Shqipëria, fonde shtesë nga qeveria e Holandës përmes programit “Një OKB”
Qeveria e Holandës do t’i sigurojë mbështetje të mëtejshme Shqipërisë, duke kontribuar mbi gjysmë milion dollarë në programin “Një OKB”. Ky është kontributi i dytë i qeverisë holandeze për reformën e Kombeve të Bashkuara. Kontributi i mëparshëm kapte shifrën e mbi 900 mijë eurove dhe shkoi në mbështetje të programit të përbashkët të OKB-së për barazinë gjinore. Dje u nënshkrua një marrëveshje midis ambasadorit të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Henk G.C. van den Dool dhe Koordinatores së Përhershme të Kombeve të Bashkuara, Gulden Turkoz-Cosslett. Fondet holandeze do të kalojnë në Fondin e Koherencës së Kombeve të Bashkuara me një fokus në çështjet e mjedisit.
“Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e dytë të Holandës për programin “Një OKB”. Fondet e përcaktuara do të shkojnë për mbështetjen e objektivave të Shqipërisë për t’u integruar në BE dhe drejt prioriteteve të zhvillimit kombëtar”, - tha Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Gulden Turkoz-Cosslett. Duke pranuar karakterin pilot të programit “Një OKB”, ambasadori i Holandës, Henk G.C. van den Dool, tha: “Holanda i jep rëndësi të veçantë reformës së OKB-së të cilën ne po e mbështesim në një nivel operacional për të përmirësuar efikasitetin e ndihmës dhe eficencën. Ambasadori Henk G.C. van den Dool vijoi më tej duke theksuar se “Mbështetja politike është e rëndësishme. Nuk mund të përfitohet eksperiencë e rëndësishme, nuk mund të merren mësime dhe nuk mund të zhvillohen praktika nëse nuk sigurohen fonde të mjaftueshme për zbatimin e programit “Një OKB”. Shqipëria u përzgjodh së bashku me shtatë vende të tjera për të testuar një program mbarëbotëror të reformës së OKB-së. Programi “Një OKB” në Shqipëri u nënshkrua më 24 tetor 2007 dhe fokusohet në pika kyçe referimi si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit për integrim në BE; Strategjia Kombëtare e Shqipërisë për Zhvillim dhe Integrim; programe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë dhe principet e Deklaratës së Parisit për efikasitetin e ndihmës dhe harmonizimin e përpjekjeve të zhvillimit. Kryesuar nga qeveria e Shqipërisë dhe duke u bazuar ne pikat e forta dhe mandatet e 14 organizatave pjesëmarrëse të OKB-së. Programi “Një OKB” ka për qëllim të rrisë impaktin e OKB-së në pesë fusha kryesore: një qeverisje më transparente dhe më të përgjegjshme; pjesëmarrje më të gjerë gjithëpërfshirëse në politikat publike dhe vendimmarrje, akses më të drejtë dhe më të madh në shërbimet cilësore bazë, zhvillim rajonal për të reduktuar pabarazitë dhe zhvillim mjedisor të qëndrueshëm. Iniciativa “Një OKB” ka ndryshuar mënyrën se si funksionon OKB-ja. Tetë programe të reja të përbashkëta kanë nisur që nga viti 2007”.