E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, dhjetëra hektarë toke përfundojnë nën ujë për shkak të shirave

>Shirat e rëna ditën e djeshme kanë sjellë si përherë probleme edhe në Fier dhe Lushnjë. Shumë toka bujqësore janë përmbytur ndërsa shumë të tjera rrezikojnë nga çasti në çast ti nënshtrohen mbulimit nga ujërat që po vërshojnë. Situata ka qenë tepër problematike në Lushnjë, ku një sipërfaqe e konsiderueshme toke është përmbytur totalisht. Më shumë se 20 ha tokë janë përfshirë nga uji, ndërsa asnjë fermer nuk ka arritur të ndalë këtë katastrofë natyrore. Të gjitha tokat ë përmbytura kanë qenë të mbjella me grurë dhe kjo sipas tyre u ka shkaktuar dëm të madh ekonomik ." Jemi të varfër dhe nuk mund ta përballojmë këtë katastrofë. Është hera e dytë që përmbytemi, pasi edhe vjet na ka ndodhur e njëjta fatkeqësi. Ne nuk kishim marrë veten nga përmbytja e parë, pasi gjithë drithërat na shkuan dëm", është shprehur Levendi, një banor i fshatit Bubullimë në rrethin e Lushnjës. Sipas vetë fermerëve, bllokimi i kanaleve kullues dhe aty sekondarë ka sjell edhe përmbytjen, në një kohë aspak të favorshme për kulturat bujqësore. Por reshjet e shiut kanë pushtuar edhe qytetin e Fierit. Rrugët e këtij të fundit, ashtu si gjithmonë janë mbushur me ujë duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Mosfunksionimi i rregullt i kolektorëve dhe shimbledhësve që tërheqin ujërat e bardha nëpër këto rrugë ka shkaktuar kaos në një pjesë të mirë të qytetit. Edhe pse kjo është një situatë e përsëritur përsëri nga ana ndërmarrja e Ujësjellës kanalizimeve nuk është marrë asnjë masë. Këto reshje kanë rritur gjithashtu edhe prurjet në lumenjtë Gjanicë, Seman dhe Vjosë por jo në atë masë sa të paraqiten rrezik. Për ti paraprirë situatës shtabi i emergjencës në prefekturë ka marrë të gjitha masat për të mbajtur situatën nën kontroll në të gjithë territorin e qarkut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›