E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Energjia”, Ekspertet: KESH të ndaloj importin

Ekspertët e energjetikës shprehen kundër eksportit të energjisë në një kohë që vazhdon importi për të furnizuar vendin. Sipas tyre, KESH duhet të shfrytëzojë klauzolën në kontratat e importit, për të ndaluar blerjen dhe të rrisë prodhimin. 

TIRANE- Ekspertët e energjetikës e konsiderojnë të pavend vendimin e KESH-it për të eksportuar energji elektrike, në një kohë që vazhdon importi. Sipas tyre, në kontratat me kompanitë importuese ka një klauzolë e cila parashikon që importi të ndalojë në momentin që furnizimi i vendit me energji mund të përballohet me prodhim vendas, ashtu siç mund të bëhet aktualisht, favorizuar nga situate e mirë hidrike, për shkak të reshjeve të bollshme.

Pajtim Bello, ekspert i energjetikës shprehet se “ka pasur dhe ka klauzola që në periudha të caktuara sipas gjendjes hidrike në Shqipëri, mund të ndërpritet importi i energjisë elektrike për të shtuar burimin e vendit”.

Ndërsa Dritan Prifti, ish-drejtor i përgjithshëm i KESH, tha se “në kushtet kur kemi mundësi të prodhojmë vetë dhe të furnizojmë vetë konsumim nuk kemi pse të importojmë”.
”Në kaskadën e Drinit kemi mundësi të prodhojmë 24-25 milion kilovat orë në ditë nëse kemi nivel të lartë të prurjes, e cila është maksimale për momentin dhe ne mund ta furnizojmë të gjithë Shqipërinë me burime vendase”, përfundoi Prifti.

Nga të dhënat e KESH-it rezulton se prodhimi vendas i energjisë llogaritet në rreth 14 milionë kilovat orë në ditë, ndërkohë që 3.1 milionë kilovat orë të tjerë importohet. Ndërkohë falë reshjeve të bollshme, korporata ka krijuar edhe një sasi të konsiderueshme hidrike në kaskadën e lumit Drin, e cila do të përdoret gjatë periudhave të mëvonshme.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›