E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni me pagesë, 25-35 mijë lekë për provim

Deri në fund të muajit, secili fakultet do të afishojë tarifat për çdo student që kërkon të japë provime në sezone shtesë

Ata që kërkojnë të japin provime shtesë në sezonet me pagesë duhet të marrin masat. E para duhet të kërkojnë nga këshillat studentorë që njëherë e mirë të bëjnë propozimet për sezonin e parë me pagesë e më pas të kërkojnë nga sekretaritë dhe strukturat e fakulteteve që të afishojnë në vend të dukshëm të gjithë informacionin e nevojshëm. Në letrën e njoftimit studentët duhet të njoftohen për datat e provimeve në sezonin e testimeve me pagesë, tarifën për secilin provim, si dhe afatet për kryerjen e pagesave. Konkretisht, sipas diskutimeve paraprake ndërmjet grupeve të interesit, studentë, këshilla studentorë, fakultete dhe rektorati i Universitetit të Tiranës, është rënë dakord që tarifa e provimeve në sezonin me pagesë ta ketë çmimin dysheme 25 mijë lekë të vjetra. Më pas, me anë të “shpenzimeve” dhe përllogaritjeve që bën secili fakultet mund ta rrisë këtë çmim në bazë të nevojave dhe kërkesave që ka institucioni.

Kështu deri në fund të muajit maj pritet të dalë një informacion i detajuar për sezonin e parë me pagesë, për çmimet dhe modalitetet e tjera të nevojshme.

Sezoni me pagesë

“Studenti ka të drejtë të japë provime në tri sezone të rregullta: sezonin e verës, vjeshtës dhe dimrit. Në raste të veçanta, me kërkesë të këshillit studentor mund të hapen edhe dy sezone (dhjetor dhe prill), për të cilat ata u nënshtrohen tarifave për shërbimin e ofruar”, thuhet në rregulloren e miratuar të UT. Duke qenë se nga miratimi i rregullores e deri tani jeta akademike e studentëve ka qenë e mbushur me evente, si zgjedhjet në fakultete apo diskutimi për projektligjin e arsimit të lartë, çështjet e sezonit me pagesë kanë mbetën pezull. Nisur nga kërkesat e studentëve, sidomos ata të viteve të fundit për të dhënë provimet dhe për të mbyllur vitin akademik me sukses, të gjithë “aktorët” deri në fund të muajit maj, do të vendosin mbi ecurinë e kësaj të drejte që kanë studentët, miratuar pak kohë më parë në rregulloren e Universitetit të Tiranës.

Sipas rregullave të vendosura nëpërmjet këtij dokumenti ligjor, sasia mesatare e krediteve të grumbulluara gjatë një viti nga një student me kohë të plotë është 60 kredite. Një krediti të studimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore pune të studentit. Viti akademik organizohet në dy semestra. çdo semestër ka 15 javë. çdo javë ka 20-25 orë mësimi leksione, seminare e laboratorë. Për çdo program studimi të ciklit të parë nuk mund të parashikohen në total më shumë se 22 provime apo forma të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve, të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese, duke realizuar provime të integruara për më shumë se një disiplinë apo module të koordinuara.

Riprovimi

Studenti ka të drejtën e rishikimit të notës në çdo vit akademik, për deri në tri lëndë nga detyrimet e atij viti.

Për rishikim note, studenti provohet vetëm njëherë dhe vetëm në sezonin e riprovimeve, duke mbetur në fuqi nota me të cilën ai vlerësohet në fund. Rregullorja thotë se kërkesa për rishikim note i paraqitet dekanatit/drejtorisë para sezonit të riprovimeve. Studenti i vitit të fundit ka të drejtë të rishikojë deri në 4 lëndë, përfshi këtu edhe lëndë nga vitet paraardhëse.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›