E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energi Kotbusi kërkon Valdet Ramën

Me 35 gola të realizuar, Energi Kotbus rezulton me sulmin më të mirë në Bundesligën 2. Por ish-skuadra e Ervin Skelës ka akoma uri: kërkon të sjellë edhe një sulmues tjetër.

Valdet Rama, kosovari 23-vjeçar i Hanoverit është një nga kandidatët.

Trajneri Klaus-Dieter Volitc: “Unë dëshiroj që gjatë pauzës dimërore të sjell edhe një sulmues tjetër të fuqishëm. Ai duhet të jetë i shpejtë, i ri dhe t’u përshtatet shumë roleve”.

“Xholi” i Hanover 96-s, skuadrës së kapitenit të Kombëtares shqitpare, Altin Lala, është i këtij profili.

Shqiptari me pasaportë gjermane është i zhdërvjellët me të dyja këmbët dhe mund të pozicionohet në repartin ofensiv si mbështetës i sulmuesve, si nga e djathta ashtu dhe nga e majta.

Në fakt, mund të duket si çmenduri! Energi ka Nils Petersenin (10 gola në këtë sezon) dhe Emil Jujës (6), duke formuar dyshen më të fortë në sulm gjatë këtij sezoni.

Por, trajneri Volitc kërkon akoma edhe një lojtar ofensiv.

Volitc sqaron: “Ne kemi nevojë për dikë, që të mbështesë Shaon, por dhe ta zëvendësojë atë kur ai ai fizikisht do të jetë dobët. Me këtë ekip mund dhe duhet të luajmë vetëm përpara. Cilësitë tona shtrihen në repartin ofensiv”.

Karriera futbollistike e Valdet Ramës të lindur në Mitrovicë, më 20 nëntor të vitit 1987, nisi te Volfsburgu në vitin 2005, që në atë kohë drejtohej nga trajneri i mirënjohur gjerman, Feliks Magat.

Gjithsesi, Rama luajti më së shumti me ekipin amator të Volfsburgut, përpara se të transferohej te Ingolstadt 04 në verën e vitit 2008.

Në sezonin 2009-2010, Rama kaloi në parametra zero drejt Hanoverit, duke nënshkruar një kontratë 3-vjeçare.

Deri tani me fanellën e kuqe ai ka luajtur 15 ndeshje.

Valdet Rama është futbollist i Kombëtares së Kosovës.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 21 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›