E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapja e re e Ramës nga politika e vjetër

Në një intervistë të bërë pak ditë më parë, me një nga ekspertët më me përvojë, një nga përfaqësuesit më të njohur të EURALIUS-it në Shqipëri, Kethleen Imholz, në një seminar organizuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara të Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit, ndër të tjera, kur e pyeta për ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri, më tha se “besoj dhe shoh që politika e ka lexuar progres-raportin e Bashkimit Evropian dhe po reflekton, mendoj se ata po lexojnë vërejtjet e duhura dhe jam optimiste”. Zyrtarja shumë dashamirëse dhe kontribuuese ndaj vendit tonë shpresonte se institucionet do të përparojnë në bërjen e reformës në drejtësi, që me shumë vëmendje ata prisnin të vazhdonte me dakortësi të tjera. Por gjasat nuk flasin për të njëjtin shans me sa duket. Në Asamblenë e Socialistëve, tri ditë më parë, kryetari Rama si për të fituar pak terren nga greva e Metës, lëshon ashpërsinë si ushqim për militantët pak të zhgënjyer prej tij. Nuk do të bashkëpunojë për reformën në drejtësi. Nuk është surprizë, por përbën vërtetësi dyshim lideri, deklarata e Edi Ramës, që nuk jep konsensus për reformën në drejtësi, të cilën mendon ta bëjë kur të vijë vetë në pushtet, atëherë mendon se do të detyrojë të tjerët, që janë të domosdoshëm në rënie dakord, pra prapë Sali Berishën, që të kontribuojë me konsensus, por vetëm pesë, apo nëntë vjet më vonë, kur parashikohet një horizont pushteti për partinë që ai po shkatërron. Kjo turbullirë guximi e theksuar nga kreu i opozitës që citon se “ne nuk kemi asnjë besim dhe nuk shohim asnjë mundësi që këtë reformë (reformën në drejtësi) ta bëjmë me Sali Berishën... atë do të duhet të bëjmë kur të drejtojmë vetë vendin”. Në fakt, halli kryesocialist në këtë deklaratë ngjan ca i përkohshëm, pasi kjo ofertë i përcillet elektoratit për ta bindur se ai nuk është krejt bashkëpunues me Kryeministrin, por di dhe të vërë veton që të frenojë procesin e reformave. I gjendur pak zbuluar ngaqë në elektorat Ilir Meta dhe grevistët me gjestin e paduhur morën qortim ndërkombëtarësh, por pak mbështetje në elektorat, Rama ka menduar të kuotohet brenda javës në bursën e fushatës. Kryetari i Partisë Socialistë ka parë gjatë këtyre ditëve se ecejaket e tij nëpër fshatra, por jo në ato të Gjirokastrës ku pas tragjedisë duhej të kishte udhëtuar më gjatë, po shikon se nuk po e formaton në kahun e duhur ekipin e papërcaktuar përfundimisht. Ka parë gjithashtu se në Tiranë deputetë të partisë që ai drejton bëheshin solidarë me LSI dhe PDK dhe ka ndjerë luhatje, duke mos qenë krejt në mundësi për të riparuar goditjen që kishte marrë në kampin e të majtëve. Në ditë pasigurie, atë e kanë braktisur dhe shoqatat e shumta që ka krijuar dhe tani gjendet në një presion të dytë, që Rama duhet të ndajë mendjen nëse do u vihet përballë apo përkrah.

Kush është kjo forcë së cilës kryesocialisti nuk po ua shkëput dot ndikimin që ka mbi të dhe peshën e partisë.

Gjyqësori është sërish pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e pushtetit që kanë socialistët aktualisht, që ka prodhuar të vetmen pandryshueshmëri në raportet e ndërkombëtarëve, kërkon të ruajë autonominë e mosndryshimit. Draftet, nismat ligjore të ministrit Enkelejd Alibeaj, në të gjitha rastet të konsultuara me opozitën, grupe interesi dhe asistenca ndërkombëtare, kanë sjellë modelin që duhet të ketë ky pushtet delikat. Pasi ka votuar draftin për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit, ka votuar ndryshimet kushtetuese bashkë me mazhorancën, tani kryetari i bashkisë po përdor reformat për të bërë fushatë elektorale. Pas përfoljes mediatike nga drejtues të lartë të mazhorancës, se Edi Rama është një nga politikanët me dosje shumë të vjetra, përkatësi e Sigurimit të Shtetit, ai ka ndërruar sjelljen, pasi ka parë dhe reagimin e ish-kreut të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçi, që drejton asamblenë e partisë së tij. Do ta bëjmë vetë këtë reformë, është një mesazh sigurie që Edi Rama u dërgon bërthamës së Sigurimit të Shtetit, përfaqësuesve të Partisë së Punës në këtë sistem, njëherësh dhe të rekrutuarve të tjerë, se ai është bashkëpunues, ndaj le të qëndrojë dhe pak kohë në krye të partisë, sepse bashkia ndërron krye në qershorin e ardhshëm. Rama realisht më mirë të bindë shumicën socialiste që kërkon reformë në drejtësi, sesa të bindet nga shumica sigurimse që kërkon pavarësi. Me deklaratën e bërë para Gramoz Ruçit, pra para asamblesë, ku ai është kryetar, drejtuesi i socialistëve ka nisur zyrtarisht betejën me Metën, për të mbajtur brenda kufijve të partisë anëtarët dhe për të rikuperuar besueshmërinë. Duke qenë se të dy kanë shënjestër Berishën, tani po mundohen që të zënë vendin e parë në opozitë se kush e largon më parë nga pushteti Kryeministrin, që i ka kapërcyer të dy së bashku në menaxhim pushteti në dobi të qytetarëve. Tani loja brenda së majtës ka nisur, duke dëmtuar më tepër Ramën sesa Metën, që po keqpërdor shansin e bërjes së reformave, sidomos asaj në drejtësi, duke e konsumuar si mjet bindës presioni kundër mazhorancës që ofron bashkëpunim, për të bërë dhe këtë reformë kriter integrimi. Kryetari i PS-së dhe opozita, edhe nëse mund të jenë pushtetarët e nesërm, do të kalojnë në qeverisje duke qenë më parë anëtarë të plotë të NATO-s, që shënohet në prill 2009, para çdo lloj date zgjedhjesh. Atëherë pretendojnë të marrin anëtarësim në aleancë, kandidim për në BE, por jo reformë në drejtësi. Mendësia politike e palëve në këtë proces integrues nuk është mirë të kapërcejë një truk elektoral zbutës, apo një karshillëk presioni i bërë nga kushdoqoftë, ndaj Berishës, Ramës që përfaqësojnë zyrtarisht dhe realisht shumicën politike të shqiptarëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›