MPJ dënon sulmin ndaj 15 fëmijëve shqiptarë në Shkup: “Të vihen para ligjit dhe të ndëshkohen fajtorët”

Përmirësohet gjendja shëndetësore e nxënësve të dhunuar
Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë dhunën e ushtruar mbi nxënësit shqiptarë në Shkup, tek ktheheshin nga festimet e ditës së mësuesit.
MPJ beson në hetimin e plotë të kësaj ngjarje nga autoritetet e zbatimit të ligjit, vënien përpara drejtësise dhe ndëshkimin e fajtorëve.
Ngjarje të tilla, të cilat cënojnë harmoninë dhe bashkëjetesën në Maqedoni, duhet të tejkalohen me qetësi dhe maturi nga shqiptarët dhe nga gjithë etnitë e tjera atje.
Përmirësohet gjendja shëndetësore e nxënësve të dhunuar
Incidentet nëpër autobusët e qytetit në Shkup kanë vazhduar edhe mbrëmjen e kaluar. Janë shënuar disa raste në të cilat kryesisht të rinj shqiptarë kanë sulmuar maqedonasit, në shenjë hakmarrje për rrahjen e një dite më parë të 15 nxënësve shqiptarë. Rasti më i rëndë ka ndodhur në lagjen Gjorçe Petrov, ku janë sulmuar dy vëllezër maqedonas të cilët nga lëndimet e marra janë shtruar në spital. Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që në të gjitha stacionet e autobusëve në Shkup të jenë prezente patrulla policore. Paralelisht me incidentet kanë vazhduar edhe apelet për qetësim të situatës, si nga faktorët vendor ashtu edhe nga faktorët ndërkombëtarë. Reagime ka pasur nga misioni i OSBE-së dhe i Bashkimit Evropian.
Situata e krijuar është diskutuar edhe në mbledhjen e Komitetit për Marrëdhënie ndëretnike, ku ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska ka thënë se pas incidenteve mund të qëndrojnë struktura të caktuara të cilat dëshirojnë të krijojnë tensione ndëretnike.
“Brengosja për incidentet ka arsyetim sepse ato nuk i kontribuojnë ndërtimit të tolerancës dhe bashkëjetesës në vend. Kemi persona për të cilët dyshojmë se janë pjesëmarrës në rrahje dhe janë shkaktarë të dhunës. Ne besojmë se pasi të përfundojë procedura ligjore në funksion të njohjes së tyre nga ana e të dëmtuarve Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë mundësi të depozitojë kallëzim penal ndaj tyre”, deklaroi ajo.
Mirëpo deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare janë shprehur të pakënaqur nga informacioni i prezantuar nga Jankullovska. Ata kanë braktisur mbledhjen duke akuzuar për joseriozitet kryetaren e Komitetit, Ermira Mehmeti Devaja. Ajo është kundërpërgjigjur duke akuzuar në mënyrë indirekte PDSH-në se i shkon për shtat tensioni i krijuar.
Ndërkohë spitalin e kanë lëshuar edhe tre nxënësit e fundit nga fshati Çiflik, të cilët kishin marrë lëndime të rënda gjatë sulmit të mërkurën në mbrëmje. Policia ka marrë në pyetje mi 15 persona lidhur me incidentet e ndodhura, por asnjërit nuk i është shqiptuar masa e arrestit. Ndaj incidenteve kanë reaguar edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare duke kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare, por edhe duke paralajmëruar vetëmbrojtje nëse nuk ndërpriten incidentet.