Nëntë klube kërkojnë shkarkimin e Kokëdhimës

Nëntë klube nga 12 që militojnë në Kategorinë Superiore kërkojnë shkarkimin e kryetarit të Komisionit të Ligës Profesioniste, Koço Kokëdhimës.
Pas takimit konsultativ me tre përfaqësues të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, deklaroi se nëntë klube: Vllaznia, Besa, Laçi, Skënderbeu, Dinamo, Shkumbini, Elbasani, Bylis dhe Kastrioti kanë nënshkruar një deklaratë për heqjen e Kokëdhimës nga posti që iu besua përpara fillimit të këtij sezoni.
Kjo deklaratë do t’i kalojë Komitetit Ekzekutiv për ta shqyrtuar në mbledhjen e radhës.
Tirana nuk firmosi për shkarkimin e Koço Kokëdhimës, ndërsa në takimin në hotel “Rogner” mungonin përfaqësuesit e Teutës dhe Flamurtarit.
Tashmë, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare te Futbollit ka marrë zyrtarisht në dorë kërkesën e nëntë anëtarëve të Komisionit të Superliges për shkarkimin e presidentit të tij Koco Kokedhima.
Pas shumë debatesh dhe mbledhjeve të dështuara, presidentet e nëntë skuadrave të kampionatit elitar të futbollit kanë siguruar firmat e nevojshme për të vene në lëvizje ekzekutivin e FSHF-se që është organi i vetëm që mund të shkarkojë presidentin e Komisionit të Superligës.
“Në kuadrin e kërkesës sonë si 7 klube për shkarkimin e kryetarit të komisionit Koço Kokëdhima, u bashkuan dhe dy të tjerë. Ishte propozimi i parë i cili u mirëkuptua nga të gjithë dhe u firmos në prezencë të dy zëvendës presidentëve dhe anëtarit të komitetit” - tha Valter Fushaj, president i Vllaznisë.
Pas zyrtarizimit të kësaj kërkese tani “topi” ndodhet në zonën e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-se, që sipas zëvendëspresidentit të saj, Bujar Kasmi, do të mblidhet shumë shpejt për të marrë një vendim.
Në fakt, Koço Kokëdhima u zgjodh me miratimin e të gjitha klubeve të Superligës, dhe në marsin e këtij viti bënte pjesë edhe Apolonia, tashmë e rënë në Kategorinë e Parë.
Sipas rregullores së miratuar nga vetë klubet, kryetari mund të shkarkohej vetëm në rast se për të votonin 2/3 e anëtarëve, pra minimalisht 9 klube, çka ishte dhe shumica e cilësuar e “parlamentit” të Komisionit.
“Nga dita e nesërme do të zbardhen vendimet e kësaj mbledhjeje duke u bazuar edhe në një kërkesë me shkrim që është depozituar nga ana e presidentit të klubeve, nënpresidentëve të klubeve, dokument i cili në kohën më të shpejtë do t’i paraqitet presidentit i cili me statut ka të drejtë dhe kompetencë për mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv dhe në një mbledhje tepër urgjente do të rishikohet kërkesa e tyre”, - tha Bujar Kasmi, zëvendëspresident i FSHF-së.
Komisioni i Superliges u krijua ne muajin maj, ndërkohë objektiv kryesor ka vendosjen e bazave për organizmin e Ligës Profesioniste në futbollin shqiptar.
Në mbledhjen e fundit të organizuar nga Komisioni i Ligës Profesioniste, në të cilën ishte i pranishëm edhe kreu i FSHF-së, Armando Duka, pati shumë debate që kaluan edhe etikën formale, ndërsa u përdorën edhe fyerjet e deri te përdorimi i shisheve të ujit.
Të famshme mbeten publikimi i mesazheve të dërguara nga përfaqësues të tre klubeve nga ana e dizenjatorit të gjyqtarëve, Arsen Hoxha.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 21 Dhjetor 2010