Shpotitë pa bukë për ullirin
Nga 4 milionë rrënjë ullinj që trashëguam nga e kaluara, vetëm gjysma e tyre janë në gjendje prodhimi sot. Shumica e të tjerave janë të prera, të djegura ose të shkulura, për t’i lënë vend bizneseve të tjera, apo thjesht për dru zjarri. Mirëpo vitet e fundit, bujqit tanë e kanë kuptuar rëndësinë e ullirit për ekonomitë e tyre familjare dhe kanë rritur ndjeshëm numrin e rrënjëve të reja të mbjella. Janë mbi 40 mijë familje fermere që kanë rrënjë ulliri dhe interesa për të zhvilluar si prodhimin e ullirit kokërr, ashtu dhe të vajit të ullirit. Mbështetja me fonde nga buxheti i shtetit me ndihmë të drejtpërdrejtë (po të mbjellësh 0.5 ha ullishte të reja merr para të thata në dorë - deri gjysmë milioni lekë të reja - për të përballuar shpenzimet) për në vitin 2007 dhe këtë vit ka sjellë që numri i rrënjëve të ullirit të mbjella rishtazi të trefishohet. Bashkë me rritjen e numrit të ullinjve krijohen mundësi të mira për fabrikat e prodhimit të vajit të ullirit që të rrisin kapacitetet e tyre. Janë ngritur rreth 14 linja të reja prodhimi në këto tre vitet e fundit. Kësisoj, industria e prodhimit të vajit të ullirit është në zgjerim të plotë, duke zëvendësuar bindshëm ofertën e importit të vajrave të ullirit italianë dhe grekë. Përherë e më shumë prodhuesit shqiptarë po synojnë prodhimin e vajit tejet të virgjër të ullirit, si dhe madje vajit organik (tregu i të fundit është i garantuar jashtë shtetit). Eksporti i vajit të ullirit është në rritje. Por sidomos në tregun e brendshëm shqiptar, në sajë të vajit më cilësor vendas që ofrohet, i cili ka edhe çmim më të arsyeshëm në krahasim me homologët e huaj, shumë familje shqiptare kanë ndryshuar mënyrën e të ushqyerit, duke e bazuar gatimin mbi vajin e ullirit, gatim ky i kërkuar shumë dhe përtej Mesdheut, në SHBA, për shkak të pasojave shumë pozitive mbi shëndetin dhe shmangien e mbipeshës (e ashtuquajtura “dietë mesdhetare”). Të deklarosh se ke ndërmend të mbjellësh sipërfaqe të gjera me ullinj është një politikë për t’u përshëndetur, për më tepër kur bëhet nga numri një i qeverisë dhe në foltoren e Parlamentit. Prandaj dhe shpotitë nga ana e opozitës ishin krejtësisht pa vend tri ditë më parë. Madje, edhe referimi me heroin tonë kombëtar, Skënderbeun, pse politika e tij e mbjelljes së ullinjve për të porsamartuarit bëri të mundur jeshilimin e kodrave shqiptare dhe rritjen e mirëqenies së familjeve tona në atë kohë. Në të njëjtin përafrim, përqendrimi i mbështetjes shtetërore mbi ullirin gjatë vitit 2009 i hap mundësinë vendit të përfitojë në shtimin e rrënjëve të ullinjve, pikërisht tani, kur ende nuk jemi thellësisht të inkuadruar në politikat agrare të Evropës së Bashkuar. Po t’ia lëmë këtë viteve që do të vijnë, do të jetë tepër vonë. Ia vlen të rrisim ndjeshëm sipërfaqet e mbjella me ullinj tani. Kjo, pse kur të jemi një vend kandidat do të na duhet të respektojmë politikat e BE-së në prodhimin bujqësor. Dhe më tej, kur të bëhemi (nuk duket e largët dita - ka zëra që përmendin vitin 2014) një vend anëtar do të na duhet t’u bindemi këtyre politikave-urdhra që vijnë nga Brukseli. Për shembull, në këto ditë, Spanja do të donte të mbillte 8 milionë rrënjë të reja me ullinj në territorin e saj për vitin 2009. Por nuk e lë BE-ja, që i ka thënë të mbjellë vetëm gjysmën e kësaj shifre. Në rast se Spanja nuk bindet (gjë që pak ka mundësi të ndodhë), atëherë lamtumirë mbështetje e fonde komunitare për bujqësinë spanjolle. Ja përse të mbjellësh sa më shumë pemë ulliri sot përbën një politikë largpamëse për gjasat e zhvillimit të bujqësisë shqiptare në të nesërmen e afërme. Çfarë nevojitet tani është përgatitja e një strategjie mbarëkombëtare për zhvillimin e industrisë së pemës dhe vajit të ullirit. Ministria e Bujqësisë i ka të gjitha materialet dhe studimet e duhura për këtë dhe nevojitet thjesht një vëmendje më e madhe e gjithë qeverisë, si dhe një fond i posaçëm për këtë sektor nga buxheti i shtetit. Ende nuk është vonë, edhe pse buxheti 2009 është miratuar në Parlament.