjetorit nuk përmbushet e as nuk respektohet me një aktivitet festiv në pallatin "Asllan Rusi". Ajo duhet të ishte jetësuar kudo; në rrugë, në shtëpitë tona, në fshatin më të largët. Por duket se ajo është kudo ende, duke pritur. Këtë herë jo nga Evropa, por nga vetë ne. Shqiptarët ende janë ëndërrimtarë të Evropës "blu", por ata s‘marrin dot një vizë se politika e dalë boje, e vogël dhe meskine i ka lënë ata akoma të pabesueshëm, duke u vrarë dinjitetin jo me radhë të gjata, por me shikime dyshuese në aeroporte, edhe kur ia dalin të kenë një vizë pasaportë. Ne jemi ende të izoluar, tashmë jo më nga diktatura, por nga gabimet e bëra gjatë rrugës, me sa duket jo aq të lehtë të demokracisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›