E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia e përdhunuar… dhe butet e Danaideve*

“S’kemi pas drita dhe pranej kemi ngri së ftohti, tu u mbulu me batanije gjithë ditën”. Këtë tha një grua nga një fshat këtej rrotull Tiranës në një kronikë të djeshme në TV. ǒimagjinova nga kjo? Imagjinova atë grua fshatare që, në shtëpinë e vet në fshat, pra aty ku druri është te maja e hundës, çfarë bën? Ngrohet jo me dru, por me “alatrik”, me një fjalë, me energji elektrike. D.m.th. zonja, e cila deri para 18 vjetësh kishte vetëm një llambë gjysmë qorre në gjithë shtëpinë e vet, dhe natyrisht që as që kishte parë ndonjëherë kalorifer me sy, tani, në 2008-ën, i fut kaloriferët në prizë në mëngjes dhe i lë atje deri mëngjesin tjetër, e tjetër... Dhe ndoshta, kur bëhet “çik mo nxet” se ç’duhet, rrezik nuk e heq kaloriferin nga priza (se është salduar atje) por… hap dritaren që “ta ajrosi i çik shpinë” … Prit, “ç’kalorifer thua?”, – rrezik më thotë zoja. Kalorifer mos ke vetë ti, se una kom kondicionerin ke shpia, nji, a dy, a tre copë”. Hej kujë! E pse? Se me siguri e ka hudh nji grep andej nga shtylla e rrugës, edhe... Mirë moj zonjë, mirë moj zonja të fshatit (a qytetit) në mbarë Shqipërinë trime. Jepini! …Dhe hajde t’i mbajë dot “qeveria” me drita këta!!! Këta duan Çernobilin këtu që t’u prodhojë energji, edhe jallà t’ua dalë dhe ai…

Se s’na mjafton që s’po bie pikë shiu prej muajsh, e që po na bën vetëm ftohtë krejt në të thatë, po edhe këta na duhen… Pra, ku shkojmë kështu? Është keq puna. Mendësitë që na mbajnë e na tërheqin në llumin e rrezikut të krizës patologjike energjitike janë: “Energjia elektrike është diçka që nuk kushton, por që thjesht s’duan të ma japin”, që “kur e kam, i bie me top energjisë, kur s’e kam, i bie me top qeverisë”, dhe që “unë kam vetëm të drejtë ta harxhoj sa të dua, ndërsa qeveria ka vetëm detyrë të më japë sa të dua”. Këto mendësi na kanë lënë në nivelin mendor të viteve ‘70 të botës dhe nuk na japin shpresë se mund të dalim nga ky qerthull fatkeq. Dhe këto mbizotërojnë.

Po më tej ç’ndodh? Pa le të hapim pak sytë, se do shohim që nuk e kanë fajin vetëm këta që vjedhin energjinë. Se këta shkaktojnë vetëm njërën nga plagët, vetëm njërën nga ato plagët që nuk e lënë sistemin energjitik të ngrejë kokë. Ka plot plagë të tjera, të cilat i shkaktojmë nga pak të gjithë ne, përfshi edhe ne qytetarët, edhe vendimmarrësit tanë.

Çfarë po ndodh me sistemin energjitik shqiptar? Ai ngjason me “butet e Danaideve”. Këto Danaidet, janë në mitologji 49 bijat e Danaut që u dënuan nga Jupiteri me një dënim të veçantë: që të mbushnin me ujë një but të madh, një enë të madhe… e cila e kishte fundin të shqyer. Pra ato, sa më shumë ujë hidhnin në atë enë, aq më shumë ujë rridhte që andej. Për rrjedhim, të varfrat Danaide s’arrinin kurrë ta mbushnin atë, megjithëse sillnin ujë nga mali me kova plot. I tillë është, pra, sistemi ynë i konsumit, për fatin tonë të keq. Qeveria, KESH-i, OSSH-ja e me radhë kush janë, janë Danaidet tona, të cilat mundohen të mbushin me energji këtë butin tonë, të konsumatorëve pra, i cili është plot me vrima e të çara.

Danaidet tona na sjellin energji çdo vit e më shumë, por mënyra e konsumit tonë të energjisë çon në shpërdorimin e saj dhe për rrjedhim, në pamundësinë patologjike për të plotësuar këto nevoja. Thënë ndryshe, po vazhdojmë «të hedhim energji në një enë të çarë». Kështu që, megjithëse korporata do të vazhdojë gjithmonë e më shumë të fusë në sistemin e konsumit maksimumin e mundshëm të energjisë, me shumë gjasa nuk do të përballohen dot kërkesat, nëse nuk mbyllim të çarat e sistemit. Dhe kjo duhet bërë mbi bazën e një veprimi afatgjatë, por që duhet të fillojë sa më parë.

Por cilat janë të çarat e sistemit? Janë ato mënyra sjelljeje tonat apo ato karakteristika të ndërtesave tona, të cilat na pengojnë të ekonomizojmë atë energji që kemi sot apo mund të kemi nesër. Njëra nga «të çarat» e sistemit të konsumit është pikërisht shpërdorimi i energjisë për ngrohjen e banesave në ndërtesa.

Së pari, nuk është ekonomike për askënd të përdoret energjia elektrike për ngrohje, as për konsumatorin dhe as për sistemin. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, është se edhe ato familje që e paguajnë, por që përdorin energjinë elektrike për ngrohje, shpërdorojnë, pra harxhojnë kot 50% të energjisë që konsumojnë. Kjo, për shkak se pjesa më e madhe e ndërtesave janë të patermoizoluara. Konsumi në nivel vendi rritet me 30-40% menjëherë sapo zbresin pak temperaturat në dimër. Po të ndalim pak e ta shohim këtë, i bie që nëse ne arrijmë të termoizolojmë ndërtesat, Shqipëria kursen drejtpërdrejt këtë 30-40% të energjisë, që janë ashtu përafërsisht nja 4 milionë euro në ditë nga ato që harxhojmë për import energjie. E dini pse i kursejmë këtë 30-40%? Sepse është llogaritur p.sh. që, nëse Tirana do t’i kishte ndërtesat të termoizoluara, s’do të kishte nevojë për ngrohje për më shumë sesa...10-15 ditë gjatë dimrit. Jo më shumë. Do të kursehej pra direkt një periudhë prej të paktën 60 ditësh kur ne i mbajmë të ndezur kondicionerët. Që do të thotë që vetëm në Tiranë do të kurseheshin të paktën 120 milionë euro... E, po ta shohim ndryshe, me kaq para mund të arrihej të termoizoloheshin me metodën “mantel” (e shpejtë dhe super estetike) rreth 2.400 pallate të vjetra të Tiranës. Dhe s’mendoj se Tirana ka më shumë se kaq. E ja ku do të fillonte të zgjidhej edhe problemi i energjisë. Sepse, në nivel kostoje, do të ishte njësoj sikur të ndërtohej një TEC nja 200 megavat, pra më shumë sesa 2 TEC-e si ai i Vlorës... Pa do krijoheshin vende të reja pune, pa do kursente edhe shteti, pa do kursenin edhe familjet për energjinë, pa do u rritej dhe cilësia e jetës, e të tjera e të tjera...

... Por, më duket se shkova ca si larg në imagjinatë dhe në llogaritje. Megjithëse s’e them thjesht unë, por janë llogaritje të ekspertëve... Sidoqoftë, shkova larg. Veçse ndërkohë, e gjithë bota, përfshirë edhe vendet tona fqinje, po merren me këtë problem sepse i kanë rënë këtij lapsi. Ndërsa ne akoma nuk detyrojmë që edhe ndërtesat e reja të ndërtohen të termoizoluara, pra s’arrijmë dot t’i detyrojmë të zbatojnë ligjin tonë. E jo më pastaj të merremi me termoizolimin e ndërtesave të vjetra... Ndaj edhe nuk më çuditi çka dëgjova në një konferencë në Slloveni se “vetëm Shqipëria s’ka nisur ende të bëjë Strategjinë e vet të Efiçensës së Energjisë”, të cilën e ka marrë përsipër ta bëjë në kuadër të Komunitetit të Energjisë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit po ecin shumë mirë... P.sh. edhe Serbia ishte në fund pothuaj. D.m.th., bën strategjinë tani, e aprovon dhe fillon të investojë në rritjen e efiçensës dhe kursimit të energjisë. Thjesht, për shkak sepse kursimi dhe efiçenca nuk konsiderohen më si luks, si të tepërta apo si thelë mbi bisht, por konsiderohen, as më shumë e as më pak, si “mënyra më e lirë dhe më e pastër e prodhimit të energjisë” ose si “burimi më i sigurt e ideal i energjisë”... Por ne jemi akoma tek mendësia e asaj “zojës pe Mulleti që ngrohej me alatrik”. Vite larg nga normaliteti... Dhe ndërkohë Danaidet tona vazhdojnë të “mbushin” butin tonë. Më kot. Se vrimat po shtohen, po i shtojmë vetë ne, duke i hequr vetë shpresat se një zgjidhje e shpejtë mund të vijë...

*Romeo Hanxhari

PhD në “Menaxhim të Mjedisit dhe të Burimeve të Territorit”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›