E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, të mërkurën zbardhet vendimi

Ditën e mërkurë do të zbardhet vendimi i Këshillit të Ministrave për sa i përket sistemit part-time dhe menjëherë pas kësaj universitetet do të përcaktojnë datat dhe procedurat e regjistrimit. Kjo u bë e ditur dje nga zyra e shtypit e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Zëdhënësja e kësaj ministrie, znj. Ermelinda Muho, tha se do të jenë vetë universitetet që do të përcaktojnë datat dhe procedurat. Ndërkohë, nga Universiteti i Tiranës thanë se procedurat do të nisin sapo të publikohet vendimi.

Vendimi i Këshillit të Ministrave, i marrë një javë më parë, ka përcaktuar se kriteri i vetëm i pranimit në universitete për sistemin me kohë të pjesshme do të jetë diploma e shkollës së mesme ose diploma e shkollës së lartë, për ata që duan të vazhdojnë një fakultet të dytë.

Një lajm i mirë u është rezervuar edhe atyre që kanë dëshirë të vijojnë studimet part-time në Fakultetin e Drejtësisë. Dy vite pas pezullimit të studimeve në këtë fakultet, është vendosur nga Këshilli i Ministrave rihapja e studimeve në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në të do të pranohen 200 studentë, ndërkohë që sistem me kohë të pjesshme do të ketë edhe Universiteti i Shkodrës, ku do të pranohen 60 studentë.

Burime nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se kriter për pranimin e studentëve do të jetë vetëm pasja e diplomës së shkollës së mesme. Në rast se do të ketë më shumë aplikime sesa është kuota e regjistrimit, atëherë do të jetë nota mesatare e shkollës së mesme, kriteri vendimtar që do të përcaktojë fituesit dhe jofituesit ndër aplikantët e interesuar. Ndërkohë që kritere të tjera do të mund të vendosen edhe nga vetë universitetet gjatë procedurës së përzgjedhjes.

Tiranë

Kushte të reja për licencimin e urbanëve

Licencimi i linjave të transportit urban tani do t'u nënshtrohet disa kërkesave të reja. Me delegimin e kompetencave nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, në pushtetin vendor, bashkia e kryeqytetit ka përgatitur një propozim që pritet t'i kalojë Këshillit Bashkiak të Tiranës për shqyrtim, në fillim të dhjetorit në mbledhjen e tij të radhës.

Personi fizik apo juridik që kërkon të licencohet për ushtrimin e veprimtarisë së transportit rrugor të udhëtarëve e mallrave, duhet të provojë se plotëson 4 kushte.

Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, ''bëhet fjalë për reputacionin e mirë, gjendjen e përshtatshme financiare, kompetencën profesionale, si dhe zotërimin e mjeteve të transportit rrugor me motor, në numrin dhe gjendjen teknike të kërkuar''.

“Në rastet kur aplikanti është një person që nuk ka kompetencë profesionale, ai mund të emërojë një person tjetër që plotëson kërkesat e reputacionit dhe të kompetencës profesionale, që të mund të menaxhojë efektivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme operacionet e transportit të ndërmarrjes”, - thanë burimet e mësipërme.

Numri i autobusëve në transportin e udhëtarëve në linja të rregullta përcaktohet nga zyra e licencave në bazë të frekuencës së udhëtimeve, distancës së udhëtimit dhe mjeteve rezervë që duhet të ketë ndërmarrja e transportit.

Sipas një studimi të kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi dhe Bashkia e Tiranës, transporti urban përdoret shpesh nga plot 46 për qind e kryeqytetasve. Ndërsa, po sipas këtij studimi, rreth 32 për qind e qytetarëve i përdorin linjat urbane 1 herë në javë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›