E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, Dobjani: ERE të mbrojë interesat e konsumatorëve

Ka raste kur për vjedhjen e energjisë elektrike qytetarët bashkëpunojnë edhe me punonjës të OSSH-së"

Deklarata e Avokatit të Popullit u bë gjatë takimit me kreun e ERE-s në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë
TIRANË- Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, kërkoi dje nga ERE që të tregohet objektive gjatë shqyrtimit të kërkesës së OSSH-së për rritjen e çmimit të enegjisë duke marrë në radhë të parë në konsideratë interesat e konsumatorëve. Gjatë takimit me kreun e Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, Dobjani e konsideroi të drejtë vendimin e ERE-s për të mos e pranuar raportin e OSSH-së për nivelin e humbjeve të energjisë elektrike. Sipas tij, në këtë mënyrë u parandaluan ndikimet e drejtpërdrejta negative ne perllogarijten e ardhshme te shpenzimeve për energjine nga konsumatorët.

"Në vendimarrjen për çmimin e energjisë elektrike ERE të mbajë në konsideratë të drejtat dhe interesin më të lartë të konsumatorit shqiptar, duke vepruar me paanësi, integritet dhe objektivitet të lartë", - tha ai.

Krahas kësaj, një problem tejet i mprehtë që ka të bëjë drejtpërdrejt me rritjen e çmimit të energjisë sipas të pranishmëve është niveli i lartë i humbjeve në rrjet. Nëse ky nivel vazhdon të jetë i lartë, për shkak të praktikës së mbulimit të humbjeve nëpërmejt shtrenjtimit të enegjisë, kjo e dhënë paraqitet si një ndikues i drejtpërdrejtë në vendimmarrjen për çmimin.
Kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta, i cilësoi tepër problematike abuzimet me energjisë elektrike duke ndikuar në rritjen e humbjeve dhe njëkohësisht kërkesën për rritjen e çmimit. Sipas tij, bashkë me qytetarët janë edhe punonjësit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ata që bashkëpunojnë për kryejen e abuzimeve apo mbulimin e vjedhësve. "Abuzimi dhe vjedhja e energjisë nga një pjesë e qytetarëve ndonjëherë në bashkëpunim edhe me punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, po sjell në vijimësi humbje për kompaninë duke ndikuar edhe në kërkesen per rritjen e çmimit", - tha ai.

Ky fenomen sipas tyre ka bërë që të penalizohen ata që janë të rregullt në shlyerjen e detyrimeve për sa i përket energjisë elektrike. "Në këtë mënyrë është duke u kryer një padrejtësi shoqërore", - tha Dobjani.

Mospagimi i energjisë së konsumuar apo humbjet e mëdha në rrjet janë një shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur nga ekspertë të fushës apo organizma ekonomike ndërkombëtare gjatë paraqitjes së qëndrimeve të tyre në lidhje me këtë fenomen. Krahas kësaj, këto tregues ishin një temë shumë e diskutuar edhe gjatë negociatave ndërmjet qeverisë sdhqiptare dhe kompanisë CEZ për privatizimin e OSSH-së.

Pronarët e rinj të OSSH-së aplikuan në fund të muajit shtator pranë ERE-s për rritjen e çmimit të energjisë në përputhje me Deklaratën Rregulatore të Nënshkruar me qeverinë para blerjes së saj. Bëhet fjalë për një rritje deri në 31 për qind në varësi të linjës me të cilën furnizohet konsumatori.

Ata që pësojnë më shumë nga kjo janë konsumatorët familjarë, të cilet krahas rritjes do të përballen edhe me heqjen e sistemit të pagesës me blloqe. Kështu, nëse deri më tani energjinë e harxhuar deri në 300 kË/h çdo konsumator e paguan me 7 lekë dhe pjesën tjetër me 12 lekë, sipas propozimit të OSSH-së nga data 1 janar 2010, përt çdo kilovat do të paguajë 9.15 lekë pavarësisht sasisë.

Çmimi

Heqja e sistemit të pagesës me dy blloqe pas datës 1 Janar 2010 do të favorizojë konsumatorët familjarë që harxhojnë më shumë energji. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, nëse një familje që ka konsumuar deri në 300 kilovat sipas sistemit të pagesës aktuale në total paguan e 2520 lekë, ndërsa në bazë të propozimit të OSSH-së nga 1 janari 2010 duhet të paguajë 3294 lekë. Pra sipas tarifave të reja, fatura e energjisë për këtë grup rritet me mbi 700 lekë. Ndërsa, nëse sipas sistemit të tanishëm një familje që ka harxhuar 500 kilovat paguan 5400 lekë, nga fillimi i vitit të ardhshëm ai duhet të paguajë 5490 lekë. Sipas propozimit të OSSH-së për rritje të çmimit me 31 për qind, këtij të fundit, fatura i shtrenjtohet me vetëm 90 lekë.

Përfitimi i atyre që harxhojnë më shumë fillon të dalë në pah nëse kalojnë shifrën e 600 kilovatëve. Sipas sistemit aktual, një familje që ka konsumuar 700 kilovat paguan 8280 lekë, ndërsa me rritjen e propozuar nga OSSH nëse ajo miratohet siç është asaj i takon të paguajë rreth 600 lekë më pak ose 7686 lekë. Diferenca rritet edhe më tej me harxhimin e sa më shumë energjie. Një konsumator që ka harxhuar 1000 kilovate paguan 12600 lekë, ndërsa sipas propozimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nga data 1 janar 2010 duhet të paguajë 10980 lekë. rreth 1100 lekë më pak.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›