Idrizi: E turpshme që Greqia tenton të shantazhojë procesin e integrimit të Shqipërisë

PDIU reagoi ndaj deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Dhelavekuras, duke thënë se perveçse është një tentativë për ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Shqipërisë, kjo deklaratë përmban edhe një kërcënim ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Nje sjellje e tillë e shantazhimit të Shqipërisë, me procesin e integrimit, vetëm e vetëm për të përmbushur oreksin e pangopur nacionalist të qarqeve të caktuara në Greqi, nuk ka asnjë gjë të përbashkët me politikën zyrtare të Bashkimit Evropian dhe me vlerat e larta që Brukseli do të përhapë në Ballkan”, tha Shpëtim Idrizi, nga PDIU.
Sipas tij, Ministri i jashtëm grek, ka reaguar në mënyrë jo korrekte në shumë raste, siç ishte rasti i fundit per një të dënuar ordiner për dëmtim varresh.
Ishte pikërisht reagimi i PDIU-së, ndaj dhunimit të varreve të Boboshticës, ndaj rolit negativ jashtëdiplomatik të konsullit grek të Korçës, denoncimi i censusit dhe amendamentet e saj qe u bene garant i mosabuzimit, që me siguri nuk i ka pëlqyer Greqisë, dhe që zëdhënësi grek i etiketon si qëndrime shqetësuese të PDIU.
Ne e sqarojme zotin Dhelavekuras se qëndrimet e PDIU nuk bihen kurrsesi ndesh me frymën integruese të Shqipërisë, përkundrazi, në programin e partisë sonë integrimi në Bashkimin Evropian dhe, thellimi i marrëdhënieve me vendet e Aleancës së Atlantikut, janë prioritete thelbësore, tha Idrizi.
Megjithatë, ne jemi të bindur se: kërkesat legjitime të komunitetit çam, janë të frymëzuara drejtpërsëdrejti nga parimet evropiane më të çmuara, sikurse është, e drejta e pronës, e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe riatdhesimit të Shqiptarëve të Çamërisë në trojet e tyre.
Nuk duhet harruar një fakt historik që në vitin e mbrapshtë 1913, që Çamëria u aneksua nga Greqia, ashtu sikurse Kosova u aneksua nga Serbia.
Greqia nuk duhet të bjerë pre e rudimenteve shoviniste greke, te cilat ende nuk kane kurajo që të pranojnë të vërtetën dhe të tregojnë pendesë për krimet e kryera kundër pakicës shqiptare prej Napoleon Zervës me shokë.
Ne duam të theksojmë se PDIU, pikerisht sepse ka ne thelb të saj çeshtjen çame, është më e ndjeshme dhe e kujdesshme se kushdo tjetër në Shqipëri, për sa i përket, të drejtave të minoriteteve të cilat Shqiptarëve të Çamërisë u kanë munguar gjithmonë.
Përfshirja në koalicionin qeverisës, nuk do të bëj gjë tjetër perveçse do siguroj një zë edhe më të fortë mbështetës, për standardet më të larta të të drejtave të pakicave në Shqipëri por edhe në mbarë rajonin.
Zëdhënësi si zakonisht, flet për respektimin e të drejtave të minoritetit si detyrim të qeverisë shqiptare, një kartë, që qeveria greke e përdor rregullisht si kartë presioni. Është një detyrim për të cilin qeveria shqiptare punon me tepri, pa kushtëzime. Edhe PDIU-ja ka qenë vazhdimisht në mbrojtje të minoritetit grek.Por reciprociteti, është thelbësor në marrëdhëniet mes shteteve.
Greqia duhet të respektojë gjithashtu minoritetin shqiptar, ku përfshihen, çamët ortodoksë, çamët apo shqiptarët arvanitas, si dhe te emigraneve shqiptare. Shteti grek duhet të respektojë kontributin e shqiptarëve në përgjithësi në historinë e vet të hershme dhe të sotme.
Greqia duhet të tregojë më shumë respekt ndaj institucioneve shqiptare siç është Gjykata Kushtetuese, dhe në këtë drejtim, po dëgjojmë njoftime kontradiktore në lidhje me Marrëveshjen e Detit.
Ajo Marrëveshje nuk mund të ridefinohet thjesht në terma, por ajo duhet të shqyrtohet tërësisht, në përputhje me parimet e përcaktuara në vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese. Perfitojme nga rasti i kesaj deklarate per t’i bere thirrje shtetit grek qe te mesoje, nga vende te tjera evropiane me te perparuara sikurse eshte Italia, e cila sapo ka adoptuar, Karten Evropiane te Gjuheve Rajonale dhe Minoritare, duke mundesuar, mesimin e Gjuhes shqipe, por edhe gjuheve te tjera, minoritare apo rajonale si sarde, friuliane apo ladine.
Do të ishte në nderin e shtetit grek, që të distancohet nga sjelljet e kaluara shoviniste dhe të sillet si një shembull i standardeve më të përparuara evropiane, duke mundësuar mësimin e gjuhës shqipe, për minoritetin shqiptar ortodoks të ngelur pa dëbuar në Çamëri, si dhe, për arvanitasit e shumtë, ndaj të cilëve shteti grek është borxhli pafundësisht.
PDIU-ja do i kundërvihet kujtdo që i jep vetes role paternaliste në rajon. Rruga e Shqipërisë për në BE, nuk kalon nga Athina, por nga përqafimi i vlerave evropiane, në të cilat shantazhi ndështetëror dhe ndërhyrja në punët e brendshme të një vendi, janë të papranueshme.