E Diel, 1 Nëntor 2026

Energji nga gazi biologjik që nxirret prej plehrave

Benzina dhe nafta po arrijnë çmime rekord. Kurrë nuk kanë qenë më të shtrenjta. Shumë mendojnë t'i ngasin tani makinat me gaz natyror. Por edhe kjo është lëndë djegëse fosile, rezervat e të cilave janë të kufizuara. Kështu gazi biologjik mund të ishte një alternativë, sidomos kur prodhohet nga mbeturinat e ushqimeve.

Në Gjermani biogazi nga mbeturinat e ushqimit dhe mbeturinat organike po shfrytëzohet gjithnjë e më shumë për ngrohje dhe prodhimin e energjisë elektrike. Një projekt në institutin Fraunhofer Institut për bioteknikën IGB në Shtutgard, ka treguar se energjia nga mbeturinat ushqimore mund të vërë në lëvizje edhe makinat. Në fillim të vitit vunë në punë një impiant të parë pilot, ku fermentohen mbeturinat e frutave dhe perimeve nga pazari i madh Shtutgardit, por edhe nga mensat dhe kantinat. Në një proces me dy faza mikroorganismat e ndryshme prodhojnë brenda me pak se dy ditësh metan. Ky biogas futet në shishe me presion të lartë dhe mund të shërbejë si karburant.

"Mbeturinat përmbajnë shumë ujë dhe pak pjesë të ngurtësuara, prandaj janë ideale për fermetim", thotë studjuesja Ursula Schließmann.

Krahas biogazit filtrati i lëngshëm si dhe mbetjet, që nuk mund të fermentohen përdoren në projekte të tjera. Uji filtrat, që përmban azot dhe fosfor, shërben si lëndë ushqyese për një kulturë algash, që mund të prodhojë vaj që zëvendëson naftën në motorët diesel. Llumi i fermentimit kthehet në metan në një proces tjetër. Në këtë mënyrë shfrytëzohet të gjitha mbetjet organike.

Meqenëse impianti punon me mbeturina, nuk krijohet konkurrencë me prodhimin e ushqimeve si në prodhimin e etanolit nga misri, apo bimë të tjera. Sepse kjo është kritikuar ashpër, ndër të tjera edhe sepse për këtë arsye prodhimit të lëndëve ushqimore i është hequr tokë bujqësore.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›