Energji paqësore bërthamore për të gjithë

Gjatë fjalimit me rastin e hapjes së Qendrës për Përshpejtimin e Protoneve, në Institutin për Energji Bërthamore të Turqisë, kryeministri Erdogan përgëzoi të gjithë ata që u angazhuan që kjo qendër të fillojë me punë.
"I gjithë procesi që ka lidhje me hapjen e qendrës ka filluar para 20 viteve”, përkujtoi ai.
Derisa po fliste për qendrën, ndërtimi i së cilës kushtoi afro 23 milionë euro, Erdogan theksoi edhe atë se “Turqia tashmë posedon një qendër të ngjashme me vetëm edhe 20 të tjera në botë”. Ai përkujtoi se në Armeni, respektivisht fare afër kufirit me Turqinë, ekziston një central bërthamor.
"Centrali bërthamor në Armeni punon tash e 32 vjet, edhe pse është shumë i rrezikshëm për ambientin. Për këtë çështje ne po debatojmë nëpër të gjitha takimet ndërkombëtare. Po e përsërisim se siguria është shumë me rëndësi. Disa shtete që posedojnë centrale bërthamore ia japin vetes të drejtën që të kritikojnë shtete tjera, njësoj siç i kritikojnë edhe fqinjët tanë iranianë. Secili shtet ka të drejtë që të prodhojë energji bërthamore për qëllime paqësore. Prandaj, edhe Turqia do të shfrytëzojë energjinë bërthamore, por me një siguri të shtuar”, theksoi Erdogan.